Gjashtë fëmijë dhe katër të rritur kanë humbur jetën këtë të diel në një sulm ajror izraelit në kampin e refugjatëve al-Nuseirat, në Gazën qendrore. Viktimat ndodheshin pranë një cisterne uji, ku po prisnin për të mbushur kontejnerët, kur u goditën nga një dron.
Sipas mediave ndërkombëtare, sulmi ka ndodhur në një moment ku në vendngjarje ndodheshin qindra civilë. Trupat e viktimave janë dërguar në Spitalin al-Awda, ndërsa 16 persona të tjerë mbetën të plagosur, mes tyre edhe shtatë fëmijë.
Ushtria izraelite ka pranuar ngjarjen, duke deklaruar se ishte një “gabim teknik” gjatë një sulmi që synonte një anëtar të Xhihadit Islamik. Megjithatë, raketa goditi civilët që prisnin në radhë për ujë, duke shkaktuar viktima të pafajshme.
Ndërkohë, zyrtarë të Mbrojtjes Civile në Gaza kanë raportuar se 19 palestinezë të tjerë janë vrarë gjatë ditës nga tre sulme ajrore të veçanta, që goditën banesa në zona të ndryshme të enklavës.
Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut ka ngritur alarmin ditët e fundit, duke njoftuar se deri tani janë regjistruar 789 vrasje të lidhura me ndihmën humanitare, përfshirë raste kur civilët goditen teksa kërkojnë ushqim, ujë apo ndihmë mjekësore. /Versus.al







