EKONOMI & MJEDIS /

Studimi, shqiptarët të vetmit që vënë rritjen ekonomike mbi mbrojtjen e mjedisit

Shqiptarët ishin të vetmit nga pesë vende të marra në analizë në një program studimi që vlerësuan se rritja ekonomike ka rëndësi më të madhe se mbrojtja e mjedisit.

Shkruar nga B.SH

Studimi, shqiptarët të vetmit që vënë rritjen ekonomike

Shqiptarët ishin të vetmit nga pesë vende të marra në analizë në një program studimi që vlerësuan se rritja ekonomike ka rëndësi më të madhe se mbrojtja e mjedisit.

Programi kërkimor, i bërë publik nga Banka Botërore, analizon vende si Shqipëria, Armenia, Gjeorgjia, Republika e Kirgistanit, Taxhikistani, duke u ndalur te konteksti kombëtar i politikëbërjes sa u takon ndryshimeve klimatike.

Duke u ndalur te profili i Shqipërisë rezulton se ndërgjegjësimi për ndryshimet klimatike është relativisht i lartë në Shqipëri, me 70% të të anketuarve që besojnë ndryshimet klimatike janë reale dhe dy të tretat e të anketuarve që raportojnë se ndryshimet klimatike janë shkaktuar nga njeriu.

Në mënyrë të ngjashme, shumica e njerëzve besojnë se ndryshimet e klimës do të prekin seriozisht ata dhe fëmijët e tyre gjatë jetës , përkatësisht 85% dhe 93%.

“Megjithatë, kur u pyetën për zgjedhjen midis mbrojtjes së mjedisit dhe rritjes ekonomike, pjesa më e madhe e të anketuarve zgjodhën se rritja ekonomike (49%) është më e rëndësishme në krahasim me mbrojtjen e mjedisit (40%) dhe 11% e të anketuarve raportuan se asnjë prej tyre nuk ishte e rëndësishme.

Ky është model që nuk vërehet në vendet e tjera ku shumica e njerëzve zgjodhën mbrojtjen e mjedisit” thuhet në dokument.

Në Armeni, 51% e të anketuarve janë përgjigjur se duhet t’i jepet prioritet mbrojtjes së mjedisit, ndërsa 30% rritjes ekonomike dhe hapjes së vendeve të reja të punës.

Në Gjeorgji, 43% e të anketuarve janë përgjigjur se duhet t’i jepet prioritet mbrojtjes së mjedisit, ndërsa 28% rritjes ekonomike dhe hapjes së vendeve të reja të punës. Ndërgjegjësimin më të lartë për mjedisin e ka Republika e Kirgistanit, me 62% që janë të ndjeshëm ndaj kësaj çështjeje.

Raporti nënvizon se rreth 45% e të anketuarve shqiptarë treguan se do të kontribuonin financiarisht në investimet e ndryshimeve klimatike, një peshë e rritur që nga viti 2010 (25%). Megjithatë, asnjë i anketuar nuk tregoi se është një fushë prioritare për shpenzime shtesë të qeverisë krahasuar me shëndetësinë, arsimin, pensionet, krijimin e vendeve të punës dhe ndihmës për të varfrit.

“Ndërgjegjësimi për politikat e ndryshimeve klimatike është i ulët në mesin e drejtuesve publikë dhe të biznesit, respektivisht 26% dhe 31%. Ndërsa 78% e individëve pajtohen se angazhimi për emetimet zero neto të karbonit është i rëndësishëm, vetëm më pak se gjysma e drejtuesve të biznesit pajtohen me deklaratën (shkalla më e ulët midis pesë vendeve).

Në të njëjtën kohë, afërsisht një e katërta e individëve dhe drejtuesve të biznesit besojnë se Shqipëria është në rrugën e duhur për të arritur objektivat e emetimit të karbonit.

Shumica e të anketuarve (92%) mendojnë se vendet me të ardhura të larta janë përgjegjëse për të paguar koston e investimeve për klimën, e ndjekur nga bizneset dhe industria (84%) dhe njerëzit me të ardhura të larta që jetojnë në Shqipëri (78%).

Në të njëjtën kohë, 67% e publikut besojnë se vendet me të ardhura mesatare kanë përgjegjësi për të financuar investimet për klimën dhe vetëm 4% e bëjnë këtë kur bëhet fjalë për këtë shtresë të mesme në Shqipëri” thuhet në publikim.

Pesëdhjetë e shtatë për qind e të anketuarve thonë se bashkësia ndërkombëtare bën mjaft për t’u përballur me ndryshimet e klimës.

Megjithatë, vetëm mes 33 dhe 37% e të anketuarve raportojnë se qeveria e tyre, biznesi, sektori privat dhe komuniteti i tyre lokal bëjnë mjaftueshëm për të adresuar ndryshimet klimatike. Për më tepër, 40% e të anketuarve pranuan se nuk po bëjnë mjaftueshëm për të trajtuar ndryshimet klimatike.

“Pothuajse gjysma e të anketuarve konsiderojnë se rregullimet e qeverisë dhe projektet e investimeve publike janë mënyrat më të rëndësishme për të adresuar ndryshimet klimatike.

Nga ana tjetër projektet e investimeve private shihen në këtë formë vetëm 4% e publikut. Një e pesta e të anketuarve mendojnë se përmirësimet teknologjike do të jenë faktori kryesor pas shmangies së ndryshimeve klimatike.

Vetëm 2% e drejtuesve të biznesit dhe 7% e individëve besonin se taksat shtesë hipotetike, të mbledhura dhe të administruara nga qeveria e tyre për të luftuar ndryshimet klimatike, do të shpenzoheshin tërësisht për ndryshimin e klimës.

Tre të katërtat e të anketuarve mendojnë se më pak se gjysma ose asnjë fond nuk shkonte si shpenzim për ndryshimet klimatike” vlerëson studimi./Monitor

Poll