
Administrata e presidentit Donald Trump duket se po vazhdon procesin e publikimit periodik të dosjeve të deklasifikuara mbi UFO-t, ose siç quhen tashmë zyrtarisht në SHBA, UAP – “Fenomenet Anomale të Paidentifikuara”.
Pas publikimit të parë dy javë më parë, autoritetet amerikane kanë nxjerrë një tjetër seri dokumentesh, e cila përfshin rreth 160 dosje dhe materiale të lidhura me raste të pazakonta ajrore. Fillimisht u raportua për 162 dokumente, por më pas numri u korrigjua në 158 për shkak të materialeve të përsëritura.
Mes materialeve të publikuara ndodhet edhe një video e regjistruar në prill 2024 nga një sensor infra të kuq i përdorur nga United States Coast Guard. Pamjet tregojnë një objekt fluturues pranë një avioni mbi juglindjen e Shteteve të Bashkuara.
Një tjetër video, e titulluar “Përshpejtim i menjëhershëm i një UAP sirian”, është regjistruar në vitin 2021 nga një platformë ushtarake amerikane me sensor infra të kuq dhe më pas është ngarkuar në një rrjet të klasifikuar në vitin 2024, sipas deklarimeve të Pentagonit.
Megjithatë, pas hetimeve të shumta, All-domain Anomaly Resolution Office (AARO), e cila raporton te sekretari amerikan i Mbrojtjes, deklaron se nuk ka gjetur asnjë provë që këto incidente të kenë origjinë jashtëtokësore.
Pavarësisht kësaj, zyrtarët ushtarakë amerikanë pranojnë se një pjesë e rasteve mbeten ende “të pazgjidhura” dhe pa shpjegim të qartë.
Interesi publik për UFO-t është rritur ndjeshëm vitet e fundit, sidomos pas publikimit të videove ushtarake që tregojnë objekte me lëvizje të pazakonta në hapësirën ajrore amerikane. Versus.al

