
Zgjedhjet e pjesshme lokale të mbajtura sot në dhjetë qytete të Serbisë, sipas mediave serbe dhe vëzhguesve, janë karakterizuar nga tensione të larta, përplasje fizike dhe një kontroll i fortë i votuesve.
Në Bor ka pasur përleshje, ndërsa në Bajina Bashta është shënuar një incident serioz. Vëzhgues dhe aktivistë të akredituar të zgjedhjeve u rrahën dhe u kërcënuan jashtë qendrave të votimit.
Sipas dëshmitarëve grupe individësh, të lidhur me Aleksandar Vuçicin dhe partinë e tij, SNS, vepronin rreth qendrave të votimit, duke krijuar frikë dhe duke penguar mbikëqyrjen e procesit zgjedhor.
Janë raportuar edhe sulme ndaj studentëve, ndërsa në disa vende është vërejtur prania e grupeve të aktivistëve të partisë në pushtet dhe forca të shtuara policore. Zgjedhjet i vëzhguan nga një numër rekord vëzhguesish vendas dhe të huaj, ndërsa në proces zgjedhor marrin pjesë edhe lista studentësh, grupe qytetare, parti opozitare dhe parti në pushtet.

