Çfarë do të gjeni në brendësi
*Papa Françesku, papa i parë jo-evropian në gati 1,300 vjet, ka vdekur mëngjesin e sotëm në moshën 88 vjeçare. *Lajmi i ardhur nga Vatikani ishte tronditës për shumë njerëz, për shkak se ndarja nga jeta e Papës ndodhi një ditë pasi të dielës së Pashkëve kur ai doli para besimtarëve për të uruar festën më të rëndësishme në kalendarin katolik. *Kreu i qeverisë Edi Rama e mori lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut teksa zhvillonte takimin me gratë në Kavajë. *Ai mbylli takimin dhe mbajti një minutë heshtje, ndërsa rrëfeu edhe një bisedë që kishte patur me Papa Françeskun gjatë takimit të dytë me të.
‘Çiftet nuk duan më shumë fëmijë, por kanë qen dhe mace’, thëniet më të famshme të Papa Françeskut
Papa Françesku na ka dhënë citate që kanë lënë gjurmë në tema të ndryshme: nga pedofilia te homofobia te lufta në Gaza dhe emigrantët. Disa fjali kanë shkaktuar diskutime, të tjera reflektim, disa të tjera kanë shkaktuar ilaritet. Këtu janë disa nga më të famshmet.
Erdhi nga "fundi i botës"- Një nga frazat më të famshme të Papa Françeskut erdhi menjëherë pas zgjedhjes së tij më 13 mars 2013: "Ju e dini që Papa është peshkopi i Romës, por duket se vëllezërit e mi kardinalë shkuan për ta marrë atë pothuajse nga fundi i botës. Por ne jemi këtu, ju falënderoj për mirëpritjen".
"Unë dua një kishë të varfër për të varfërit" -"Pse jam quajtur Françesku? Sepse ai mishëronte varfërinë. Unë dua një kishë të varfër për të varfërit." Ky është një tjetër nga thëniet e Papa Françeskut, i shprehur menjëherë pas zgjedhjes së tij, më 15 mars 2013.
"Kush jam unë për të gjykuar homoseksualët?"- "Nëse një person është homoseksual dhe kërkon Zotin dhe ka vullnet të mirë, kush jam unë për ta gjykuar?"
"Pedofilia monstruozitet absolut"- Në gusht 2017, në parathënien e librit të Daniel Pittet mbi viktimat e reja të abuzimit seksual nga klerikët, Papa Françesku e quajti pedofilinë "një monstruozitet absolut, një mëkat i tmerrshëm, që bie ndesh me gjithçka që mëson Kisha". Papa kishte kërkuar falje nga të gjithë: "Disa viktima madje përfunduan duke kryer vetëvrasje. Këto vdekje rëndojnë mbi zemrën time si mbi ndërgjegjen time dhe mbi të gjithë Kishën".
"Unë tashmë e kam nënshkruar dorëheqjen time"- “Unë tashmë e kam nënshkruar dorëheqjen time”. Kjo është deklarata e bërë nga Ati i Shenjtë në një intervistë për gazetën spanjolle Abc në vitin 2022. "Tarcisio Bertone ishte Sekretar i Shtetit. E firmosa dhe i thashë: "Në rast pengese për arsye mjekësore apo çfarëdo, ja dorëheqja ime. E keni tashmë". Nuk e di kujt ia ka dhënë kardinali Bertone, por ia kam dhënë kur ishte Sekretar i Shtetit në vitin 2013”, saktësoi ai.
“Mesdheu është bërë varrezë”- "Kam folur shumë herë për Mesdheun, sepse jam peshkop i Romës dhe sepse është emblematik: Mare Nostrum, një vend komunikimi midis popujve dhe qytetërimeve, është bërë varrezë. Dhe tragjedia është se shumë emigrantë, shumica e këtyre vdekjeve, mund të ishin shpëtuar", është një tjetër frazë e njohur nga Papa Françesku, e thënë në gusht.
