EKONOMI & MJEDIS /

Gjeneron fitime të larta, a ia vlen hapja e këtij biznesi në Shqipëri?

Në një zhvillim pozitiv, kompanitë që kishin aktivitet call center po diversifikohen në shërbime më të sofistikuara për klientët e tyre, duke tentuar dhe tregje përtej Italisë.

Shkruar nga Versus

Gjeneron fitime të larta, a ia vlen hapja e këtij biznesi në

Ndonëse me ngadalë dhe të pakta në numër, sipërmarrjet e ashtuquajtura të së ardhmes, ato që veprojnë në aktivitetin e Teknologjisë së Informacionit, kryesisht me shërbime për të tretët, po hyjnë në listën e më të mëdhave sipas fitimeve.

Ky aktivitet gjeneron një normë të lartë fitimi, që arrin deri në 60 e 70%, teksa shfrytëzon më shumë punën mendore.

Në një zhvillim pozitiv, kompanitë që kishin aktivitet call center po diversifikohen në shërbime më të sofistikuara për klientët e tyre, duke tentuar dhe tregje përtej Italisë.

Vitet e fundit, ky treg ishte në maturim, i ndikuar si nga masat që mori qeveria italiane për të ruajtur vendet e punës në Itali, ashtu dhe nga problematika e gjetjes së fuqisë punëtore në vend dhe faktit që brezi i sotëm i të rinjve nuk ka më njohuri aq të mira të gjuhës italiane.

Edhe aktiviteti i teknologjisë së informacionit dhe shërbimeve për të tretët po vuan për mungesën e fuqisë punëtore të kualifikuar.

Administratori i “Ritech Solutions”, një prej shoqërive që po rritet me shpejtësi në këtë fushë, z. Aleksandër Risilia, pohon se përdorimi i lartë i teknologjisë ka rritur kërkesën për punësime të profesionistëve të IT-së. Në Shqipëri, kërkesa për rekrutime është shumë herë më e lartë se oferta e tregut.

Edhe shoqëritë që veprojnë në këtë fushë kanë luhatje të mëdha nga viti në vit, në varësi të kontratave që ata kanë me të tretët.

“SOFT & SOLUTION” ishte një hyrje e re në renditjen e fitimeve për 2022 dhe ka vijuar rritjen e shpejtë edhe në vitin 2023, duke u renditur në operatorin më të madh në fushën e Teknologjisë së Informacionit, sa i përket rezultatit para taksave.

Të ardhurat u rritën me 74% në 1.3 miliardë lekë, ndërsa fitimet u zgjeruan 17.4% në 574 milionë lekë, duke e renditur këtë shoqëri ndër 100 më të mëdhatë në vend në listën e “Monitor 200”.

Norma e fitimit ishte 45%. Sipas faqes së saj të internetit, shoqëria ofron një sërë shërbimesh në fushën e IT në zhvillimin e programeve dhe aplikacioneve të të gjitha kategorive dhe profileve.

“Sisal”, me aktivitet në zhvillimin e aplikacioneve softuerike dhe call center, raportoi të ardhura prej 2.2 miliardë lekësh, me rritje prej 30%. Edhe fitimet u rritën me 66%, në 266 milionë lekë, duke hyrë këtë vit në listën e “Monitor 200”, sipas fitimeve, krahas asaj të të ardhurave.

Norma e fitimit ishte 12%. Sipas raportit vjetor “aktiviteti kryesor i biznesit të shoqërisë është konceptimi, krijimi, zhvillimi dhe zbatimi i aplikacioneve softuerike, sistemet e plota të IT dhe platformat IT nën autoritetin e ‘Sisal S.p.A.’ dhe kompanive të tjera të grupit ‘Sisal’.

Shoqëria ka si aktivitet tjetër ofrimin e shërbimeve kërkimore dhe të projektimit, që lidhen me aktivitetet e mësipërme, si dhe shërbimet në përgjithësi në lidhje me shkencat kompjuterike, telematike dhe robotike, si dhe mirëmbajtjen teknologjike dhe aktivitetet e asistencës që lidhen me softuerin e krijuar në mënyrë direkte ose jodirekte në emër të ‘Sisal S.p.A.’ dhe shoqërive të tjera të grupit ‘Sisal’.

Shoqëria ofron edhe shërbime të tjera jo IT kundrejt shoqërive të grupit ‘Sisal’, si shërbimet e kujdesit ndaj klientit, shërbime kontabiliteti dhe prokurimesh”.

Numri mesatar i punonjësve për vitin 2023 është 677, nga 560 punonjës. Sipas të dhënave të detajuara në bilanc, gati gjysma e të ardhurave është nga zhvillimi i programeve kompjuterike dhe pjesa tjetër, nga veprimtari operacionale. Nga 677 punonjës, 288 janë zhvillues programesh kompjuterike dhe 327 janë operatorë.

