SHBA- Shtëpia e një gjyqtareje të gjykatës së Karolinës së Jugut e cila së fundmi kishte marrë një vendim kundër presidentit, Donald Trump u shkrumbua nga flakët më 4 tetor.
Gjyqtarja, Diane Goodstein ishte duke shëtitur qentë e saj në kohën kur banesa e saj në Edisto Beach shpërtheu në flakë. Për pasojë familjarë të saj pësuan lëndime serioze, mes të cilëve edhe bashkëshorti, veteran i Vietnamit dhe ish-senator demokrat, Arnold Goodstein.
Ky i fundit thuhet se u hodh nga ballkoni për t’u shpëtuar flakëve që u përhapën me shpejtësi në gjithë ndërtesën. Tre persona përfunduan në spital. Ende nuk ka një përfundim nëse zjarri ka qenë aksidental apo i qëllimshëm.
69 vjeçarja kishte marrë kërcënime me vdekje gjatë javëve të fundit duke shtuar dyshimet se kjo ngjarje kundrejt saj mund të ketë qenë e qëllimshme.
Muajin e kaluar, Goodstein vendosi të bllokojë përkohësisht komisionin zgjedhor të Karolinës së Jugut nga lëshimi i dosjeve të votuesve në Departamentin e Drejtësisë, si pjesë e urdhrit ekzekutiv të marsit të Trump që synonte parandalimin e regjistrimit të emigrantëve për të votuar.
Në vendimin e saj, Goodstein tha se dorëzimi i të dhënave administratës Trump mund të shkaktojë "dëm të menjëhershëm dhe të pariparueshëm" për të drejtën e votuesve për privatësi. Vendimi i saj u rrëzua më vonë nga Gjykata Supreme e shtetit të Karolinës së Jugut dhe u kritikua publikisht nga Guvernatori republikan i shtetit Henry McMaster dhe zyrtari i Departamentit të Drejtësisë Harmeet Dhillon. Versus.al







