EKONOMI & MJEDIS /

Kujdes nga mashtrimet online, si teknologjia nxit krimet financiare

Shkruar nga Versus

Kujdes nga mashtrimet online, si teknologjia nxit krimet financiare

Ju nuk do të binit kurrë pre e një mashtrimi online, apo jo? Gabim, pohojnë ekspertët e sigurisë kibernetike. Mashtruesit përdorin taktika të provuara ndër vite, të cilat mund të funksionojnë te çdokush, pavarësisht moshës apo inteligjencës. Kriminelët kibernetikë shfrytëzojnë manipulimin psikologjik për t’ju mashtruar dhe për t’ju marrë paratë dhe strategjitë e tyre po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara…

Në qershor të vitit 2024, autoritetet shqiptare dhe italiane zbuluan një skemë mashtrimi që operonte nëpërmjet call center-ave në Tiranë dhe Itali. Kjo skemë synonte kryesisht shtetas italianë, duke i mashtruar ata për të nënshkruar kontrata të reja për furnizimin me energji elektrike dhe gaz.

Mashtruesit përdornin teknologjinë e Inteligjencës Artificiale për të imituar zërat e viktimave, duke regjistruar përgjigje pozitive “po” dhe më pas duke i përdorur këto regjistrime për të falsifikuar pranimin e kontratave të reja.

Në vetëm tre muaj, mbi 1,000 italianë u mashtruan duke shkaktuar një dëm financiar prej rreth 9 milionë eurosh. SPAK kreu kontrolle në tre call center-a në Tiranë, të përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm. Ky është vetëm një nga rastet e shumta të ndodhura vitet e fundit në vendin tonë.

Mashtrimet online po kthehen në një fenomen shqetësues në Shqipëri, duke ndikuar si qytetarët e thjeshtë, ashtu edhe bizneset. Në një kohë kur dixhitalizimi është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, rreziqet në hapësirën kibernetike po shtohen me shpejtësi.

Përdorimi i internetit për blerje, komunikim dhe investime ka sjellë përfitime të mëdha, por njëkohësisht ka hapur dyer për mashtrues, të cilët shfrytëzojnë mungesën e informacionit dhe sigurisë për të manipuluar viktimat e tyre.

Rritja e përdorimit të rrjeteve sociale, transaksioneve online dhe platformave dixhitale ka krijuar një terren të volitshëm për skema të ndryshme mashtruese, duke përfshirë skemat e investimeve të rreme, vjedhjen e të dhënave personale dhe sulmet kibernetike që synojnë individët dhe bizneset.

Mashtrimet dixhitale nuk janë më një problem sporadik, por një fenomen në rritje që po prek një numër gjithnjë e më të madh njerëzish.

Sipas raportimeve të Policisë së Shtetit dhe Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), numri i rasteve të mashtrimeve dixhitale ka shënuar një rritje të ndjeshme gjatë viteve të fundit. Kjo tregon se, pavarësisht përpjekjeve për rritjen e ndërgjegjësimit dhe masave mbrojtëse, sfidat për sigurinë kibernetike mbeten të mëdha.

Ky trend ka sjellë humbje financiare të konsiderueshme, përveç pasojave psikologjike dhe ligjore për viktimat. Mashtrimet variojnë nga skemat klasike të “phishing” deri te sulmet më komplekse si “ransomware” dhe skemat e investimeve fiktive.

Format më të zakonshme të mashtrimeve online

Të pyetur nga “Monitor”, Policia e Shtetit nuk dha detaje mbi rastet e ndodhura vitet e fundit në Shqipëri, veçse ofroi shifrat më të fundit të totalit të mashtrimeve online. Për periudhën janar-shtator 2024, ishin në total 146 raste.

“Gjatë periudhës janar-shtator 2024, janë evidentuar 146 raste të veprave penale në fushën e mashtrimeve kompjuterike. Të dëmtuarit prej tyre rezultojnë të grupmoshës 35-70 vjeç. Nga hetimet ka rezultuar se autorët e këtyre rasteve kanë vepruar kryesisht nga vende jashtë Shqipërisë”, – bën të ditur Policia e Shtetit.

Sipas të dhënave të marra në terren, format e mashtrimeve, mund të jenë:

-Mashtrimet me “phishing” dhe vjedhja e të dhënave

Mashtruesit dërgojnë email-e ose mesazhe në emër të institucioneve financiare, kompanive të njohura apo madje edhe organeve shtetërore. Qytetarët orientohen të klikojnë në linke të rreme, ku iu kërkohet të fusin të dhënat personale dhe bankare, të cilat më pas përdoren për qëllime mashtruese.

Platforma të rreme reklamojnë produkte cilësore me çmime të ulëta, por pasi klientët kryejnë pagesat, produktet nuk dërgohen kurrë. Rrjetet sociale janë bërë një nga mjetet kryesore që mashtruesit përdorin për këto skema.

-Investimet fiktive dhe skemat “Ponzi”

Reklama që premtojnë fitime të larta në kriptovaluta, bursë apo startup-e të dyshimta janë në rritje. Shumë qytetarë bien pre e premtimeve për kthime të larta financiare dhe humbasin shuma të konsiderueshme.

