
Kosovë- Prokuroria e Ferizajt ka kërkuar masën e arrestit me burg për një 17 vjeçar që dyshohet si autor i vrasjes së oficerit Muhamed Lika.
Ngjarja e rëndë e ndodhur mbrëmjen e 1 prillit tronditi opinionin publik, ndërsa dyshohet se adoleshenti ka bashkëpunuar me 6 persona të tjerë të cilët kishin bërë përgatitje të mëparshme për krimin e rëndë.
Pasi oficeri po kthehej nga puna mbrëmjen e vonë, adoleshenti ka shkuar nga pas tij dhe sapo e ka takuar, e ka qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, njofton opinionin publik se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi të mitur, për shkak të dyshimit të veprës penale Vrasja e rëndë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 01.04.2025, reth ores 23:00, në Kaçanik, në rrugën “Idriz Seferi”, përkatësisht në katin e II-të të hyrjes së ndërtesës, i mituri ne bashkëkryerje me madhorët me iniciale: H.B., R.M., V. ç., E.L., Sh.K., dhe D.G., me dashje dhe përgatitje paraprake ka privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, M.L., në atë mënyrë që viktima pas përfundimit të orarit të punës, rrugës për në banesen e tij, ku i njëjti ishte përcjellur në vazhdimesi nga madhorët deri te hyrja e banesës se tij ku, pasi që hynë në objektin e banesës ku ka jetuar duke u ngjitur shkallëve, i mituri i shkon nga mbrapa dhe pasi që viktima hynë në objektin banesor pas tij hyn edhe i mituri, ku me të takuar të ndjerin ka shtënë në drejtim të tij me armë zjarri.
Viktima M.L., dërgohet në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Kaçanik dhe nga ekipet mjekësore është konstatuar vdekja e tij, e cila ka ardhur si pasojë e plagëve të marra nga predhat e armës së zjarrit, andaj, me këto veprime në bashkëkryerje do të kryenin veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, thuhet në kërkesën e prokurorisë. Versus.al








