EKONOMI & MJEDIS /

Pesë drejtimet ku mund të goditet ekonomia shqiptare nga përshkallëzimi i konfliktit Izrael-Iran-SHBA

Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po sjell jo vetëm tensione gjeopolitike, por edhe pasoja ekonomike që po ndihen në mbarë botën. Shqipëria, si një ekonomi e vogël dhe e varur nga importet, është veçanërisht e ndjeshme ndaj lëkundjeve të tregjeve ndërkombëtare.

Shkruar nga Versus

 

Pesë drejtimet ku mund të goditet ekonomia shqiptare nga

Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit po sjell jo vetëm tensione gjeopolitike, por edhe pasoja ekonomike që po ndihen në mbarë botën. Shqipëria, si një ekonomi e vogël dhe e varur nga importet, është veçanërisht e ndjeshme ndaj lëkundjeve të tregjeve ndërkombëtare.

Rritet çmimi i naftës

Tregjet globale kanë reaguar me shpejtësi ndaj zhvillimeve ushtarake, duke rritur menjëherë çmimin e naftës me 10 deri në 13 për qind. Kjo pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në Shqipëri, ku rritja e çmimit të karburantit do të rëndojë më tej mbi kostot e transportit, mallrave dhe shërbimeve.

 Rrezik për energjinë elektrike

Shqipëria po përballet aktualisht me temperatura të larta dhe mungesë reshjesh, çka e ka detyruar të rrisë ndjeshëm importin e energjisë elektrike. Nëse kriza në Lindjen e Mesme thellohet, pritet që edhe çmimet ndërkombëtare të energjisë të rriten, duke e bërë barrën financiare për shtetin dhe konsumatorët edhe më të rëndë.

 Turizmi nën hijen e pasigurisë

Një tjetër sektor që mund të goditet është turizmi. Me një pjesë të mirë të pushuesve që vijnë përmes operatorëve ndërkombëtarë, çdo pasiguri rajonale rrezikon të sjellë anulim kontratash dhe reduktim rezervimesh. Kjo do të ishte një goditje e ndjeshme për një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë shqiptare.

 Goditje për importet dhe industrinë përpunuese

Shqipëria varet në masë të madhe nga importet për mallra ushqimore, drithëra, lëndë djegëse dhe materiale për industri. Një krizë më e thellë do të rriste kostot e furnizimeve dhe mund të shkaktojë vonesa në zinxhirët e furnizimit, duke prekur prodhimin dhe eksportet.

Paralajmërimi i Bankës Botërore

Në raportin e fundit të perspektivës globale, Banka Botërore paralajmëron se përshkallëzimi i krizave si ajo në Ukrainë dhe tani në Lindjen e Mesme, mund të çojë në një “valë të re tronditëse globale”, duke shkaktuar një krizë çmimesh që do të prekë veçanërisht vendet me ekonomi të brishtë dhe të varur nga importet – si Shqipëria.

Në vend që të jetë vetëm një konflikt i largët, lufta mes Izraelit dhe Iranit mund të ketë pasoja shumë reale dhe të menjëhershme për çdo qytetar shqiptar, përmes faturave më të larta, ushqimeve më të shtrenjta dhe një klime ekonomike më të pasigurt. /Versus.al

Tags:

lufta ekonomi

Poll