Live Updates /

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e fundit politike të Ramës për Ballukun: E falënderoj Belindën, tani do ketë në krah vetëm avokatët e saj!

*Në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku pritet që ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku t’i hiqet imuniteti, kërkesë e SPAK. *Në mbledhje do të mbajë fjalën kryesocialisti Edi Rama.

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

*Në Kryesinë e Kuvendit po zhvillohet mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku pritet që ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku t’i hiqet imuniteti, kërkesë e SPAK. *Në mbledhje do të mbajë fjalën kryesocialisti Edi Rama.

9 Postime
9 ORE ME PARE

"Tani ke në krah vetëm avokatët e tu", Rama për Ballukun: Paç fatin që meriton, çfarëdo qoftë ai!

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e

Në një fjalim që zgjati mbi një orë para grupit parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama theksoi se ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku do të përballet me gjyqësorin vetëm me ndihmën e avokatëve të saj, pa ndërhyrje politike.

Rama falënderoi Ballukun për drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës gjatë gjashtë viteve të fundit dhe nënvizoi se kërkesa e SPAK për arrestimin e saj nuk mbështetet në prova të mjaftueshme.

Ai shtoi se duhet marrë parasysh edhe fakti që Balluku është prind i vetëm i një vajze të vogël.

Kryeministri gjithashtu komentoi pretendimet e prokurorisë për kërcënim ndaj dëshmitares, duke i cilësuar si të pabazuara dhe duke zbuluar detaje nga hetimi.

Ai mbylli fjalimin me një kërkim falje ndaj Ballukut për mospranimin e tre kërkesave të saj për dorëheqje dhe riktheu theksin te roli i avokatëve në mbrojtjen e saj ligjore: “Në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj”, tha Rama.

'E falënderoj Belindën për punën e madhe që bëri në detyrat që i besova për 6 vjet me radhë dhe i uroj fatin që meriton, cilido qoftë fati që Meriton, në betejën ligjore për të cilën do të ketë në krah vetëm avokatët e saj. I kërkoj ndjesë për refuzimet e përsëritura të të 3 dorëheqjeve të veta të cilat pavarësisht interesit të saj apo edhe pikëpamjes së disa shokëve këtu për të lehtësuar presionin mbi të apo mbi ne. I kam refuzuar sepse gjyqësori u kuturis pa ose me dashje, këtë do ta mësojmë dhe të jeni të sigurtë që po e mësova do tua tregoj, u kuturis në territorin e pavarësisë së pushteti të pavarur ekzekutiv dhe legjislativ. Pushteti këtu buron nga vota e popullit dhe kjo do të jetë e patolerueshme sa të jem unë në këtë detyrë.' tha Rama. /Versus.al

9 ORE ME PARE

Rama kritikon ashpër drejtësinë: Parlamenti nuk është treg për të shitur deputetët e zgjedhur nga populli

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e

Gjatë një fjalimi para Kryesisë së Partisë Socialiste, kryeministri Edi Rama u shpreh me tone të forta kundër mënyrës se si sistemi i drejtësisë po trajton deputetët e zgjedhur nga populli.

Ai kritikoi përdorimin e procesve penale dhe paraburgimeve si mjet për të arritur qëllime politike, duke theksuar se “Parlamenti nuk është treg për të shitur deputetët e zgjedhur nga populli”.

Rama shprehu shqetësimin se shumë të burgosur mund të jenë të pafajshëm dhe se po jetojnë “në kurriz të taksapaguesve”, ndërkohë që vendimet për paraburgim shpesh bazohen vetëm në procesverbale apo incizime të diskutueshme.

Ai paralajmëroi se Kuvendi nuk duhet të bëhet bashkëpunues në krijimin e një shteti ku qytetarët dhe deputetët mbahen të paraburgosur pa prova të forta, duke kërkuar që provat të jenë të qarta dhe bindëse para çdo vendimi penal.

Kryeministri përfundoi mesazhin e tij duke theksuar rëndësinë e respektimit të dinjitetit të parlamentit dhe të procesit të drejtësisë së pavarur, duke kundërshtuar çdo përpjekje për të përdorur ligjin në mënyrë selektive apo politike.

