BOTA /

Trump i paralajmëroi për pasoja nëse hakmerren, BE dhe Meksika gati kundër-tarifat

Shkruar nga Versus
Trump i paralajmëroi për pasoja nëse hakmerren, BE dhe Meksika
Donald Trump

Bashkimi Evropian dhe Meksika kanë reaguar me zhgënjim ndaj kërcënimit të Presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave prej 30% ndaj importeve të tyre duke nisur nga 1 gushti.

Meksika e cilësoi këtë si një “marrëveshje të padrejtë” dhe theksoi se sovraniteti i saj nuk është i negociueshëm. Ndërkohë, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, paralajmëroi se BE është gati të marrë “masa reciproke proporcionale”, nëse do të jetë e nevojshme. Megjithatë, të dyja palët shprehën dëshirën për të vijuar negociatat me SHBA-në.

Trump ka bërë të qartë se nëse ndonjë prej partnerëve tregtarë do të hakmerrej me tarifa të ngjashme, ai do të përgjigjej me rritje të mëtejshme të taksave mbi importet.

Gjatë kësaj jave, Trump njoftoi gjithashtu tarifa të reja ndaj mallrave nga Japonia, Koreja e Jugut, Kanadaja dhe Brazili, që do të hyjnë në fuqi muajin e ardhshëm. Në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ai shkroi:

“Për vite me radhë kemi diskutuar marrëdhëniet tona tregtare me Bashkimin Evropian dhe kemi përfunduar se duhet të largohemi nga këto disbalanca të thella dhe të vazhdueshme tregtare, të krijuara nga tarifat dhe barrierat tuaja tregtare.”

Në të njëjtën letër, ai theksonte se marrëdhënia tregtare SHBA-BE ka qenë “larg reciprocitetit”. Në rast se BE ose Meksika vendosin tarifa të reja hakmarrëse, Trump paralajmëroi se do t’i përgjigjej me rritje të mëtejshme përtej 30%.

Në një intervistë të regjistruar për Fox News që u transmetua të shtunën në mbrëmje, Presidenti Trump deklaroi se disa vende janë “shumë të shqetësuara” nga tarifat, por sipas tij ato po sjellin “qindra miliarda dollarë në arkën amerikane”.

Brukseli dhe Uashingtoni pa marrëveshje para afatit

Bashkimi Evropian, që shpesh ka qenë në shënjestër të kritikave të Trump, ka përpjekur të arrijë një marrëveshje tregtare me Uashingtonin përpara afatit të 1 gushtit. Megjithatë, negociatat kanë mbetur pezull dhe nuk ka pasur njoftime për ndonjë përparim konkret.

Në vitin 2024, deficiti tregtar i SHBA-ve me BE-në arriti në 235.6 miliardë dollarë (rreth 202 miliardë euro), sipas Zyrës së Përfaqësuesit të Tregtisë së SHBA-së.

Von der Leyen konfirmoi se BE mbetet e gatshme “të punojë për një marrëveshje deri më 1 gusht”, por shtoi se “do të ndërmarrim të gjitha hapat e nevojshëm për të mbrojtur interesat evropiane, përfshirë miratimin e masave reciproke nëse është e domosdoshme”.

Reagime të ashpra nga liderët evropianë

Presidenti francez Emmanuel Macron e quajti vendimin e Trump “të papranueshëm” dhe kërkoi përgatitjen e masave hakmarrëse. Kryetari i Komitetit të Tregtisë në Parlamentin Evropian, Bernd Lange, e cilësoi lëvizjen si “një shuplakë në fytyrë për negociatat” dhe kërkoi që BE të veprojë pa vonesë.

Nga ana tjetër, disa liderë të BE-së u shprehën për vijimin e dialogut. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni tha se beson te një “marrëveshje e drejtë”, ndërsa kryeministri holandez Dick Schoof theksoi se BE “duhet të mbetet e bashkuar dhe e vendosur” për të arritur një marrëveshje të dobishme për të dyja palët.

Shoqata Gjermane e Industrisë së Automjeteve paralajmëroi për kosto të larta të mundshme për prodhuesit gjermanë dhe e cilësoi vendimin e Trump si “shqetësues për përshkallëzimin e konfliktit tregtar”.

Meksika: Sovraniteti nuk negociohet

Në një letër drejtuar presidentes meksikane Claudia Sheinbaum, Trump kritikoi Meksikën për mosveprim të mjaftueshëm ndaj trafikut të drogës, duke e cilësuar vendin si një “fushë loje për kartelet”.

Presidentja Sheinbaum u shpreh optimiste për një marrëveshje me SHBA-në, por theksoi se: “Ka gjëra për të cilat mund të negociojmë dhe gjëra që nuk negociohen kurrë. Sovraniteti ynë nuk është në tryezë”.

Në një deklaratë të përbashkët, ministritë e Ekonomisë dhe të Jashtme të Meksikës e quajtën lëvizjen e Trump një “marrëveshje të padrejtë”.

Ende nuk është e qartë nëse produktet meksikane që tregtohen brenda kuadrit të Marrëveshjes SHBA-Meksikë-Kanada (USMCA) do të përjashtohen nga tarifat, ndërkohë që Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se Kanadaja do të përjashtohet.

Deri më tani, administrata Trump ka shpallur kushte tarifore për 24 vende dhe Bashkimin Evropian, dhe synon të përmbyllë “90 marrëveshje në 90 ditë”, sipas këshilltarit të tregtisë Peter Navarro. Deri tani janë njoftuar vetëm dy marrëveshje paraprake – me Britaninë e Madhe dhe Vietnamin.

Poll