Vlera e gjobave të ekzekutuara nga Autoriteti i Konkurrencës u rrit ndjeshëm vitin e kaluar. Sipas informacionit nga ky institucion, gjatë vitit 2024 u ekzekutuan gjoba totale në vlerën e 125 milionë lekëve, rreth 700% më shumë krahasuar me vitin 2023. Kjo është njëkohësisht vlera më e lartë e gjobave të ekzekutuara nga ky institucion për shtatë vitet e fundit.
Nga viti 2019, deri në vitin 2021 Autoriteti i Konkurrencës nuk arriti të ekzekutonte asnjë gjobë të vetme, për shkak të vonesave në çështjet gjyqësore të hapura nga subjektet e penalizuara ose vështirësive në procesin e ekzekutimit të vendimeve.
Gjithmonë sipas informacionit të Autoritetit të Konkurrencës, vitin e kaluar vlera totale e gjobave të vendosur nga ky institucion ishte rreth 102 milionë lekë, në rritje me 351% krahasuar me vitin 2022. Megjithatë, vlera e vendimeve të ekspektuara nuk shkon paralelisht me vlerën e gjobave të vendosura gjatë vitit. Një pjesë e gjobave të ekzekutuara i takon viteve të mëparshme.
Për vitin e kaluar, gjoba më e rëndësishme e vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës ishte ajo ndaj shoqërisë Antea Cement. Ndërmarrja në fjalë u gjobit me 97 milionë lekë, për abuzim me pozitën dominuese në tregun e prodhimit dhe shitjes me shumicë të çimentos.
Gjoba më të vogla u vendosën ndaj ndërmarrjeve Star Parking Albania, për moszbatimin e detyrimeve të vendosura nga Autoriteti i Konkurrencës, ndaj ndërmarrjes Arlis Administrim, për pengimin e inspektimit të Autoritetit të Konkurrencës, si edhe ndaj ndërmarrjeve AGNA, Gjoka Konstruksion dhe GR Albania, për mosnjoftimin brenda afatit të përqendrimit nëpërmjet shitblerjes së kuotave të shoqërisë Grabova Hydropower.
Gjoba e vendosur nga Autoriteti i Konkurrencës është titull ekzekutiv dhe mblidhet sipas dispozitave të Kodit të Procedurave Civile. Megjithatë subjekti i sanksionuar ka në çdo rast të drejtën t’i drejtohet gjykatës për ta kundërshtuar vendimin në themel ose për kërkuar pezullim të ekzekutimit të tij. Shumë vonesa lidhen pikërisht me zgjatjen e proceseve gjyqësore.
Zvarritja e gjatë ose edhe mosekzekutimi në praktikë i vendimeve ndikon negativisht në efikasitetin e punës së Autoritetit të Konkurrencës, si garant i funksionimit të konkurrencës së ndershme në tregje.
Në pesë vitet e fundit, Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur gjoba totale në vlerën e 376 milionë lekëve. Por, shuma e gjobave të ekzekutuara për të njëjtën periudhë është vetëm 172 milionë lekë ose më pas se 46% e vlerës së gjobave të vendosura./Monitor








