BOTA /

VIDEO / Kasaphanë në Liban - 274 të vrarë dhe mbi 1000 të plagosur nga sulmet ajrore izraelite

Të paktën 274 persona, përfshirë 21 fëmijë, janë vrarë dhe 1024 janë plagosur në sulmet izraelite në Liban, thotë Ministria e Shëndetësisë. Mes viktimave 39 gra dhe 2 mjekë

Shkruar nga Versus

VIDEO / Kasaphanë në Liban - 274 të vrarë dhe mbi 1000

Rritet në mënyrë dramatike bilanci i sulmeve izraelite mbi Liban. Sipas ministrit të Shëndetësisë të Libanit, Firass Abiad bombardimet izraelite kanë shënjestruar shtëpi, qendra mjekësore, ambulanca dhe makina të njerëzve që përpiqeshin të largoheshin. Sipas ministrit, të paktën 274 persona janë vrarë, duke përfshirë 21 fëmijë, 39 gra dhe dy mjekë, ndërsa 1024 të tjerë janë plagosur. Shifrat sipas Abiad mbetën provizore.

Pasditen e së hënës Al Jazerra bëri publike disa pamje të shpërndara në mediat sociale që tregojnë mbeturina dhe rrënoja të shpërndara nëpër rrugë në qytetin al-Duëayr, që ndodhet në Nabatiyeh, ndërsa banorët mund të dëgjohen duke bërtitur në panik. Videoja e verifikuar nga Al Jazeera tregon gjithashtu një ambulancë të dëmtuar nga sulmi.

Nga ana tjetër OKB-ja ka shprehur shqetësim të thellë “për përshkallëzimin në Liban”, ku sulmet ajrore izraelite sot kanë vrarë të paktën 274 njerëz.

“Sulmet që pamë në pajisjet e komunikimit, pagerët, të ndjekur nga sulmet me raketa dhe shkëmbimi i raketave nga të dyja palët ... shënon një përshkallëzim të vërtetë,” tha për AFP Ravina Shamdasani, zëdhënëse e zyrës së të drejtave të OKB-së.

"Ajo për të cilën kemi paralajmëruar gjatë gjithë kohës, përhapja rajonale e konfliktit, duket se si veprimet ashtu edhe retorika e palëve në konflikt po e çojnë konfliktin në një nivel tjetër."

Pas gati një viti zjarri ndërkufitar mes Hezbollahut dhe forcave izraelite, sulmet që nga fundjava janë më intensivet që nga shpërthimi i luftës së Izraelit në Gaza.

Shamdasani nënvizoi thirrjet nga e gjithë bashkësia ndërkombëtare “që luten për një de-përshkallëzimin”.

Edhe Forca e Përkohshme e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL) ka shprehur "shqetësim të madh" për mirëqenien dhe sigurinë e civilëve që banojnë në Libanin jugor.

"UNIFIL përsërit thirrjen e tij të fortë për një zgjidhje diplomatike dhe u kërkon të gjitha palëve që t'i japin përparësi jetëve të civilëve dhe të sigurojnë që ato të mos vihen në rrezik," postoi ai në X.

Misioni tha se ishte jetike që të "riangazhohej plotësisht" për zbatimin e Rezolutës 1701 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Sipas rezolutës, të miratuar në vitin 2006 për t'i dhënë fund luftës midis Izraelit dhe Hezbollahut, paqeruajtësit e OKB-së u vendosën për të monitoruar një armëpushim përgjatë vijës së demarkacionit 120 km (75 milje) ose Vija Blu, midis Izraelit dhe Libanit. / VERSUS

 

 

 

Poll