Seksioni i emigracionit në gjykatën e Romës është shprehur se dërgimi i emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri është në shkelje me ligjin.
Mediat italiane shkruajnë se Gjykata e Romës ka vendosur se të dymbëdhjetë emigrantët që u sollën në Shqipëri duhet të kthehen në Itali. Dhe kjo, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga Komisionet territoriale.
“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë të sigurta, dhe për këtë arsye ata do të duhet të kthehen në vendin tonë.’ shkruhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.
Po sipas mediave italiane, ky vendim i Gjykatës së Romës bazohet në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë Evropiane më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta.
Ndërsa 'La Repubblica' shkruan se hipoteza më e mundshme është që ata do të nisen nesër me një target drejt Brindizit.
Më pas ata do të kenë 14 ditë nga sot për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre për azil tek të njejtët gjyqtarë të seksionit të emigracionit të cilët do t'i vlerësojnë rast pas rastit.
Pak ditë më parë në Shëngjin mbërriti anija e parë me emgirantë në bazë të marrëveshjes që Shqipëria ka firmosur me Italinë për strehimin e tyre deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.
Kontigjenti i parë i emigrantëve përbëhej nga 16 persona, të gjithë meshkuj me origjinë nga Egjipti, dhe Bangladeshi të cilët ishin kapur në det të hapur.
Kampi i Gjadrit është ndërtuar njëjtë me një “paraburgim të lehtë” ku i gjithë territori brenda kampit do të jetë nën juridiksionin italian dhe emigrantët nuk e kanë të lejuar të dalin deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil në Itali. Kapaciteti vjetor i këtyre qendrave të ndërtuara arrin deri në 36 mijë persona në një vit. Marrëveshja me Italinë është firmosur për 5 vite./Versus.al







