EKONOMI & MJEDIS /

Fluksi surprizë i vizitorëve të vjeshtës, 'kompenson' verën

Shkruar nga Versus

Fluksi surprizë i vizitorëve të vjeshtës,

Shtatori dhe tetori i këtij viti kanë regjistruar një numër më të lartë vizitorësh sesa e njëjta periudhë e viteve të mëparshme për rajonin e Ksamilit dhe Sarandës, duke kompensuar situatën komplekse të verës.

Arben Çipa, administrator i “SIPA Tours” dhe pjesë e Shoqatës së Hotelierëve, pohon se numri i turistëve të kësaj periudhe kanë qenë më i lartë se pritshmëria dhe janë kryesisht grupe të organizuara në ture kulturore, por edhe familje apo grupe individualë që kryesisht vijnë nga Europa Perëndimore.

Sipas tij, çmimet preferenciale që ofron kjo periudhë, por edhe shërbimi më cilësor, pasi nuk ka fluks të lartë, kanë lënë një shije më të mirë por nëse Saranda dhe Ksamili e kanë marrë mësimin e kësaj vere, mbetet për t’u parë sezonin e ardhshëm.

Vjeshta e këtij viti është karakterizuar nga një mot mjaft i mirë. Si ka qenë kjo periudhë për Sarandën dhe Ksamilin sa u takon vizitorëve?

Periudha e vjeshtës ka qenë premtuese dhe ndryshe nga gjithë vitet e tjera, me një lëvizje të konsiderueshme në numrin e turistëve. Shtatori nuk ishte si muajt shtator të viteve të mëparshme. Ishte jashtë pritshmërisë për numrin e vizitorëve dhe gjallërinë që ofroi në bregdetin e Sarandës dhe Ksamilit.

Kjo tendencë vijoi edhe në tetor, që ishte jashtë parashikimeve, në aspektin pozitiv. Gradualisht, numri i vizitorëve ka pësuar rënie në nëntor, por sërish qëndron më lart se mesatarja që ka zakonisht në këtë rajon vizitorë.

Numri i turistëve në stinën e vjeshtës është më i lartë se vitet e kaluara dhe ky është një zhvillim pozitiv për ekonominë lokale.

Nga janë kryesisht vizitorët që po vijnë në Sarandë dhe Ksamil në këtë periudhë?

Janë kryesisht nga Europa Perëndimore. Dominojnë spanjollët dhe francezët, me grupe të organizuara kulturore, ndërsa turistët individualë janë nga të gjitha vendet e Europës Perëndimore.

A mendoni se rritja e frekuentimit në vjeshtë kompensoi disi gabimin që u bë në korrik nga strukturat akomoduese, që solli një lloj hezitimi në rezervime?

Po mendoj se ecuria e mirë e vjeshtës kompensoi atë hapin pas që u bë në fillim të verës dhe që hotelet në Sarandë dhe Ksamil tentuan ta rregullonin me rishikimin e çmimeve.

Ka pasur një qasje më të kujdesshme gjatë kësaj periudhe që filloi që në pikun e sezonit në fakt, por u desh kohë që të qartësohej.

A janë rishikuar çmimet e ofruara nga strukturat në këtë periudhë, për t’u përshtatur me faktin që jemi jashtë sezoni?

Çmimet e kësaj periudhe kanë qenë çmime preferenciale të pranueshme për turistët. Sot që flasim, që është nëntor dhe jemi në fund të vjeshtës, nuk ka asnjë debat apo koment negativ mbi këto çmime.

Edhe shërbimi gjatë kësaj periudhe duke qenë se nuk jemi në pik sezoni, ka qenë më i mirë dhe natyrisht, përshtypja apo shija që lë te pushuesit që po na vizitojnë, tani është vetëm e mirë.

A mendoni se Saranda dhe Ksamili e morën mësimin që duhet të merrnin me situatën kaotike që u shkaktua në fillim të kësaj vere për vitin tjetër?

Nga debatet në rang strukturash apo takime që kemi, mendoj se mësimi u mor dhe reflektimi i parë u dha që në sezonin e verës. Por sesa do ta zbatojmë këtë mësim vitin tjetër, kjo mbetet për t’u parë.

Çfarë vizitojnë kryesisht në këtë periudhë turistët në Sarandë apo Ksamil?

Turistët në këtë periudhë në Ksamil dhe Sarandë sigurisht nuk vijnë për plazh. Falë motit të mirë, ajo është pjesë plotësuese e turit, por janë të interesuar kryesisht për aspektin kulturor.

Pra, vizitojnë Lëkurësin, Parkun e Butrintit, apo Gjirokastrën.

Ky rajon është një stacion i një turi disaditor dhe qëndrimet nuk janë të gjata, ama janë mjaftueshëm për ta mbajtur të gjallëruar qytetin dhe bregdetin edhe në këtë stinë. Monitor.al

Poll