Në 80-vjetorin e tij të lindjes, Sali Berisha zgjodhi që të bëntë një komunikim me miqtë e tij virtual, ku mes falenderimeve dhe mirënjohjes për mbështetjen në këto dekada, tregoi edhe arsye se përse zgjodhi që të rikthehej në politië. Ai tha se u shpall “Non Grata” për shkak se akuzohet për korrupsion, mirëpo thekson se përgjatë këtyre viteve nuk ka asnjë provë që e konfirmon këtë akuzë.
“Kur të gjendet një provë e vetme e korrupsionit të Sali Berishës, do të largohem nga politika. Sot, pas katër vitesh hetime intensive, shterruese nga mercenarët dhe vetingut 30-vjeçar, u konkludua se nuk kishte shkelur kurrë ligjin. U konkludua se njeriu i vetëm, njerëzit e vetëm të cilët kishin paguar për Sali Berishën, ishin vajza e tij, ishte dhëndri i tij. U konkludua se në asetet e tij, ai kishte 100 mijë euro, pas 54 viteve punë, dhe një apartament 40 metra më të madh se ai ka pasur në diktaturë. Natyrisht, ju që më besuat në fillim, i kishit shumë të qarta këto.
Por të gjithë të tjerët kishin të drejtë të dyshonin duke e ditur se kjo akuzë absurde vinte nga kryediplomati i botës. Sot pas 4 vitesh, çdo njeri që përtyp mashtrimet e tij, i them kontrollo xhepat e tu.”, tha Berisha.
Në cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike, Berisha theksoi edhe një herë se qëllimi i aksionit opozitar është krijimi i një qeverie teknike deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Jemi të angazhuar në një betejë për mosbindje civile për krijimin e një qeverie teknike që shqiptarët të votojnë të lirë”, shtoi Berisha./Versus.al







