Çfarë do të gjeni në brendësi
VIDEO/ Vendimi i Apelit, reagon Berisha: Do ta respektoj, çështjen e kam në Strasburg
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i pandehur për dosjen e aferës ‘Partizani’, ka reaguar pas vendimit të GJKKO-së ditën e sotme, që la në fuqi masën ‘detyrim paraqitjeje’ ndaj tij.
Edhe pse nuk e ka pritur mirë, ai është shprehur se do e zbatojë këtë vendim, teksa shtoi se ‘çështjen tani e ka në Strasburg’.
‘Vendim pa asnjë bazë ligjore, pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama, përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet SKAPI I partisë për të justifikuar veprën e tyre’, tha ai.
I pyetur a do ta respektojë këtë vendim, Berisha u shpreh: ‘Do ta respektoj sepse çështja është në Strasburg dhe kjo do i shtohet dosjes’.
Deklarata e plote:
Vendim pa asnjë bazë ligjore.
Pilulë elektorale për të pashpresin Edi Rama. Përpjekje e dështuar e organizatës kriminale që quhet Skrapi i partisë për të justifikuar veprën e tyre.
Në këtë kontekst, dëshmi e re e kontrollit të plotë dhe total të Skrapit nga Edi Rama, zbatimit të urdhërave te tij politik.
Unë çështjen e kam në Strasburg, do ta respektoj. Çështja tani siç dihet është në gjykatën ndërkombëtare të Stasburgut të të drejtave të njeriut dhe kjo të pasurojë këtë rast, do e çojmë atje ti shtohet dosjes.
Edhe njëherë, gëzuar dhe faleminderit.
Berisha do paraqitet në SPAK dy herë në muaj, akuzat e Gjokutaj: Vendimi i paqartë, Gjykata e Apelit e kapur
Avokati i kryetarit të PD-së, Sali Berisha, Genc Gjokutaj është prononcuar për mediat pak pasi Apeli i Posaçëm caktoi masën e sigurisë ‘detyrim paraqitje’ për ish-kryeministrin Sali Berisha, i cili do të duhet të shkojë para oficerit të policisë gjyqësore në SPAK, dy herë në muaj.
Gjokutaj tha se vendimi i sotëm është i paqartë, pasi nuk kishte ndonjë kërkesë tjetër nga prokurori në seancë përveç asaj për rivendosjen e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’.
‘Në një vendimmarrje të çuditshme Gjykata e Apelit mbi ankimin e prokurorit, me bazën e një vendimi të gjykatës së shkallës së parë për revokimin e masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’ për zotin Berisha vendosi kryesisht zëvendësimin masës. Ne jemi të paqartë me këtë vendim, për shkakun e vetëm sepse objekti i këtij gjykimi ishte kërkesa për shfuqizimin e vendimit të Shkallës së Parë. Ndërkohë që nuk kishte një kërkim tjetër nga prokurori. As në sallën e gjyqit, ai i qëndroi arrestit në shtëpi. Nëse do të kishte kërkim nga prokurori, të gjendej rruga ligjore për zëvendësimin e masës së sigurisë, por nuk ishim në këto kushte’, tha Gjokutaj.
Në vijim ai akuzoi Apelin e Posaçëm se është i kapur, njëjtë si Gjykata Kushtetuese, ndërsa për vendimin tha se është zgjidhja më e keqe për çështjen ku akuzohet Sali Berisha.
‘Po kjo gjykatë nuk është më pak e kapur sesa Gjykata Kushtetuese dy herë, e cila e shtyn gjyqin për shkaqe objektive. Gjykata Kushtetuese, e cila detyrim për paraqitje e quan kushtetues. Ju e dini gjithë këtë sagë që ka ndodhur dhe sot ndodhemi përpara këtij vendimi, detyrimit për tu paraqitur para policisë gjyqësore, dhe vijmë sërish në krye të herës.
Vendimi nuk është zbardhur por është zgjidhja më e keqe që është dhënë ndonjëherë pasi nuk ka zgjidhur asnjë lloj problemi, por ka hapur një kapitull të ri që sigurisht ne do ta ndjekim’, u shpreh Gjokutaj.
Apeli ndryshon masën e sigurisë ndaj kryetarit të PD-së, Sali Berisha
Gjykata e apelit të posaçëm vendosi detyrim paraqitje dy herë në muaj për Berishën.
Kërkesa e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion për rikthimin e kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha në arrest shtëpie, u shqyrtua këtë të premte në Apelin e GJKKO-së.
Seanca, drejtohet nga gjyqtari i posaçëm, Engert Pëllumbi, nisi pak pas orës 10:00 në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion,. Në seancë, ndodhej avokati i ish-kryeministrit, Genc Gjokutaj.
Tre javë më parë, SPAK apeloi në Apelin e Posaçëm lirimin e ish-kryeministrit Sali Berisha nga arresti shtëpiak dhe kërkoi rikthimin e masës.
Berisha u lirua në 27 nëntor 2023 pas qëndrimit për rreth 1 vit në arrest shtëpiak, pasi akuzohej si i përfshirë në dosjen “Partizani”.
Sali Berisha u mor i pandehur për korrupsion pasiv pasi akuzohet nga SPAK se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për t’i përshtatur sipas nevojave të pesë familjeve pronare në kompleksin sportiv Partizani, ku përfitues ishte edhe dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Jamarbër Malltezi akuzohet për korrupsioni pasiv, kryer në bashkëpunim me Sali Berishën pasi në marrëveshje me këtë të fundit, duke shfrytëzuar pushtetin, privatizuan kompleksin Partizani, që i solli familjes miliona euro përfitime. Malltezi akuzohet dhe për pastrim parash nga Prokuroria e Posaçme.
Për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani” akuzohet edhe biznesmeni Fatmir Bektashi për korrupsion aktiv, Xhimi Begeja, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i “Homeplan” për pastrim parash, ndërsa Andia Pustina, financierja që kreu operacionet financiare e ligjore të “Homeplan”, akuzohet për pastrim parash.
Sot mbahet seanca në Apel/ SPAK kërkon rikthimin në ‘arrest shtëpie’ të kreu të PD, Sali Berisha
Gjykata e Apelit të Posaçëm do të shqyrtojë sot kërkesën e SPAK për rikthimin e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha në ‘arrest shtëpie’, pas vendimit të shkallës së parë për ta lënë të lirë.
Gjyqtari Engert Pëllumbi do të shqyrtojë ankimin e SPAK, kundër vendimit të gjyqtares së GJKKO, Floreja Davidhi që liroi Berishën nga arresti i shtëpisë.
SPAK kërkon kthimin e Berishës në arrest shtëpie, i cili është nën hetim për korrupsion pasiv në dosjen për aferën e privatizimit të ish kompleksit ‘Partizani’.
Seanca paraprake për të vendosur nëse kalohet dosja për gjykim mbahet më 6 janar me gjyqtaren Flojera Davidhi, po e njëjta që i hoqi Berishës masën arrest në shtëpi më 27 nëntor.
SPAK e akuzon Berishën se i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 pallateve, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i 'Homeplan' dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.








