
Tiranë- Depuetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka depozituar në Kuvend një projektligj për statusin e deputetit. Në një konferencë për mediat Kryemadhi tha se ky projektligj do të shërbejë për të garantuar që deputetët të marrin informacione nga drejtuesit e institucioneve publike brenda një kohe sa më të shpejtë.
Sipas saj, ka raste kur deputetët nuk kanë marrë përgjigjie nga institucionet edhe pas muajsh nga kërkesa që kanë bërë për informacion. Deputetja tha se në këtë mënyrë mund të luftohet edhe korrupsioni, duke i vënë titullarët e institucioneve para përgjegjësisë për të dhënë informacion.
“Ky propozim i imi është një mënyrë për të krijuar një komsion për të gjithë deputetët. Kemi korrupsion sepse nuk ka transparencë, nëse drejtuesit e institucioneve publike do ishin përballë presionit për dhënien e informacionit. Duke qenë përballë një presioni të tillë norma e shkeljeve do të jetë më e ulët”- u shpreh deputetja.
Më tej, Kryemadhi foli edhe për komisionin e posaçëm Antikorrupsion që u votua nga mazhoranca të enjten në Kuvend.
“Komisionin e posaçëm antikorrupsion e shikoj si mënyrë për të hequr vëmendjen nga shumë probleme të tjera që kemi. Përderisa një deputeti bashkia e Tiranës nuk i kthen përgjigjie për 6 muaj për një pyetje shumë të thjeshtë, mendoni sesi mund t’i kthejë përgjigjie një qytetari”- shtoi Kryemadhi.
E pyetur nëse opozita do të marrë pjesë në komisionin e posaçëm antikorrupsion, Kryemadhi nuk dha përgjigjie të prerë por përsëriti se bojkoti vetëm e ka dëmtuar opozitën. Ndërsa sa i takon rikandidimit të saj si deputete, ajo u shpreh se ka ende kohë për të folur mbi gjëra të tilla.
“Puna ime si deputete nuk ka ndryshim. E vetmja gjë është vendndodhja. Denoncimet për inceneratorët e Tiranës dhe Elbasanit nuk janë bërë në foltoren e Kuvendit por në terren. Duhet të kemi parasysh se mungesa e transparencës bënte që inceneratorët të ishin shpëtimi i Shqipërisë, por që në të vërtetë ishin gropa e zezë e korrupsionit. Monika në Kuvend del me më pak fjalime në parlament. Detyra ime si Monikë dhe deputete është se deri në momentin e fundit ta kryej mandatin me dinjitet. Se çfarë do të bëj unë deri në fund, ka kohë akoma. Pavarësisht ambientit ku jetojmë, është shumë më i vështirë për një grua.”- tha Kryemadhi.
Në përfundim të konferencës, ajo tha se do të ketë komunikime të tjera me gazetarët për t’i njohur lidhur me qëndrimet që do të mbajë mbi çështje të caktuara politike. Versus.al