“Më shumë të burgosur pas gjyqe të cilët hanë e pinë me paratë e taksapaguesve ndërkohë që mund të jenë atje komplet të pafajshëm. Jetojnë në kurriz të të tjerëve, sesa të burgosur me gjyq. Hajde ta fusim se na ka ardhur një muhabet. Ku jemi këtu? Çfarë është një njeri i zgjedhur nga populli, kokë për tu marrë si trofe në pjatën e pazarit dhe për tu shëtitur në Pazar në emër të drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit pasi është zhgaravitur? Ra grup i strukturuar kriminal për Ilir Beqajn, Për Ilir Beqaj, s’kam folur ndonjëherë për të për të respektuar vijën e kuqe. Po tani që ka një vendim pasi u ngrit e ul si grup i strukturuar kriminal, tani s’paska pasur një grup të strukturuar. Këtu prokurori kërkon e gjykatësi vrapon. Në emrin tonë jo. Me votën tonë, jo. Herë tjetër kur të vijë në kuvend jo imunitetin, nuk ka imunitet në Shqipëri ndaj hetimit, ndaj përgjimit, ndaj procesit penal për askënd nga ne që jemi këtu. Ne të ngremë dorën për të çuar në burg një deputet me këto argumente, çfarë jemi ne, bashkautor në krijimin e popullit të të paraburgosur në Shqipëri. Kur të vijnë herën tjetër, duhet të vijnë të armatosur me prova, si erdhën në 2 rastet e mëparshme. Ti vish kuvendit me një procesverbal e incizim qesharak me një grua e dy gra? Duke na vënë në pozitë absurde që i kemi dhënë shpirtin betejën reformës në drejtësi, u kemi vënë në dispozicion dhe lëkurën drejtësisë së pavarur. Bëni c’keni për të bërë. Dinjiteti i parlamentit nuk ka dalë në pazarin e gjësë së gjallë”, tha Rama./Versus.al

10 ORE ME PARE

Edi Rama ironizon Gazment Bardhi: Burri i parë në historinë e Europës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrotje! Mëshirë Zegjine!

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e

Gjatë një fjalimi të mbajtur pasditen e sotme, kryeministri Edi Rama ironizoi thirrjet e opozitës kundër ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe qëndrimin pro arrestimit të saj nga SPAK.

Rama përmendi edhe reagimin e disa organizatave që dolën në mbrojtje të deputetit të PD, Gazment Bardhi, për shkak të gjuhës së përdorur nga deputetja e PS, Zegjine Caushi.

“E shumëpritura orë e hakmarrjes së madhe a atij që e çoi partinë demokratike për jufka në Dibër dhe e asfaltoi në Fier me gjithë Gazin e Zegjinesë, burri i parë në historinë e Evropës që Komiteti i Helsinkit e mori në mbrojtje nga një vajzë. Mëshirë Zegjine,” u shpreh Rama me ironi./ Versus.al

10 ORE ME PARE

Rama konfirmon Ballukun si drejtuese politike në Fier: Do të vijojë të drejtojë qarkun në zgjedhjet e ardhshme

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e

Kryeministri Edi Rama konfirmoi sot se Belinda Balluku do të vijojë të drejtojë qarkun e Fierit, edhe pas largimit nga pozicioni i zv.kryeministres.

Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, ai megjithatë pranoi se ka deputetë mes radhëve të socialistëve që besojnë se Balluku ka arritur fitore shembullore falë pushtetit që ka pasur.

“E di që edhe këtu mes nesh ka disa që mendojnë se fitoret shembullore e Belindës burojnë nga fuqia e pushtetit që ajo kishte. Kjo mbetet për tu parë në zgjedhjet e ardhshme lokale në Fier. Ajo do të vijojë të drejtojë qarkun. Pak kush nga ne I I mban si Belinda kontaktet me territorin”, deklaroi Rama.

“Njoftimi i akuzës në rrugën e shtrembër dhe faktikisht e bërë zakon, të cilat i përdorin mediat si forcat paramilitare të fajësimit dhe asgjësimit publik të subjekteve të tyre, mjaftoi që Ballukut të ngrihen të tëra dallgët e detit të urrejtjes që zihen në 700 tenxheret e pazarit tonë politik dhe mediatik. E kthyen njeriun në kriminel me 300 vila, 2 jahte, 10 mijë euro solucione magjike për larje makine, ndërkohë rrugët e ndërtuara gjatë drejtimit të saj u shembën nga korrupsioni”, tha Rama./Versus.al

10 ORE ME PARE

Ulsi Manja: Nuk ka prova që Belinda Balluku ka kërcënuar dëshmitarë, SPAK nuk ka treguar fakte

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e
Ulsi Manja

Në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Ulsi Manja foli mbi deklarimet e SPAK se ish-deputetja Belinda Balluku kishte kërcënuar dëshmitarë gjatë hetimeve.