“Artificial Intelligence Business Solutions” shënoi rënie në të ardhurat me 15%, në 262 milionë lekë. Edhe fitimet ranë me 28%, në 185 milionë lekë. Por, norma e fitimit u përmirësua, duke arritur në rreth 70%. Kompania ka në fokus dizenjim softuer e zhvillime dhe mirëmbajtje sistemesh softuer.

“RL Services” ishte një hyrje e re në listën e “Monitor 200” në 2022, që ka vijuar dhe në vitin 2023. Kompania ka aktivitet në fushën e programimit dhe telekomunikacionit (indeksimin dhe optimizimin e faqeve në Google Search Engine, menaxhimin e fushatave pay-per-click etj.).

Të ardhurat në vitin 2023 u rritën me 19%, në gati 800 milionë lekë, ndërsa fitimet pothuajse mbetën të pandryshuara në 194 milionë lekë. Norma e fitimit ishte 24%.

Disa shoqëri të tjera po rrisin aktivitetin e tyre sipas të ardhurave, por ende rezultojnë me fitime të ulëta.

“Lufthansa Industry Solutions”, një shoqëri që po rritet me shpejtësi në të ardhura, raportoi qarkullim vjetor prej 1.84 miliardë lekësh në 2023, me rritje 27% me bazë vjetore.

Por, pavarësisht rritjes së të ardhurave, fitimet ishin minimale, në 56 milionë lekë, duke u përgjysmuar në raport me 2022. “Lufthansa Industry Solutions” (LHIND) është një kompani informatike.

Aktiviteti i LHIND bazohet në dy struktura kryesore: Zhvillime aplikacioni dhe Veprimtari mbështetëse, sipas raportit të aktivitetit. Të ardhurat e kompanisë kanë ardhur tërësisht nga shërbimet e zhvillimit të softuerit, sipas të dhënave në bilanc.

“Ritech Solutions” është një tjetër shoqëri që vepron në fushën e teknologjisë së informacionit, që po i rrit me shpejtësi të ardhurat, që arritën në gati 1.5 miliardë lekë në vitin 2023, me zgjerim prej 21.5% me bazë vjetore. Por, fitimet mbeten ende të ulëta në 67 milionë lekë në vitin 2023.

Sipas burimeve zyrtare, kompania u themelua në vitin 2016 dhe është rritur në një ekip prej më shumë se 450 arkitektësh softuerësh, inxhinierë, analistë të të dhënave, matematikanë, ekspertë të mësimit të makinerive, dizajnerë UX, teknologë IoT dhe drejtues teknikë të projekteve, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni e Veriut. Shoqëria ofron shërbimet e inxhinierisë së produkteve.

“Selecta Digital Albania” ishte një tjetër hyrje e re në vitin 2022, por që ka dalë nga lista e fitimeve në 2023, pas përgjysmimit të rezultatit para taksave, në 64 milionë lekë.

Kompania kryen shërbimet e përpunimit të të dhënave, analiza financiare, marketing, promocion etj. Ajo ofron shërbime në 14 gjuhë, mes të cilave italisht, anglisht e gjermanisht.

“Albania Marketing Service” mbetet më e madhja, si për të ardhurat dhe fitimet, nga kompanitë e call center. Sipas të dhënave paraprake nga kompania, të ardhurat në 2023 ishin 6.5 miliardë lekë, nga 7 miliardë lekë vitin e mëparshëm.

Edhe fitimet ranë në 1.2 miliardë lekë, nga 1.7 miliarde lekë vitin e mëparshëm.

Sipas raportit të aktivitetit të vitit 2022, shoqëria vepron nëpërmjet qendrave të telefonisë në Tiranë dhe në Durrës. Më 31 dhjetor 2022, numri i të punësuarve ka rënë në 3,627 punonjës, ose 110 më pak se viti i mëparshëm.

“Fiber Group” ka hyrë sërish në listën e fitimeve, pasi doli në vitin 2022. Në vitin 2023, kompania raportoi rritje të të ardhurave me 46%, në 892 milionë lekë. Edhe fitimet u dyfishuan në 212 milionë lekë.

“Assist” ka vijuar me rritjen dyshifrore të të ardhurave për të tretin vit radhazi. Kompania raportoi të ardhura prej 3.6 miliardë lekësh, me zgjerim gati 20%.

Në të kundërt, fitimet ranë me 8%, në 500 milionë lekë. Norma e kthimit ishte rreth 14%. E krijuar në vitin 2015, “Assist” është degë e shoqërisë italiane “Assist Digital spa”.

Sipas raportit të aktivitetit, “shoqëria ofron shërbime konsulence për klientë të ndryshëm, shërbime call center inbound dhe outbound nëpërmjet telefonisë, nëpërmjet email-eve, shërbime të menaxhimit të rrjeteve sociale dhe shërbime të tjera të ndryshme në fushën e teknologjisë dhe inovacionit, sipas kërkesave të klientit”.

Numri i punonjësve është rritur vazhdimisht, nga 1229 punonjës në vitin 2021 në 1546 punonjës në vitin 2022 dhe 1718 në vitin 2023, sipas të dhënave në raportin vjetor. Monitor.al

Poll