Krahas emigracionit të larta, vendi po shënon më shumë vdekje sesa lindje, duke përkeqësuar dhe më tej tendencën demografike.
Plakja graduale e popullsisë dhe emigracioni i lartë i të rinjve po bëjnë që lindjet të jenë gjithnjë e më të pakta, sidomos në zonat ku ka pasur valë të forta emigracioni, si në Veri të vendit.
INSTAT bëri të ditur se në tremujorin e parë të vitit 2025, lindjet shënuan rënie me 14,1%, ndërsa vdekjet me 5,8%, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2024. Shtesa natyrore në tremujorin e parë të vitit 2025 ishte negative: -883 persona. Sipas INSTAT, të dhënat për Tr I – 2025 janë objekt rishikimi.
INSTAT raportoi se Të gjitha qarqet regjistruan rënie, krahasuar me T1/2024. Rënia më e vogël ishte në Berat (−4,0%). Rënia më e madhe ishte në Kukës me −22,9%, një tregues direkt i pasojave të emigracionit që në vitet e fundit është thelluar në veri të vendit.
Qarku me më shumë lindje ishte Tirana (1.750) dhe Qarku me më pak lindje ishte Gjirokastra (76).
Shtesa natyrore në 2024 ishte minimale
Në vitin 2024, shtesa natyrore e popullsisë rezultoi pozitive me +1.208 lindje më shumë se vdekje, por në rënie krahasuar me vitin 2023. Gjatë vitit 2024 lindën 23.310 foshnje dhe u regjistruan 22.102 vdekje
Shtesa natyrore e popullsisë ka rënë në mënyrë drastike gjatë dekadës së fundit, duke u konveruar në negative gjatë periudhës së pandemisë.
Ndërsa vdekjet janë ngadalësuar pas pandemisë, lindjet kanë vijuar të ulen. Në vitin 2024 ato ishin më të ulëtat historike, që nga Lufta e dytë botërore kur raportohen të dhënat. për krahasim në vitin 1990, shtesa natyrore e popullsisë ishte 64 mijë persona, ndërsa në 2024 është vetëm 1.2 mijë.
Rënia e lindjeve po sjell pasoja negative në ekonomi, të cilat kanë filluar të ndihen, që nga mos gjetja e forcës së punës, ngadalësimi i konsumit e deri te skema e pensioneve. Monitor.al

Kredia për shtëpi u rrit me 23% për tremujorin e parë të vitit


Një parkim sa një shtëpi, biznesi “i artë” në Tiranë