"Të hetohet nëse po ndodh gjenocid në Gaza"- "Sipas disa ekspertëve, ajo që po ndodh në Gaza ka karakteristikat e një gjenocidi. Duhet të hetohet me kujdes për të përcaktuar nëse i përshtatet përkufizimit teknik të formuluar nga juristët dhe organet ndërkombëtare." Kjo është një nga frazat e diskutueshme të Papës, e shqiptuar në nëntor 2024.
"Çiftet nuk duan më shumë fëmijë, por kanë qen dhe mace"- Ndër thëniet e tjera të Bergoglio që kanë ngjallur reagime, janë disa të këtij lloji: “Shumë çifte nuk kanë fëmijë sepse nuk duan, ose një dhe jo më shumë”, por kanë “qentë dhe macet që zënë vendin e fëmijëve të tyre”.
"Ju lutem mos harroni të luteni për mua"- Këtë listë të frazave domethënëse të Papa Françeskut mund ta përfundojmë vetëm me atë me të cilën Papa e mbylli Engjëllin në prag të Krishtlindjes 2023: "Ju lutem mos harroni të luteni për mua"./Versus.al
Kush janë 8 pasardhësit më të mundshëm të Papa Françeskut
Pas vdekjes së Papa Françeskut në moshën 88-vjeçare, sytë e botës katolike janë kthyer nga Roma, ndërsa Kisha Katolike hyn në një periudhë të re pritjeje dhe vendimesh.
Varrimi i Papës pritet të bëhet brenda nëntë ditëve , ndërsa procesi për zgjedhjen e pasuesit të tij, nga Konklava, do të nisë muajin e ardhshëm, të paraprirë nga asambletë e përgjithshme të kardinalëve.
Zgjedhja historike e Papës së parë të Amerikës Latine shënoi një pikë kthese në Kishën Katolike.
Sipas Daily Mail, pyetja që lind tani është nëse ka ardhur koha për Papan e parë me ngjyrë apo aziatik.
Cilët janë 8 pasardhësit më të mundshëm të Papa Françeskut?
Në fakt, tetë kardinalë shquhen në “betejën” e trashëgimisë, teksa Vatikani përgatitet për Konklavën që do të zgjedhë Papën.
Në veçanti:
Peter Turkson
Peter Turkson, ish-peshkop i Cape Coast, konsiderohet si një kandidat i mundshëm për t'u bërë Papa i parë me ngjyrë. Me origjinë nga Gana, ai ishte dërguar nga Papa Françesku si i dërguar paqeje në Sudanin e Jugut. Për çështjet LGBTQ+, ai merr një rrugë të mesme, duke theksuar se ligjet në shumë vende afrikane janë shumë strikte, por gjithashtu se duhet të respektohen pikëpamjet lokale. Në të kaluarën, ai konsiderohej gjithashtu favorit në Konklavën e 2013-ës.
Luis Antonio Tagle
Zgjedhja e Luis Antonio Tagle do të shënonte ngritjen e Papës së parë nga Azia, në një rajon me një popullsi katolike në rritje të shpejtë. Edhe pse ai ka shprehur kundërshtimin e të drejtave të abortit në Filipine, ai konsiderohet si një nga zërat më liberalë në Vatikan. Ai është shprehur se Kisha është treguar e ashpër ndaj homoseksualëve dhe çifteve të divorcuara, fakt që sipas tij pengon punën baritore.
Pietro Parolin
Kardinali Pietro Parolin, ish-sekretar i shtetit të Vatikanit dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Papa Françeskut, është "kandidati i vazhdimësisë". Edhe pse konsiderohet i moderuar, ai nuk arrin pozitat liberale të paraardhësit të tij. Në vitin 2015, ai e quajti legalizimin e martesave të të njëjtit seks në Irlandë "një humbje për njerëzimin". Reputacioni i tij është dëmtuar vitet e fundit për shkak të marrëveshjes së Vatikanit të vitit 2018 me Kinën, të cilën shumë e shohin si shumë të përshtatshme për Partinë Komuniste.