-Mashtrimet me shërbime financiare dhe kredi

Disa individë dhe faqe interneti ofrojnë kredi të shpejta me interesa minimale, por pasi qytetarët paguajnë “tarifat administrative”, mashtruesit zhduken.

-Sulmet me “malware” dhe “ransomware”

Bizneset dhe institucionet janë shpesh në shënjestër të sulmeve me viruse që enkriptojnë të dhënat e tyre. Pasi sistemi bllokohet, mashtruesit kërkojnë pagesa në kriptovaluta për të rikthyer aksesin.

Si mund të mbrohen qytetarët dhe bizneset?

-Verifikoni faqet online para se të kryeni pagesa. Përdorni vetëm dyqane dhe platforma të besuara.

-Mos ndani të dhëna personale dhe bankare. Bankat nuk kërkojnë kurrë informacion konfidencial përmes email-it apo mesazheve.

-Përdorni fjalëkalime të forta dhe aktivizoni verifikimin me dy faktorë.

-Ruani vëmendjen ndaj skemave që premtojnë fitime të larta.

-Raportoni rastet e dyshimta tek institucionet kompetente.

Nevoja për masa më të forta

Duke parë rritjen alarmante të mashtrimeve online, është e nevojshme që institucionet të forcojnë rregulloret dhe bashkëpunimin me sektorin privat për të rritur sigurinë kibernetike. Njëkohësisht, qytetarët dhe bizneset duhet të jenë më të kujdesshëm dhe të informuar mbi rreziqet dixhitale.

Vetëdija dhe edukimi për sigurinë online janë kyçe për të shmangur humbjet dhe manipulimet e mundshme.

Mashtrimet dixhitale nuk janë vetëm një problem teknologjik, por edhe një sfidë që kërkon përballje të gjerë sociale dhe institucionale. Vetëm me masa të koordinuara dhe një strategji afatgjatë mund të minimizohen rreziqet dhe të sigurohet një mjedis më i sigurt dixhital për të gjithë qytetarët dhe bizneset shqiptare.

A janë mashtrimet me kriptovaluta më të vështira për t’u gjurmuar dhe për t’u ndëshkuar krahasuar me mashtrimet tradicionale financiare?

Denisa Kele, eksperte kriptovalutave, thotë se shumë kriptovaluta, si Bitcoin, funksionojnë në një blockchain publik, ku të gjitha transaksionet regjistrohen në mënyrë të palëvizshme.

Megjithatë, identitetet e përdoruesve mbeten zakonisht të lidhura me adresa kriptografike, jo me identitetin e tyre të vërtetë.

Sipas saj, kjo metodë me “pseudonime” e bën më të vështirë lidhjen e transaksioneve me individët specifikë, edhe pse përdorimi i teknologjive për analizë të blockchain mund të ndihmojë në gjurmimin e disa aktiviteteve të paligjshme.

“Në mjediset tradicionale financiare, bankat dhe institucionet e tjera të rregulluara veprojnë brenda një kornize ligjore të fortë që mundëson ndjekjen dhe ndëshkimin e mashtrimeve. Në kontrast, kriptovalutat operojnë në një rrjet decentralizuar, ku nuk ka një autoritet qendror që mbikëqyr të gjitha transaksionet.

Kjo e bën ndëshkimin më të vështirë, pasi nuk ekziston një autoritet qendror që të marrë përgjegjësi për gabimet apo abuzimet”, – thotë znj. Kele.

Sipas saj, në Shqipëri, si në shumë vende të tjera, po hasen disa skema mashtruese specifike në fushën e kriptovalutave: si skemat “Ponzi”, platforma dhe faqe të rreme tregtimi të cilat duket se ofrojnë mundësi të tregtimit me kriptovaluta, por që në realitet janë krijuar për të vjedhur fondet e përdoruesve; si dhe ofertat Fillestare të Monedhave (ICO) të rreme, ku mashtruesit promovojnë projekte “inovative” që premtojnë kthime të mëdha investimi, por pas mbledhjes së fondeve, ata zhduken me paratë e investuara.

Sipas ekspertes, për të mbrojtur veten, investitorët duhet të kenë parasysh disa masa praktike: si edukimi mbi tregun e kriptomonedhave, verifikimi i platformave, si dhe konsultimi me profesionistë.

“Përpara se të investoni, kontrolloni nëse platforma është e regjistruar dhe e rregulluar nga autoritetet kompetente. Kërkoni komente dhe vlerësime nga përdorues të tjerë dhe ekspertë të industrisë. Gjithashtu, konsultohuni me ekspertë financiarë dhe ligjorë para se të ndërmerrni investime të konsiderueshme.

Kjo ju ndihmon të merrni këshilla të personalizuara dhe të informuara”, – thotë znj. Kele, duke shtuar se, mungesa e një kuadri të qartë ligjor për kriptovalutat është një nga arsyet kryesore pse mashtrimet po rriten.

Ekspertja shpjegon për “Monitor” një “hile” se si të kuptohen skemat mashtruese me kriptomonedhat. “Nëse një ofertë duket shumë e mirë për të qenë e vërtetë, është një shenjë paralajmëruese. Kthimet e larta dhe të shpejta shpesh janë shenja të mashtrimeve, ndaj duhet bërë kujdes i vazhdueshëm”, – përfundon znj. Kele. Monitor.al

Poll