Ai theksoi se në relacionin e prezantuar nga Prokuroria e Posaçme nuk ka asnjë fakt që mbështet këtë pretendim.

Manja sqaroi se nuk ka prova që Balluku apo pjesëtarë të kabinetit të saj të kenë përdorur “të fortët” për të influencuar hetimin. Ai shtoi se nuk ekziston një akuzë për pengim të drejtësisë dhe nuk ka asnjë indicie që ish-deputetja ka prishur prova.

Sipas tij, një procesverbal i prezantuar përmban biseda mes dy shtetaseve rreth dëshmisë së dhënë në SPAK, ku njëra pretendonte se dëshmitarja ishte intimiduar. Megjithatë, ky pretendim nuk konfirmohet nga dokumentacioni dhe nuk ka prova që lidhen me Ballukun ose kabinetin e saj.

Ulsi Manja nënvizoi gjithashtu se dëshmitarja ka statusin e të pandehurit në procedim, prandaj thëniet e saj duhet të merren me rezervë sipas Kodit të Procedurës Penale, dhe nuk mund të përdoren për të vendosur përgjegjësi mbi ish-deputeten.

''Prishje provash, shkaku ra sepse Balluku nuk është më në detyrë. Sot nuk ka një akuzë për pengim të drejtësisë. Nuk ka asnjë indikim se Balluku ka përdorur ndikimin e saj për të prishur provat. Na u paraqit një procesverbal ku dy shtetase bisedojnë me njëra tjetrën lidhur me dëshminë që njëra nga këto shtetase dha në SPAK mbi hetimin. Ajo pretendon se kjo dëshmitare është intimiduar. Kjo nuk rezulton as nga procesverbali pas nga dëshmia, që të jetë kërcënuar nga Balluku apo kabineti i saj i cili është opsion abstrakt. Lidhur me dëshmitaren, është me rëndësi ta them, ajo ka statusin e të pandehur në procedim, dhe sipas Kodit të Procedurës Penale, thëniet e saj merren me rezervë. Nuk mban përgjegjësi për deklarimet e saj.'' u shpreh Manja. /Versus.al

10 ORE ME PARE

PS refuzon kërkesën e SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut: Nuk e pengon hetimin!

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka refuzuar kërkesën e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-deputetes Belinda Balluku, duke argumentuar se kjo nuk pengon zhvillimin e hetimit.

Kryetari i Komisionit për Ligjet, Ulsi Manja, tha se masa e ndalimit të daljes jashtë shtetit ishte vendosur në nëntor 2025, ndërsa më 16 dhjetor 2025 Prokuroria kishte kërkuar autorizimin për arrest. Pas dëgjimit të prokurorëve dhe mbrojtësve të deputetes dhe diskutimeve në Këshill, socialistët vendosën të mos japin autorizimin.

“Prokuroria pretendon se janë shtuar fakte dhe episode të reja penale që rrisin sanksionin e veprës dhe dëmin hipotetik për shtetin. Në vlerësimin tonë, nëse çdo zgjerim i hetimit do të justifikonte arrestin, çdo procedim penal me shumë episode do të përfundonte në paraburgim,” u shpreh Manja.

Ky vendim konfirmon qëndrimin e PS-së për të mos lejuar arrestimin e Ballukut, duke theksuar se hetimi mund të vijojë pa ndërhyrje nga masa e arrestit./Versus.al

11 ORE ME PARE

Çështja Balluku, PS nis mbledhjen parlamentare, Ulsi Manja prezanton raportin për kërkesën e SPAK

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e

Ka nisur mbledhja e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku kryetari i Komisionit për Mandatet, Ulsi Manja, prezantoi raportin për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.

Sipas Manjës, raporti është përgatitur në dakordësi të plotë dhe theksoi se deputetja nuk ushtron më pushtet ekzekutiv si pasojë e ndryshimeve në qeveri.

Ai shtoi se kërkesa e SPAK për Ballukun ndryshon nga rastet e tjera, pasi nuk bëhet fjalë për caktimin e një mase sigurimi për herë të parë, por për zëvendësimin e një mase sigurimi personal me një masë më të rëndë, atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që nga gushti 2024.

Manja theksoi gjithashtu se kjo masë mund të kërkohet vetëm në dy raste: kur akuzat rëndohen ose kur nuk respektohet masa e vendosur. Në rastin e Ballukut, masa e sigurisë personale është respektuar, duke përjashtuar këtë rast të dytë. 

