Ministri i Financave, Petrit Malaj ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2025. Në konferencën e kryetarëve të grupeve parlamentare të Kuvendit, Malaj tha se për vitin e ardhshëm synohet ulja e borxhit publik.
Duke analizuar të dhënat krahasuar me vitet e mëparshme, Malaj tha se papunësia aktualisht është në nivelun më të ulët historik.
“Projektbuxheti i vitit 2025 synon të mbështesë rritjen ekonomike dhe të vijojë konsolidimin fiskal me qëllim final uljen e borxhit publik. Ekonomia jonë ka treguar një qëndrueshmëri të konsiderueshme përballë një sërë goditjesh gjatë viteve të fundit. Rimëkëmbja ekonomike vendase ka tejkaluar shifrat fillestare. Ekonomia qëndron në një trend pozitiv zhvillimi. Në gjysmën e parë të vitit rritja ekonomike u zgjerua me 3.9%. Rritja përgjatë kësaj periudhe është gjeneruar nga kërkesa e brendshme dhe konsumi privat. Në vitin 2023 punësimi u rrit me 1.6% ndërsa shkalla e papunësisë ra në nivelin më të ulët historik në 10.7%. Këto shifra tregojnë se ekonomia jonë po krijon mundësi të reja pune”- u shpreh Malaj.
Sa i takon shpenzimeve që pritet të bëhen, ministri tha se plani është që të ketë 51.4 miliardë lekë më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
“Në krahun e shpenzimeve për vitin 2025 janë planifikuar të shpenzohen 51.4 miliardë lekë më shumë se në buxhetin e vitit 2024. Do ketë investime publike deri në shfirën e 6.1% të prodhimit të brendshëm bruto”- shtoi shefi i financave.
Sipas tij parashikohet që për vitin 2025, të kemi një rritje ekonomke prej 3.9% e ndihmuar nga investimet publike në ekonomi dhe konsumi i brendshëm.
“Kursi i këmbimit tregon një performancë pozitive të ekonomisë. Deficiti u ngushtua në nivelin më të ulët historik në 1.9% falë performancës së sektorit të turimit dhe rritjes së remitancave. Për vitin 2025 buxheti do jetë në përputhje të plotë me objektivat e politikës fiskale duke synuar të ulë deficitin dhe të ruajë një bilanc pozitiv për të ulur borxhin publik, që sipas pritshmërive tona do jetë poshtë nivelit 56% PBB. Parashikojmë rritje 3.9% për vitin 2025. Kjo do gjenerohet nga investimet tona në ekonomi dhe konsumi i brendshëm”- u shpreh mes të tjerash Malaj.
Projektbuxheti pritet të diskutohet mes deputetëve në komisione të ndryshme parlamentare, përpara se të kalojë për votim në Kuvend. Versus.al