Peter Erdo
Péter ErdÅ, Kryepeshkopi i Esztergom-Budapestit, do të ishte Papa i dytë pas Gjon Palit II që do të vinte nga ish-blloku sovjetik. Ai ka mbrojtur veprën e paraardhësit të tij, Josef Minsedi, i përndjekur nga regjimi komunist. Erdo ka shprehur qëndrime strikte, duke thënë se të divorcuarit dhe të rimartuarit nuk duhet të marrin Kungimin e Shenjtë.
Jose Tolentino
José Tolentino, nga Madeira, është një nga kandidatët më të rinj dhe paraqitet si përfaqësues i një Kishe më moderne. Ai u ka bërë thirrje teologëve që të angazhohen me kulturën bashkëkohore përmes kinemasë dhe muzikës. Ai ka shërbyer në shumë poste të Vatikanit dhe konsiderohet një prani "e freskët".
Matteo Zuppi
Matteo Zuppi, kryepeshkop i Bolonjës që nga viti 2015 dhe kardinal që nga viti 2019, u zgjodh nga Papa Françesku si i dërguar për paqen për luftën në Ukrainë. Në vitin 2023, ai vizitoi Moskën, duke u takuar me Patriarkun Kirill, por pa ndonjë rezultat thelbësor.
Mario Grech
Mario Grek, ish-peshkopi i Gozos dhe Sekretari aktual i Përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, i ka bërë thirrje Kishës të adoptojë "një gjuhë të re" për trajtimin e çështjeve që kanë të bëjnë me çiftet e të njëjtit seks dhe të divorcuarit. Megjithatë, qasja e tij mbetet mjaft tradicionale për çështjet kyçe.
Robert Sarah
Robert Sara nga Guinea Franceze është një tjetër kandidat i mundshëm që mund të bëhet Papa i parë me ngjyrë. Mosha e tij vepron si një disavantazh, por ai ka një përvojë të gjatë në Vatikan, që daton që nga koha e Gjon Palit II. Tepër konservator, ai ka dënuar "ideologjinë gjinore" dhe ka mbajtur një qëndrim të fortë kundër fundamentalizmit islamik./Versus.al
“Flamurtar i paqes dhe revolucionar i butësisë”, komunitetet fetare në Shqipëri shprehin ngushëllimet për vdekjen e Papa Françeskut
Krerët e komuniteteve fetare në Shqipëri kanë reaguar sot duke shprehur ngushëllimet e tyre për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut në moshën 88 vjeçare, vetëm një ditë pas kremtimt të Pashkës.
Kryepeshkëvi i Kishës Katolike shqiptare imzot Arjan Dodaj me një status në platformën “X” e ka cilësuar Papa Françeskun si “revolucionar të butësisë”.
“Faleminderit i dashur Papa Françesku. Papa i Revolucionit të Butësisë dhe Dashurisë së Zotit! Papa i dashuruar me popullin tonë shqiptar. Papa jonë nga qielli na beko e vazhdo të na shoqërosh me dashurinë tënde”- shkruan Dodaj.
Nga ana tjetër kreu i Komunitetit Musliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu shprehet se gjatë takimit të veçantë që kishte patur më Papën kishte kuptuar vlerësimin e lartë që kishte për muslimanët në Shqipëri.
“Sot u nda nga jeta një Papë që e deshi shumë dialogun ndër fetar, e deshi shumë vendin tonë dhe vlerësoi veçanërisht Komunitetin Mysliman të Shqipërisë për rolin që luan në shoqërinë shqiptare.
Kam patur nderin e veçantë të jem kryetari i parë në historinë e KMSH që kam patur një audiecë të posaçme, me ftesë të tij, me Papa Françeskun. Takim që u zhvilluam më 6 maj 2022.
Në takimin kokë më kokë me Papa Françeskun, takim i cili zgjati për më shumë se 30 minuta, patëm një diskutim të gjerë nga i cili, përveç të tjerash, kuptova rëndësinë që ai i kushtonte dialogut dhe vlerësimit të lartë që kishte për Shqipërinë e për rolin e Komuniteti Mysliman.
Sot bota nuk ka humbur vetëm një Papë, por edhe një kryetar shteti e lider fetar që punoi shumë për paqe mes besimeve e për një botë më të qetë e të pa trazuar.