“Raporti për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për dhënie autorizimin për arrestimin e deputetes Belinda Balluku. Kemi arritur Në këtë raport që do t’u prezantoj, në dakordësi të plotë me njëri-tjetrin. Sot që po e diskutojmë këtë raport  ka ndodhur një realitet i ri institucional, deputetja nuk ushtron më pushtet ekzekutiv si pasojë e ndryshimeve të qeverisë.

Shpesh kemi parë përpjekje për ta zhvendosur këtë çështje për gjykim publik.

Kërkesa e SPAK në fakt në rastin e Ballukut ndryshon nga kërkesat e tjera të ardhura në kuvend, sepse nuk është për caktimin e një mase sigurimi për herë të parë, por Kuvendit i kërkohet të zëvendësojë një masë sigurimi personal, me një masë më të rëndë atë të arrestit, për një vepër penale që SPAK po heton që në gusht 2024.

Kjo masë mund të kërkohet në dy raste, kur janë rënduar akuzat ose kur nuk ka respektuar masën e vendosur. Rasti i dytë kundërshtohet, sepse Balluku ka respektuar masën e sigurimit personal, atë të daljes jashtë shtetit”, tha Manja.

Mbledhja pritet të vendosë për qëndrimin e grupit parlamentar ndaj kërkesës së SPAK./Versus.al

12 ORE ME PARE

Grupi parlamentar merr sot vendimin për rastin e Belinda Ballukut, Rama: Në 10.00 do të jemi live

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e
Edi Rama

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet sot në orën 10:00 për të shqyrtuar raportin e pesë anëtarëve të PS në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e SPAK për autorizimin e kufizimit të lirisë së ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Kryeministri Edi Rama njoftoi se mbledhja do të transmetohet live dhe do të merret qëndrimi i grupit parlamentar për këtë çështje.

“Sot në 10.00 do të jemi LIVE në Grupin Parlamentar për marrjen e qëndrimit ndaj kërkesës së prokurorit për kufizimin e lirisë së Belinda Ballukut”, shkruan Rama në X./Versus.al

12 ORE ME PARE

Çështja e Belinda Ballukut, PS mbledh grupin parlamentar! Kryeministri Rama prit të mbajë fjalim!

PS nuk jep autorizim për arrestimin e ish-zv.kryeministres! Fjalët e
Belinda Balluku

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste do të mblidhet sot për të shqyrtuar raportin e përgatitur nga pesë përfaqësuesit socialistë në Këshillin e Mandateve lidhur me kërkesën e Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Hartimi i raportit i është besuar kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka kërkuar që në mbledhje të jenë të pranishëm të gjithë deputetët e mazhorancës. Në takim pritet të marrë pjesë edhe vetë Balluku.

Gjatë mbledhjes pritet të mbajë një fjalim edhe kryeministri Edi Rama, ndërsa ende nuk dihet nëse ish-ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë do të marrë fjalën për të shprehur qëndrimin e saj.

Megjithëse socialistët nuk janë shprehur zyrtarisht publikisht, nga deklaratat e tyre është lënë të kuptohet se, pas largimit të Ballukut nga detyra, nuk shohin arsye për të dhënë autorizim për arrestimin e saj.

Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe Rama në mbledhjen e fundit me grupin parlamentar dhe ministrat, kur njoftoi ndryshimet në qeveri dhe largimin e Ballukut nga posti për shkak të masës së pezullimit të vendosur nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Kjo masë mbeti në fuqi pasi Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë nuk arriti të marrë një vendim përfundimtar.

Anëtarët e Kushtetueses vlerësuan njëzëri se ministri nuk përfiton nga përjashtimet e nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale për masën e pezullimit, por u ndanë në interpretimin nëse për zbatimin e saj duhet apo jo autorizimi i Kuvendi i Shqipërisë.

Pas këtij zhvillimi, shumica qeverisëse propozoi ndryshime në nenin 242/2 të Kodit të Procedurës Penale, duke përfshirë ndalimin e pezullimit edhe për anëtarët e qeverisë, presidentin dhe drejtuesit e institucioneve të pavarura.

Vendimi përfundimtar për kërkesën e SPAK ndaj Ballukut pritet të merret në seancën plenare të 12 marsit. Ndërkohë, opozita ka publikuar raportin e saj duke mbështetur kërkesën e prokurorisë./Versus.al

 

Poll