
Ish-presidenti i SHBA-ve, Donald Trump pati një bisedë telefonike me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky të premten. Kjo ishte biseda e parë mes tyre që prej kur Trump u largua nga Shtëpia e Bardhë dhe vjen një ditë pasi ai pranoi zyrtarisht nominimin e Republikanëve për president.
Trump tha se Zelensky e kishte përgëzuar për Kongresin e zhvilluar dhe i kishte shprehur keqardhjen për atentatin ku mbeti i plagosur.
“Presidenti Zelenskyy i Ukrainës dhe unë patëm një telefonatë shumë të mirë sot. Ai më përgëzoi për një Konventë Kombëtare Republikane shumë të suksesshme dhe për t'u bërë kandidati republikan për President të Shteteve të Bashkuara, "tha Trump në një postim në Truth Social. "Ai dënoi atentatin e tmerrshëm të shtunën e kaluar dhe vuri në dukje se populli amerikan u bashkua në frymën e Unitetit gjatë këtyre kohërave."
Ai u shpreh i bindur se me ardhjen e tij në krye të Shtëpisë së Bardhë, do i jepet fund luftës në Ukrainë dhe konflikteve të tjera në botë duke bërë që shtetet të negociojnë për të arritur marrëveshje prosperiteti.
“Unë e vlerësoj Presidentin Zelenskyy për kontaktin sepse unë, si Presidenti juaj i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara, do të sjell paqe në botë dhe do t'i jap fund luftës që ka kushtuar kaq shumë jetë dhe ka shkatërruar familje të panumërta të pafajshme. Të dyja palët do të jenë në gjendje të bashkohen dhe të negociojnë një marrëveshje që i jep fund dhunës dhe hap një rrugë përpara drejt prosperitetit.”- shtoi ish-presidenti amerikan.
Në një postim në X, duke folur për telefonatën që pati me Trump, Zelensky tha se ai përgëzoi Trump për emërimin e tij dhe dënoi "atentatin tronditës në Pensilvani".
“I urova forcë dhe siguri absolute në të ardhmen,” tha ai. “Kam vënë në dukje mbështetjen jetike dypartiake dhe dydhomëshe amerikane për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë së kombit tonë.”
Zelensky përfundoi: "Ne ramë dakord me Presidentin Trump për të diskutuar në një takim personal se cilat hapa mund ta bëjnë paqen të drejtë dhe vërtet të qëndrueshme".
Që nga pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2022, Trump ka thënë vazhdimisht se mund ta zgjidhte luftën në Ukrainë brenda një dite, por mbetet e paqartë se si do e arrinte diçka të tillë. Versus.al








