Brenda shtatë minutash, tre burra me maska rrëmbyen nëntë xhevahire të paçmueshme pwr nga vlera monetare e historike nga koleksioni i Napoleonit, të cilat ishin të ekspozuara në Sallën Apollonit në Muzeun e Luvrit. Kjo është një nga dhomat më mbresëlënëse dhe historikisht të rëndësishme në muze, e cila u krijua në shekullin e 17-të.
Kjo dhomë e veçantë ishte frymëzimi i Luigjit XIV, i cili njihej si "Mbreti Diell", pasi ai donte ta lidhte pushtetin e tij mbretëror me hyjninë e dritës, Apollonin.
Brenda, artistët kryesorë të kohës - përfshirë të njëjtët që punuan në Sallën e Pasqyrave në Versajë disa vite më vonë - krijuan një kryevepër që kombinon pikturën, skulpturën dhe dekorimin prej ari.
Tavani imponues i sallës përshkruan Apollonin dhe Luigjin XIV në një univers të shkëlqyer drite, ndërsa sot aty ndodhen diamantet e kurorës franceze, bizhuteritë e familjes perandorake dhe trashëgimitë mbretërore - përfshirë diamantin e famshëm 140 karatësh "Régent".
Si ndodhi grabitja?
Sipas gazetës Le Parisien, tre burra që mbërritën në muze me dy skuterë hynë nga ana e Senës, ku po zhvilloheshin punimet. Të veshur me kapuçë, ata përdorën një makinë ngritëse për të arritur direkt në katin e parë, në Sallën Apollo.
Vetëm në shtatë minuta, ata thyen xhamin mbrojtës me një sharrë elektrike dhe morën nëntë objekte të paçmuara - gjerdanë, diadema etj që i përkisnin koleksionit të Napoleonit dhe Perandoreshës Eugenie. Dy prej tyre hynë me forcë në sallë, ndërsa i treti qëndroi jashtë për të parë arratisjen.
Plaçka e tyre nuk përfshinte diamantin e famshëm “Régent”, i cili mbetet i sigurt, por dëmi është i madh.
Disa orë më vonë, policia gjeti një nga sendet e vjedhura jashtë ndërtesës së muzeut - kurorën e Perandoreshës Eugenie, një xhevahir me vlerë të pallogaritshme, i cili ishte dëmtuar.







