EKONOMI & MJEDIS /

Qeveria kontrakton auditues të jashtëm për të hetuar vjedhjen e fondeve të BE-së për bujqësinë

Fusha e auditimit do të përfshijë një rishikim dhe hetim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të granteve në kuadër të katër thirrjeve për aplikime të programit IPARD II, përveç 54 marrëveshjeve të granteve të audituara më parë nga OLAF për të vlerësuar përputhshmërinë me kuadrin rregullator të BE-së dhe kombëtar në lidhje me marrëveshjet e granteve.

Shkruar nga Versus
Qeveria kontrakton auditues të jashtëm për të hetuar

Ministria e Financave shpalli një tender me vlerë 370 mijë euro për kontraktimin e një audituesi të jashtëm, i cili do të hetojë grantet e dhëna nga AZHBR në kuadër të programit IPARD. Përveç evidentimit të korrupsionit, audituesi do të duhet të identifikojë risqet ndaj të cilave janë ekspozuar fondet e Bashkimit Europian si dhe si dhe të ofrojë siguri të arsyeshme se sistemi është përmirësuar.

“Objektivi kryesor i këtij auditimi do të jetë identifikimi i risqeve ndaj të cilave mund të jenë ekspozuar fondet e BE-së për 4 thirrjet e Proramit IPARD II, në kontekstin e përzgjedhjes së projekteve në lidhje me gjetjet e Raportit të OLAF; si dhe të ofrojë siguri të arsyeshme se përmirësimet e bëra në sistemet e menaxhimit të kontrollit të brendshëm parandalojnë shfaqjen e këtyre parregullsive në të ardhmen,” thuhet në dokumentat e tenderit.

Fusha e auditimit do të përfshijë një rishikim dhe hetim të plotë të të gjitha marrëveshjeve të granteve në kuadër të katër thirrjeve për aplikime të programit IPARD II, përveç 54 marrëveshjeve të granteve të audituara më parë nga OLAF për të vlerësuar përputhshmërinë me kuadrin rregullator të BE-së dhe kombëtar në lidhje me marrëveshjet e granteve. Puna do të kryhet përmes auditimit dhe hetimit të një mostre (kampioni) të bazuar në risk të praktikave të granteve për të identifikuar parregullsitë e mundshme dhe për të siguruar mbulimin e plotë të fushës së auditimit.

Fondet që Bashkimi Europian jep për bujqësinë shqiptare përmes programit IPARD u shndërruan në një nga skandalet më të mëdha në vend për shkak të korrupsionit. Gjatë zbatimit të Programit IPARD II, në Shkurt 2021, Zyra Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF) kreu një hetim në Agjencinë IPARD, duke marrë 54 dosje nga thirrjet 1 dhe 2.

Pas përfundimit të hetimeve, në Korrik 2023, Komisioni Evropian njoftoi autoritetet shqiptare se për shkak të informacionit paraprak të marrë nga OLAF, Komisioni do të ndërpresë përkohësisht rimbursimin e pagesave për Shqipërinë deri në marrjen e masave korrigjuese. Në raport, janë identifikuar disa gjetje me parregullsi serioze, mashtrime, konflikt interesi në disa projekte të financuara nga Programi IPARD II, si dhe mos arritja e AZHBR-së për të identifikuar sinjalet e parregullsive, dhe parandalimin tyre.

Shqipëria u akreditua nga Komisioni Evropian për zbatimin e Programit IPARD II me firmosjen e Marrëveshjes së Financimit në Maj të vitit 2018, me një buxhet prej 94.3 milion Euro, prej të cilave 71 milion Euro ishte kontributi i BE dhe 23.3 milion Euro kontributi kombëtar.

Agjencia IPARD gjatë zbatimit të programit hapi 4 thirrje për aplikime për tre (3) masa investimi: 1, 3 dhe 7. Progresi i zbatimit për secilën thirrje deri më tani është si më poshtë:
• Thirrja e parë: janë nënshkruar 126 kontrata me një buxhet prej 16.85 mln EURO (kontribut i BE), nga të cilat 123 projeke janë zbatuar dhe pagesa është disbursuar.
• Thirrja e dytë: janë nënshkruar 173 kontrata me një buxhet prej 21.24 mln EURO (kontribut i BE), nga të cilat 161 projeke janë zbatuar dhe pagesa është disbursuar.
• Thirrja e tretë: janë nënshkruar 145 kontrata me një buxhet prej 18.62 mln EURO (kontribut i BE), nga të cilat 119 projeke janë zbatuar dhe pagesa është disbursuar.
• Thirrja e katërt: janë nënshkruar 36 kontrata me një buxhet prej 4.85 mln EURO (kontribut i BE), nga të cilat 12 projekte janë zbatuar.

Por pas shpërthimit të skandalit, programi u pezullua. Qeveria shqiptare po përpiqet të bindë Bashkimin Europian që të zhbllokojë lëvrimin e fondeve, por Brukseli kërkon garanci që paratë nuk do të vidhen sërish, ashtu siç u konstatua nga hetimi i OLAF.

Në vijim të komunikimeve me shërbimet e Komisionit Evropian , përpara se Drejtoria e Përgjithshme për Bujqësinë dhe Zhvillimit Rural (DG AGRI) të marrë një vendim përfundimtar për korrigjimin financiar të Programit, autoritetet shqiptare janë të ftuara të përcaktojnë ekspozimin e riskut e të të gjitha pagesave të bëra nga IPARD II, si dhe të vlerësojnë për të katër thirrjet e aplikimeve nëse gjetjet/problemet e identifikuara nga OLAF kanë ndodhur edhe në raste të tjera.

Për këtë qëllim, qeveria është detyruar të kontraktojë audituesin e jashtëm, i cili do të ekspozojë të gjitha parregullsitë me fondet e shpërndara deri më tani dhe do të certifikojë për llogari të BE-së nëse AZHBR ka korrigjuar ose jo defektet që bënë të mundura këto abuzime. Kapitali

Poll