Unë dhe Komuniteti Mysliman kemi humbur gjithashtu një mik. I shpreh ngushëllimet e mia bashkëpunëtorëve të tij të komunitetit katolik në Shqipëri dhe shtetit të Vatikanit!”- shkruan Spahiu.
Për ndarjen nga jeta të Papës reagoi edhe kryegjyshi botëror, Baba Mondi i cili e përshkroi Papën si liderin e madh botëror të kohës modern.
“Sot bota humbi liderin e madh botëror të kohës, flamurtarin e Paqes dhe të dashurisë. Papa e deshi shumë popullin tonë, kombin martir të Zotit”, tha ai. Versus.al
PROFIL/ Nga shumë besimtarë dhe analistë u cilësua si 'Papa i të varfërve', kush ishte Jorge Mario Bergoglio?!
Papa Françesku vdiq të hënën e Pashkëve, më 21 prill 2025, në moshën 88-vjeçare në rezidencën e tij në Casa Santa Marta, sipas një deklarate të Vatikanit.
Lajmi për vdekjen e tij u bë i ditur me emocion të thellë nga kardinali Kevin Farrell, përmes një deklarate zyrtare të Vatikanit.
“Të dashur vëllezër dhe motra, me dhimbje të thellë ju njoftoj vdekjen e Atit tonë të Shenjtë Françesku”, tha Kardinali.
Po kush ishte Papa Franccesku që u sulmua vitet e fundit dhe brenda Kishës?
Jorge Mario Bergoglio, Papa i parë nga Amerika Latine, lindi më 17 dhjetor 1936, në Buenos Aires , Argjentinë. Familja e tij vinte nga Piemonte në Italinë veriore: babai i tij ishte kontabilist për hekurudhat argjentinase, nëna e tij shtëpiake.
Pasi mbaroi shkollën e mesme teknike, vendosi të hynte në një seminar katolik. Më pas u bë anëtar i urdhrit jezuit dhe studioi filozofi. Në vitin 1965 ai filloi të jepte mësimdhënie për letërsi dhe psikologji në Kolegjin Katolik të Santa Fe dhe, pas një viti, në një institucion fetar në Buenos Aires. Në vitin 1969 shugurohet meshtar dhe një vit më vonë përfundon studimet për teologji.
Për pesëmbëdhjetë vjet dha mësim në universitetet katolike, ndërsa në vitin 1986 shkoi në Gjermani, ku kreu doktoraturën. Në vitin 1992, ai u emërua nga Papa Gjon Pali II si peshkop i qytetit të Auca dhe peshkop ndihmës i Buenos Aires. Më 28 shkurt 1992 u zgjodh Kryepeshkop i Buenos Aires dhe i gjithë Argjentinës.
Në vitin 2001, Gjon Pali II e emëroi atë kardinal dhe në prill 2005 mori pjesë në zgjedhjen e Papës Benediktit nga Konklava.
Si kryepeshkop i Buenos Aires , ai theksoi mbështetjen e qytetarëve më të varfër, përhapjen e fjalës së Zotit në çdo cep të qytetit, mbajtjen e portave të të gjitha kishave "gjithmonë të hapura" dhe bashkëpunimin e ngushtë midis klerikëve dhe laikëve.
Jorge Mario Bergoglio u zgjodh Papë më 13 mars 2013. Ai vendosi të zgjidhte emrin Françesku – duke theksuar, kryesisht, titullin e peshkopit të Romës – dhe të mbante një kryq hekuri në vend të një ari. “Vëllezërit e mi, kardinalët, për të zgjedhur Papën e re, erdhën deri në skajin tjetër të botës”, tha ai në urimin e tij të parë drejtuar besimtarëve.
Sipas të gjithë analistëve, por edhe në zemrat e miliona besimtarëve, ai ishte “Papa i të varfërve”, Ati i Shenjtë i Katolikëve që theksoi ndihmën dhe solidaritetin me emigrantët, “të fundit” dhe të harruarit.
