BOTA /

(VIDEO) Skandal në Poloni: Eurodeputeti Grzegorz Braun sfidon ligjin me “arrestim” të paligjshëm të mjekes që kreu abort

Gizela Jagielska, mjekja në fjalë, deklaroi për POLITICO se rreth 30 burra të udhëhequr nga Braun hynë pa leje në ambientet e spitalit dhe e rrethuan, duke e penguar të largohej.

Shkruar nga Versus

(VIDEO) Skandal në Poloni: Eurodeputeti Grzegorz Braun sfidon ligjin me

Një incident tronditës ka ndodhur në një spital në qytetin Oleśnica të Polonisë, ku ligjvënësi i ekstremit të djathtë dhe kandidati presidencial Grzegorz Braun, në shoqërinë e një grupi burrash, ndërhyri dhunshëm duke kërcënuar një mjeke me “arrestim qytetar” pas një procedure aborti të kryer në përputhje me ligjin polak.

Gizela Jagielska, mjekja në fjalë, deklaroi për POLITICO se rreth 30 burra të udhëhequr nga Braun hynë pa leje në ambientet e spitalit dhe e rrethuan, duke e penguar të largohej. Ajo rrëfeu se Braun e fyeu publikisht, duke e quajtur “vrasëse seriale”, madje e shtyu kur ajo tentoi të largohej nga zyra.

Në një video të shpërndarë nga vetë Braun në rrjete sociale, ai pretendon se ndodhej në spital për të “arrestuar” Jagielskën, për një abort të kryer ndaj një fetusi me displazi të rrallë skeletore që përbënte rrezik për jetën e nënës – një nga të paktat raste kur aborti lejohet nga ligji polak.

Ngjarja ka shkaktuar reagime të ashpra nga autoritetet polake. Ministri i Drejtësisë, Adam Bodnar, e cilësoi veprimin si “tejkalim të çdo kufiri etik dhe ndoshta edhe ligjor”, ndërsa kërkoi një reagim të shpejtë nga prokuroria. Ministrja për Barazinë, Katarzyna Kotula, e përshkroi ngjarjen si “akte terrori kundër pacientëve dhe stafit spitalor”.

Policia ka konfirmuar se u thirr në vendngjarje për të përballuar një grup të paautorizuar personash që “prishën qetësinë publike” brenda spitalit. Zyra e Prokurorit Rajonal në Wrocław ka nisur një hetim zyrtar mbi incidentin.

Grzegorz Braun, eurodeputet i pavarur dhe figurë e njohur për qëndrimet ekstremiste, nuk është i panjohur për veprime të skajshme. Ai ka ndërprerë një minutë heshtje për viktimat e Holokaustit në Parlamentin Europian, ka shkatërruar një menorah të ndezur për Hanukkah dhe ka rrëzuar një pemë Krishtlindjesh të zbukuruar me flamuj të BE-së dhe Ukrainës.

Ngjarja ka rikthyer në qendër të debatit situatën kritike të të drejtave riprodhuese në Poloni. Edhe pse qeveria e re e kryeministrit Donald Tusk është përpjekur të zbusë kufizimet ekstreme mbi abortin të vendosura nga qeveria e mëparshme konservatore, incidenti tregon se kundërshtimi nga e djathta radikale mbetet i fortë dhe shpesh agresiv. /Versus.al/

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: