BOTA /

VIDEO/ Shqiptari i MMA largohet me barelë pas përplasjes në ring – dërgohet urgjentisht në spital

Ndeshja përfundoi në raundin e tretë, vetëm 44 sekonda pas fillimit të tij, kur gjyqtari ndaloi përballjen për shkak të dominimit të qartë të Frimpong.

Shkruar nga Versus

VIDEO/ Shqiptari i MMA largohet me barelë pas përplasjes në ring

Luftëtari shqiptar i MMA-së, Arijan Topallaj, ka përjetuar një moment dramatik të shtunën mbrëma në përballjen kundër irlandezit Denis Frimpong, në arenën “BMW Park”. Topallaj humbi ndjenjat pas një serie goditjesh të forta dhe u detyrua të largohej nga ringu me barelë, duke u dërguar menjëherë në spital.

Ndeshja përfundoi në raundin e tretë, vetëm 44 sekonda pas fillimit të tij, kur gjyqtari ndaloi përballjen për shkak të dominimit të qartë të Frimpong. 30-vjeçari nga Dublini shënoi një performancë të fuqishme, duke e mposhtur shqiptarin me nokaut teknik dhe duke regjistruar 100 goditje në total – 47 më shumë se rivali.

Pavarësisht tronditjes së momentit, raportet e para mjekësore tregojnë se gjendja shëndetësore e Topallajt nuk është e rëndë. Ai u shtrua në spital për ekzaminime të detajuara, si masë paraprake.

Pas përfundimit të përballjes, Frimpong u emocionua dhe shpërtheu në lot gjatë intervistës pas fitores. Ai zbuloi se po pret të bëhet baba për herë të parë dhe se kishte sakrifikuar shumë për të qenë në këtë ndeshje.

“Topallaj tha që nuk kisha zemër, por unë tregova më shumë se kaq. Gruaja ime më dha forcë të vija këtu. E gjithë kjo ishte për të dhe për djalin tonë që pritet të vijë në jetë,” – u shpreh Frimpong.

Me këtë fitore, “Kërcënimi” nga Irlanda jo vetëm që shtoi një sukses të madh në karrierën e tij, por fitoi edhe simpatinë e publikut për përkushtimin dhe ndjeshmërinë që tregoi jashtë ringut./Versus.al

 

Poll