EKONOMI & MJEDIS /

Puse të reja për ujësjellësin e Vorës, lidhet kontrata 8.9 mln euro

Shkruar nga Versus

Puse të reja për ujësjellësin e Vorës, lidhet kontrata

Agjencia Kombëtare e Ujësjellës-Kanalizimeve njoftoi së fundmi se tashmë është lidhur kontrata që ka në objekt të saj optimizimin e Ujësjellësit të Qytetit të Vorës dhe rrethinat e saj me një vlerë 890 milionë lekë apo 8.9 milionë euro. Kompania zbatuese e projektit do të jetë ALKO Impex Construction.

Bashkia Vorë ka në përbërje të saj vetë qytetin e Vorës dhe fshatrat Gjokaj, Mucaj, Sharkë, Marqinet, Gërdec, Marikaj, dhe, Kuç të cilët do të ndikohen nga ky projekt. Në dokumente sqarohet se ka lindur nevoja për shpimin e dy puseve të reja teksa ata ekzistues janë dëmtuar më herët.

“Me ndërtimin e autostradës Thumanë – Kashar ku aksi i autostradës ka dëmtuar rëndë dy puse që aktualisht kanë qenë në shfrytëzim, doli detyrë emergjente që dy puset të spostohen por njëkohësisht i gjithë projekti i furnizimit me ujë të rishikohej. Nga punimet e bëra për ndërtimin e këmbës së urës me pilota shumë të thella, njëri nga puset është dëmtuar, duke përkeqësuar parametrat sasiorë e cilësorë të ujit të pusit. Aktualisht, nga ujësjellësi deri më sot janë përdorur për furnizimin me ujë 3 puse të cilët kanë prurje nga 22 – 50 l/sek”, thuhet në dokument.

I njëjti nënvizon se pusi 1 i shfrytëzimit duhet të projektohet i ri pasi tek ky pus ka rënë gjurma e rrugës, dhe janë pezulluar punimet për vazhdimin e saj deri sa të zhvendoset stacioni (pusi 1). Po kështu pusi 2 është dëmtuar kolona e pusit nga punimet për pilotat. Aktualisht është në shfrytëzim por pusit i janë prishur parametrat cilësorë edhe sasiorë të ujit. Në gjendje pune është vetëm pusi 3 i cili është në shfrytëzim.

“Për zgjidhjen e situatës emergjente në të cilën ndodhet Bashkia Vorë, për furnizimin me ujë të popullsisë, kërkohet projektimi i ujësjellësit të ri, duke hapur 6 puse, ku dy prej tyre do të jenë rezervë. Nga të gjithë puset që projektohen të shfrytëzohen parashikohet të merret sasia prej 100 – 130 l/sek (periudhë verë – dimër). Këto te dhëna janë marre nga studimi hidrogjeologjik ne bazë të të cilit ka vijuar puna me modelimin e rrjetit” thuhet në relacionin teknik.

Sipas dokumenteve zona e furnizimit me ujë të Bashkisë Vorë bashkë me Njësitë Administrative Prezë e Bërxullë administrohet nga Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizime Vorë Sh.a në varësi të Bashkisë Vorë.

Ujësjellësi i Vorës është i përbërë nga sistemi i furnizimit me ujë të pijshëm me dy ngritje mekanike dhe vetëm furnizimi i Domjes dhe një pjesë e komunitetit dhe bizneseve Vorë dhe Prezë bëhet me të tretë. Uji i pijshëm për furnizimin e Domjes blihet nga UK Tiranë, ndërsa një pjesë e komunitetit dhe bizneseve Vorë dhe Prezë blihet nga UK Durrës./ Monitor.al

Poll