Ai urdhëroi autoritetet e Vatikanit që të pastrehët të flenë në rrugët përreth Shën Pjetrit, por edhe brenda sheshit të Bazilikës.
"Kush jam unë që të gjykoj një homoseksual kur ai vetë kërkon rrugën e Zotit?" ishte përgjigja që i dha një gazetari, duke u kthyer me avion nga një prej udhëtimeve të tij të para si Papë.
Por rruga e pontifikatit të Françeskut nuk ka qenë e lehtë. Në të vërtetë, rruga e tij ishte e shtruar me pengesa, rezistencë dhe akuza edhe nga brenda Kishës.
Disa madje pretendojnë se ai hasi vështirësitë më të mëdha brenda mureve të Vatikanit. Ka zëra për kardinalë, burra të Kurisë, priftërinj por edhe laikë. Ajo që i bashkonte ishte armiqësia e tyre ndaj çështjeve të trajtuara nga Bergoglio, shpesh tema të reja, të ashpra dhe përçarëse, si qëndrimet e tij./Versus.al
“I thashë shumë armiq ke bërë”, Rama mban 1 minutë heshtje për Papën dhe rrëfen bisedën me të
Kreu i qeverisë Edi Rama e mori lajmin për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut teksa zhvillonte takimin me gratë në Kavajë. Ai mbylli takimin dhe mbajti një minutë heshtje, ndërsa rrëfeu edhe një bisedë që kishte patur me Papa Françeskun gjatë takimit të dytë me të.
“Jemi takuar disa herë, por në Vatikan në audiencë me të kam qenë dy herë. Në takimin e dytë, e pyes i them At i Shenjtë më duket se shumë armiq ke bërë duke thënë gjëra që nuk i ka thënë kurrë një Papë. Nuk e harroj kurrë, më tha, kryeministër nëse nuk i them ato që kam për të thënë tani që kam kohën me njerëzit, kur do i them dhe kujt do ia them? Krimbave kur të shkoj në varr”- u shpreh Rama.
Më pas në rrjetin social publikoi foton e Papa Françeskut teksa mbante në duar plisin shqiptar duke e shoqëruar me mbishkrimin "Lamtumirë, At i Shenjtë, mik i madh e i paharrueshëm i Shqipërisë". Versus.al
Papa Françesku ndërron jetë në moshën 88 vjeçare
Papa Françesku, papa i parë jo-evropian në gati 1,300 vjet, ka vdekur mëngjesin e sotëm në moshën 88 vjeçare. Lajmi i ardhur nga Vatikani ishte tronditës për shumë njerëz, për shkak se ndarja nga jeta e Papës ndodhi një ditë pasi të dielës së Pashkëve kur ai doli para besimtarëve për të uruar festën më të rëndësishme në kalendarin katolik.
Françesku dha bekimin tradicional të Pashkëve nga ballkoni i Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, në atë që shënoi paraqitjen e tij më të mirë që prej daljes nga spitali.
Pak para kësaj, ai zhvilloi një takim të shkurtër me zëvendëspresidentin e SHBA-së JD Vance.
Vdekja e Françeskut, i cili ishte një nga papët më të vjetër në historinë e kishës, erdhi disa javë pasi ai u largua nga një spital i Romës ku nga 14 shkurti deri më 23 mars ishte i shtruar duke u trajtuar për pneumoni të dyfishtë në mushkëri.
Ekipi i tij mjekësor tha se gjendja e tij ishte stabilizuar, duke i lejuar atij të vazhdonte rikuperimin në rezidencën e tij Casa Santa Marta në Vatikan. Kur dukej se po shkonte drejt rikuperimit, erdhi lajmi i trishtë për ndarjen e tij nga jeta.
Ishte kardinali irlandez Kevin Farell ai që dha njoftimin rreth orës 07:35. Papa Françesku i 266 i Kishës Katolike Romake, u zgjodh si i tillë më 13 mars të vitit 2013. Ai zhvilloi një vizitë në Shqipëri më 21 shtator të vitit 2014, madje emëroi edhe kardinalin e parë shqiptar në histori Ernes Troshani. Versus.al








