Çfarë do të gjeni në brendësi
*Pas megaoperacionit Shqipëri-Itali me 52 urdhër-arreste që goditi grupin e Troplinëve, RENEA dhe policia kanë zbarkuar sërish në qytetin e Durrësit për kapjen e personave të rrezikshmërisë së lartë. *Deri më tani mësohet se është arrestuar Xhevdet Plaku i njohur ndryshe me nofkën ‘Akili” për shkak të atentateve të cilave u kishte shpëtuar, plot 5 herë. Plaku ishte arratisur nga burgu Italian i Ankonës më 23 janar të këtij viti. *Ndërkohë operacioni për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë është ende në vijim.
VIDEO/ “Shtrihuni barkas”, momenti kur RENEA kap “Akilin” dhe 6 të tjerë brenda lokalit në Gjirin e Lalëzit
Këto janë momentet kur policia ka ndërhyrë brenda një lokali në Gjirin e Lalëzit për të arrestuar të shumëkërkuarin Xhevdet Plaku “Akilin’ dhe 6 persona të tjerë me rrezikshmëri shoqërore, 3 prej të cilëve të shpallur në kërkim për vrasje.
Në momentin e ndërhyrjes së policisë, të arrestuarit po konsumonin drekë në një lokal krejtësisht të pashqetësuar pavarësisht se ishin të shpallur në kërkim.
View this post on Instagram
Siç shihet edhe nga pamjet, në momentin e ndërhyrjes, policia gjeti edhe armë zjarri dhe shuma parash të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Versus.al
U arrestua sot bashkë me “Akilin” e Durrësit, kush është Voltan Xhani! I dyshuar për eliminimin e trafikantit nga Shkodra

Ditën e sotme Policia e Durrësit mbajti një referatë për mediat ku zbuloi se është arrestuar në kuadër të operacionit “Ura”, Xhevdet Plaku së bashku me 6 persona në tjerë në ambientet e një restoranti në Durrës. Të 7 këta persona ishin të armatosur.
Ndër ta është arrestuar edhe Voltan Xhani.
Po kush është Voltan Xhani?
Voltan Xhani është i dyshuari kryesor për organizimin dhe vrasjen e Elis Rroshkodol në lagjen Ahmet Haxhiu në Shkodër mesditën e 30 gushtit 2024.
Elis Rroshkodol u ekzekutua teksa po pinte kafe në një lokal. Ai ishte i skeduar nga autoritetet belge si pjesë e një grupi kriminal që kryente grabitje, ndërsa ishte në kërkim nga Rumania për plagosje. Versus.al
“7 të arrestuar, 3 prej tyre me rrezikshmëri të lartë”, policia për aksionin në Durrës: U kapën me pistoleta brenda lokalit në Gjirin e Lalëzit
Policia e Durrësit ka dalë në një konferencë për mediat për të zbuluar detaje lidhur me operacionin e zhvilluar ditën e sotme në qytetin bregdetar për kapjen e personave të shpallur në kërkim.
Në total janë arrestuar 7 persona, 3 prej të cilëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Mes tyre është edhe Xhevdet Plaku, i njohur si ‘Akili’ i cili u kap brenda një lokali në Gjirin e Lalëzit ku iu gjet edhe një pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.
Të arrestuarit:
1. Xhevdet Plaku, i shpallur në kërkim nga Italia për trafik ndërkombëtar droge. Më 23 janar të këtij viti u arratis nga burgu i Ankonës.
2. Flobens Meçja alias Gega alias Drini, 43 vjeç, banues në Shkodër, i shpallur në kërkim nga SPAK, pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në muajin korrik 2024, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal” dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve për të kryer vrasje”. Gjatë kontrollit, këtij shtetasi iu gjetën dy dokumente identifikimi të falsifikuara dhe 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole gati për qitje;
3. Voltan Xhani, banues në Holandë, në muajin shtator gjykata e Shkodrës i ka caktuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’ pasi dyshohet se ka siguruar mjetet e transportit për të kryer vrasjen e Elis Rroshkodolit në Shkodër. Gjatë kontrollit iu gjet një armë pistoletë me fishekë në fole gati për qitje.
4. Jugert Xhani, i akuzuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”. Gjatë kontrollit iu gjetën 1 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak;
5. O.H. banues në Mamurras, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
6. F. Q., 36 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”;
7. A. H., 45 vjeç, banues në Mamurras, i dyshuar për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Përkrahja e autorit të krimit.”
Plaku u arrestua nën shoqërinë e Flobens Meçes dhe Voltan Xhanit teksa konsumonin ushqim në një restorant në Gjirin e Lalëzit. Gjatë kontrolleve u sekuestruan edhe shuma parash në euro dhe sende të tjera. Versus.al
RENEA kap “Akilin” në Durrës! Në janar u arratis nga burgu Italian, përdorte 25 identitete dhe u shpëtonte atentateve

Gjatë operacionit të zhvilluar mëngjesin e sotëm në Durrës nga forcat “RENEA” është arrestuar Xhevdet Plaku, i njohur ndryshe me nofkën “Akili” për shkak se përdorte 25 identitete dhe u kishte shpëtuar atentateve të ndryshme.
Plaku më 23 janar të këtij viti ishte arratisur nga burgu i Ankonës në Itali. Ai dyshohet të jetë kreu i një grupi të trafikut të drogës në Holandë, po vuante dënimin për trafik droge.
Emri i Xhevdet Plakut doli dhe në dosjen e SPAK për grupin e trafikut të drogës pjesë e së cilës ishte dhe ish-shef i krimeve të Komisariatit nr. 6 Dedan Gjoni dhe Erzen Breçani.

Zbardhja e përgjimeve të Sky ECC zbuluan se Akili, që përdorte 25 identitete, i akuzuar si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës me qendër në Amsterdam u tentua të vritej nga i forti i Shijakut Rexhep Rapi më 17 shtator 2019. Përgjimet zbardhën bashkëpunimin e Rapit me Gjonin për të kryer vrasjen para komisariatit të Durrësit, si hakmarrje pasi e akuzonte për vrasjen e vëllat të tij Sali Rapi të ndodhur në 2014-ën në Itali.
Xhevdet Plaku, rreth 45 vjeç konsiderohet si kreu i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës të cilin e drejtonte nga Amsterdami. Pakot me kokainë të pastër që vinin me porosi të tij, kishin logo marka të shtrenjta për të nënkuptuar cilësinë e lartë të saj. Në operacionet e policisë janë sekuestruar pako me logo të mbishkruar si më tej: Hermes, Lacoste, G4, Rolls Royce dhe Play Boy. Shqiptari aktualisht është i dënuar në Itali ku pritet që të bëhet edhe ekstradimi i tij. Versus.al
RENEA dhe Policia “shkundin” Shijakun, Sukthin dhe Durrësin, shoqërojnë disa persona
Në agimin e së premtes, dhjetëra forca policie, të mbështetura nga RENEA dhe Policia e Shtetit, zbarkuan në një megaoperacion në zonat e Shijakut, Sukthit dhe vetë zemrën e Durrësit.
Skenat e mëngjesit ishin larg rutinës së zakonshme– me sirena, bastisje dhe pranga. Sipas burimeve nga policia lokale, janë shoqëruar një numër i konsiderueshëm personash, por emrat dhe arsyet mbeten ende të pazbardhura.
Operacioni pritet të zbardhet më tej në orën 10:00, kur Drejtoria e Policisë së Durrësit do të mbajë një konferencë për shtyp. Versus.al







