Spanjë- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Spanjë ku një 26 vjeçar shqiptar i identifikuar si Klajdi Mancaku është gjetur i vdekur. Sipas autoriteteve spanjolle, i riu shqiptar dyshohet se ka rënë nga kati i 10-të i një pallati ndërkohë që ende nuk dihet nëse bëhet fjalë për vetëvrasje.
Rasti është nën hetim për shkak të rrethanave të dyshimta. Lajmi ka tronditur miq dhe të afërm të 26 vjeçarit nga Durrësi, të cilët kanë shprehur dhimbjen dhe ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale për ngjarjen tragjike.
Mancaku ishte një emër i njohur për drejtësinë po ashtu edhe në rrjetet sociale pas përfshirjes së tij në një konflikt të ndodhur një vit më parë në Durrës të nisur në rrjetin social TikTok. Pas një sherri, ai plagosi me armë zjarri dy të rinj dhe u shpall në kërkim nga policia. Mancaku pati një përplasje me Mario Vrionin pas një debati telefonik që kishte pasur me të. Pas takimit për sqarim, ngjarja degradoi në dhunë dhe Mancaku hapi zjarr ndaj Vrionit i cili ishte i shoqëruar nga kushëriri i tij Jurgen Vrioni dhe një tjetër mik Arbër Haxhiu.

I riu prej një viti kishte arritur të dilte jashtë vendit, ndërsa së fundmi u bë publike vdekja e tij. Ai njihej edhe si shok i ngushtë i reperit Cllevio Serbiano, një personazh i njohur gjithashtu për përplasjet e tij me reperin Noizy dhe sherret në rrjetet sociale. Versus.al







