Të paktën 10 persona kanë humbur jetën dhe 30 të tjerë janë plagosur pasi një automjet ka përplasur turmën në Nju Orleans, qytet në shtetin e Luizianës, SHBA.
Mediat në SHBA kanë publikuar pamjet e rënda nga incidenti, i cili ndodhi rreth orës 3:15 me kohën lokale. Dëshmitarët i thanë CBS se makina u përplas me turmën dhe shoferi hapi zjarr, ndërsa oficerët e policisë që ishin në vendin e ngjarjes iu kundërpërgjigjën.
Megjtihatë ky informacion nuk është konfirmuar ende nga autoritetet zyrtare.
‘Gjithçka që pashë ishte një kamionçinë që përplasej me ata që ishin mbledhur në trotuarin e majtë në Rrugën Bourbon. Një nga trupat ra mbi mua’, tha dëshmitari okular 22-vjeçar Kevin Garcia, i cili shtoi se ka dëgjuar edhe të shtëna armësh.
Një tjetër 22-vjeçar i tha CNN se ‘të gjithë filluan të bërtisnin dhe të vraponin për t’u fshehur. Kur dolëm nga klubi ku ndodhej policia, na thanë të largoheshim shpejt. Pashë disa të vdekur dhe disa që kishin nevojë për ndihmën e parë’.
Njerëzit ishin mbledhur për të ndjekur një koncert dhe për të pritur vitin e ri.








