Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot Prokuroria e Posaçme (SPAK) organizoi një event në kuadër të 5 vjetorit të krijimit të institucionit që ka për qëllim kryesor ndëshkimin e korrupsionit tek figurat e politikanëve të lartë publikë të cilët deri dje konsideroheshin “të paprekshëm”. *Kreu i SPAK, Altin Dumani gjatë fjalës së tij foli për arritjet e SPAK në goditjet ndaj krimit të organizuar duke bashkëpunuar me agjencitë e huaja ligjzbatuese. Ndërsa shtoi se sot nuk ekziston më “paprekshmëria” e politikanëve që kanë shkelur ligjin *Të pranishëm në ceremoni ishin edhe zyrtarë të SHBA e BE. Zëvendës ndihmës sekretari për Ballkanin Perëndimor, Aleksandër Kasanof bëri thirrje që prokurorëve aktualë të SPAK t’u lejohet kandidimi për një mandat tjetër. Ndërsa ambasadori i BE Silvio Gonzato bëri thirrje që në luftën ndaj korrupsionit të përfshihen edhe institucionet e tjera të drejtësisë dhe SPAK të mos lihet vetëm.
Ambasadori i BE: SPAK sinonim i suksesit! S’duhet lënë vetëm në luftën kundër zyrtarëve të korruptuar

Ambasadori i BE Silvio Gonzato ka qenë i pranishëm sot në eventin e organizuar në kuadër të 5 vjetorit të krijimit të SPAK. Gjatë fjalës së tij, Gonzato shprehu vlerësimin për punën e institucionit dhe për besimin që ka krijuar tek qytetarët.
Por theksoi se lufta ndaj pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të lartë dhe korrupsionit e krimit të organizuar, nuk i duhet lënë vetëm SPAK.
“Nga aspekti organizativ SPAK ka krijuar një strukturë efikase. Nga aspekti operacional SPAK ka ofruar rezultate të mira në disa cështje të profilit të lartë, ka rikuperuar miliona euro të sekuestruara ndaj personave të akuzuar për korrupsion.
Vetëm për pak vite SPAK është sinonim i suksesit në Shqipëri. Kjo është njohur nga qytetarët shqiptarë. Megjithatë duhet të hedhim sytë edhe drejt së ardhmes dhe nuk duhet të flemë mbi dafina. Procesi i anëtarësimit në BE do të vazhdojë të jetë i bazuar në luftën e Shqipërisë ndaj korrupsionit. SPAK nuk duhet të jetë institucioni i vetëm në luftën e korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ky përforcim do të sjellë edhe më shumë rritjen e besimit të publikut në luftën kundër korrupsionit”- tha Gonzato. Versus.al
5 vjetori i krijimit të SPAK, thirrja e zyrtarit amerikan: Prokurorëve aktualë t’u lejohet rikandidimi

Zëvendësndihmës sekretari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Aleksandër Kasanof ka një mesazh të qartë gjatë pranisë së tij në eventin e 5 vjetorit të krijimit të SPAK.
Kasanof bëri thirrje që edhe institucionet e tjera të përfshihen në luftën ndaj korrupsionit dhe se SPAK i vetëm nuk mund të bëjë gjithçka. Duke nënvizuar besimin e lartë të publikut te Prokuroria e Posaçme, Kasanof bëri thirrje që prokurorëve aktualë t’u jepet mundësia e rikandidimit për një mandat tjetër në institucion.
“Pavarësia e SPAK mbetet vendimtare. Partnerët e huaj kërkojnë ekspertizën e SPAK. Duhet të lejohen të aplikojnë pas përfundimit të mandatit aktual”- tha Kasanof.
Një propozim i tillë është bërë më herët edhe nga kreu i SPAK, Altin Dumani. Kasanof, i cili mori detyrën në korrik 2024 si pasardhës i Gabriel Escobar, mban një fjalim të veçantë në këtë aktivitet, duke përforcuar rolin e SHBA si një ndër ideatorët, financuesit dhe mbështetësit kryesorë të reformës. Versus.al
5 vite nga krijimi i SPAK/ “Jemi përballur me kërcënime”, Dumani: Sot s’ka zyrtarë të lartë të paprekshëm
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka organizuar sot një event për të kremtuar 5 vjetorin e krijimit të institucionit. Fjalën hapëse e mbajti kreu i SPAK Altin Dumani i cili tha se të gjithë prokurorët e institucionit frymëzohen nga besimi që ka arritur të marrë SPAK në publik.
Ai tha se sot nuk mund të ketë asnjë zyrtar të lartë publik të paprekshëm, por shtoi se në këtë drejtim ka shumë sfida dhe vështirësi.
“Ajo që na frymëzon është sa afër ndihemi me publikun, sa i prekshëm është jo vetëm besimi i tyre por rrëzimi i një mendësie e cila toleron korrupsionin, ku korrupsioni kalon vjedhurazi i pandëshkuar dhe krimi bën plane të të legjitimojë paligjshmërinë në hallka të ndryshme të jetës. Jemi përpjekur që në këto 5 vite të tregojmë se korrupsioni sfidohet, se sot nuk mund të ketë zyrtarë të lartë publikë të imunizuar nga drejtësia, se ligji funksionon dhe se të rinjtë mund të kenë besim te një shtet i së drejtës. Kjo përjekje e jona nuk ka kaluar pa vështirësi, korrupsioni e krimi nuk mund të zhduken brenda ditës”- u shpreh kreu i SPAK.
Dumani foli edhe për kërcënimet me të cilat janë përballur prokurorët e posaçëm duke theksuar se asgjë prej këtyre nuk i bën ata të heqin dorë nga rruga e nisur për të ndëshkuar ata që deri dje konsideroheshin “të paprekshëm”.
“Jemi përballur me përpjekje për të minuar punën tonë, me fyerje, shpifje, kërcënime ndaj nesh apo familjarëve tanë, por përballë tyre jemi mbledhur bashkë si trupë e vetme kolegësh. Kemi kuptuar sesa e rëndësishme është pavarësia e institucionit. Nëse dikush mendon ndryshe, gaboheni! Jemi betuar t’u shërbejmë qytetarëve shqiptarë. Çdo ditë i kujtojmë vetes se misioni ynë nuk përfundon me dosjen e radhës”- shtoi Dumani.
Teksa tha se ishin sekuestruar asete me vlerë 182 mln euro të krimit të organizuar, Dumani nënvizoi edhe bashkëpunimin me agjencitë e huaja ligjzbatuese në goditjen e grupeve kriminale shqiptare në shtete të ndryshme. Versus.al








