POLITIKË /

Zgjedhjet e 11 Majit: 'Luftë' për mandate brenda dy partive të mëdha – përballje të forta mes emrave të njohur

Me listat e hapura si formulë, qytetarët patën mundësinë të përzgjedhin konkretisht emrat që dëshirojnë në Kuvend, duke nxitur kështu një konkurrencë të fortë për çdo mandat.

Shkruar nga Versus

Zgjedhjet e 11 Majit: 'Luftë' për mandate brenda dy partive

Zgjedhjet e 11 Majit, përveç fitores së qartë të Partisë Socialiste në rang kombëtar, sollën edhe një garë të brendshme të ashpër mes vetë kandidatëve brenda partive kryesore politike – si në kampin e majtë, ashtu edhe në atë të djathtë.

Me listat e hapura si formulë, qytetarët patën mundësinë të përzgjedhin konkretisht emrat që dëshirojnë në Kuvend, duke nxitur kështu një konkurrencë të fortë për çdo mandat.

Në radhët e Partisë Demokratike, një nga përballjet më të spikatura ishte ajo mes Ilir Alimehmetit dhe Jorida Tabakut, të dy figura të njohura dhe të pëlqyera nga votuesit në qarkun e Tiranës.

Alimehmeti, relativisht i ri në politikë, por i mbështetur gjerësisht për qasjen e tij qytetare dhe profesionale, siguroi një numër të lartë votash. Megjithatë, përvoja dhe struktura politike e Tabakut rezultoi vendimtare, duke e bërë atë deputeten e 13-të të Tiranës për PD, me 19,025 vota.

Në kampin socialist, gara u zhvillua kryesisht mes dy emrave të vjetër të PS-së – Olta Xhaçka dhe Blerina Gjylameti.

Të dyja me përvojë të gjatë në politikë dhe angazhim të fortë në strukturat e partisë, ato patën një rivalitet të ngushtë, ku Gjylameti doli lehtësisht përpara me 5,751 vota, ndërsa Xhaçka e ndoqi nga pas me 5,732. Fati i këtij mandati ende pritet të vuloset nga votat e diasporës, që mund të ndryshojnë balancën.

Një tjetër garë e fortë u zhvillua mes socialistëve Xhemal Qefalia dhe Ornaldo Rakipi, ku përplasjet shkuan deri në tensione fizike.

Në një nga qendrat e numërimit në Kashar, një incident i rëndë ndodhi pasi një vëzhgues i Rakipit goditi sekretarin e KZAZ-së, për shkak të mosmarrëveshjeve rreth një vote. Në fund, Rakipi doli fitues i kësaj përballjeje me 9,552 vota, kundrejt 9,423 që mori Qefalia.

Zgjedhjet e këtij viti konfirmuan jo vetëm polarizimin politik mes partive, por edhe etjen për përfaqësim të drejtpërdrejtë, ku çdo votë ka peshën e saj në formësimin e Parlamentit të ardhshëm./Versus.al

Poll