Çfarë do të gjeni në brendësi
*Prokuroria e Përgjithshme i përcolli sot KLGJ-së përgjigjiet mbi verifikimet e bëra sa i takon pretendimeve të publikuara në media se gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka kishte fshehur dënimin e saj në Greqi. *Burime bëjnë me dije se në përgjigjien e dhënë për KLGJ, prokuroria konfirmon pretendimet e bëra më herët nga kryedemokrati Sali Berisha. Gjyqtarja Irena Gjoka rezulton të jetë dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dokumentesh nga gjykata e Janinës. Por vendimi nuk është ekzekutuar dhe për këtë arsye dokumenti është arkivuar. *Bie në sy fakti se prokuroria është vonuar mbi 5 muaj për të dhënë një njoftim të tillë për KLGJ-në pasi një dokument i publikuar nga avokatja Adriana Kalaja tregonte sesi organi i akuzës e kishte konfirmuar një gjë të tillë që në shtator të 2025-ës. *Për këtë zhvillim, pati debate edhe në komisionin e Ligjeve ku deputeti i PL, Tedi Blushi akuzoi mazhorancën se e kishin përdorur Irena Gjokën si “kamikaze politike” kundër liderëve të opozitës. *Gjoka ka caktuar më herët masën e sigurisë “arrest shtëpie” për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi ndërsa ka në duar dosjet hetimore të kaluara për gjykim për Fatmir Mediun dhe Ilir Metën.
“Për Zotin jemi top”, Manja i përgjigjet Blushit për gjyqtaren e dënuar, deputeti: E përdorët si kamikaze
Shkresa e prokurorisë së përgjithshme drejtuar KLGJ ku përpilohej përfundimi se gjyqtarja e posaçme Irena Gjoka ishte e dënuar në shtetin fqinj, është bërë pjesë e debatit në komisionin e Ligjeve.
Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi kërkoi të diskutonte në komision shkresën e prokurorisë, por një gjë e tillë u ndalua nga kryetari Ulsi Manja i cili tha se rendi i ditës përmban diskutimet për dy projektligje. Blushi tha se mazhoranca ishte e frikësuar nga ky fakt pasi e kishte përdorur gjyqtaren për ndëshkimin e liderëve të opozitës, ndërsa Manja iu përgjigj duke thënë se nuk kishte asnjë shqetësim të tillë.
Pjesë nga debati:
Tedi Blushi: Është një ngjarje e cila nuk mund të kalojë në heshtje.
Ulsi Manja: Të lutem Zoti Blushi! Unë nuk dua të të orientoj çfarë flet. Në katin e dytë këtu është një sallë shtypi ku flasin deputetët. Ne këtu jemi komision pune, mbajmë qëndrim politike, por për projektligjin. Nëse ke për të shtuar për dy marrëveshjet që po diskutojmë, vazhdoni diskutimin.
Blushi: E zgjodha këtë komision se është përgjegjës për funksionimin e legjislacionit. E përsëris kjo ngjarje e faktuar tanimë me vendim prokurorie, tregon cilësinë e të ashtuquajturës reforma në drejtësi, sesi ju e keni kapur sistemin e drejtësisë dhe sistemin gjyqësor për të cilin keni përgatitur edhe një atentat një grusht shteti. Në kushtet kur është faktuar se një gjyqtare ka shërbyer si kamikaze politike për ju, për Ramën...
Manja: Zoti Blushi, të lutem tani mos më detyro të marrë masa sipas rregullores sepse... nuk është problemi aty, unë jam kryetari i komisionit dhe e miratoj te sekretariati për procedurat.
Blushi: E kuptoj se jeni të tronditur nga fakti se...
Manja: Jo për Zotin asnjë tronditje s’kemi, jemi top. Versus.al
Dokumenti/ Gjyqtarja e dënuar në Greqi, prokuroria u vonua 5 muaj për t’i dërguar KLGJ-së përfundimet për Gjokën
Prokuroria e Përgjithshme përcolli sot në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultatet për verifikimet mbi gjyqtaren e posaçme Irena Gjoka, për të cilën u konfirmua dënimi në Greqi ashtu siç kishte deklaruar më herët kryedemokrati Sali Berisha.
Organi i akuzës ka dalë në përfundimin se dokumenti i dënimit të Gjokës ishte i vërtetë. Por së fundmi është publikuar një dokument me datë 3 shtator 2025, ku Prokuroria e Përgjithshme i ka bërë me dije anëtares së PD-së, Adriana Kalasë se ishte vërtetuar se Gjoka ishte e dënuar në Greqi.
Mirëpo rezultatet e siguruara 5 muaj më parë, i janë përcjellë vetëm sot Këshillit të Lartë Gjyqësor për të marrë vendimin mbi Irena Gjokën ndërkohë që kjo e fundit ka në duar tre çështje të liderëve të opozitës, Sali Berisha, Ilir Meta dhe Fatmir Mediu.
"Rezulton e dënuar në Greqi", prokuroria përfundon verifikimet për gjyqtaren Irena Gjoka
Deklaratat e vazhdueshme të kryedemokratit Sali Berisha i cili pretendonte se gjyqtarja që e futi në “arrest shtëpie” ishte e dënuar me vendim gjykate në Greqi, kanë rezultuar të vërteta. Prokuroria e Përgjithshme ka kryer verifikimet pas kërkesës së KLGJ dhe përgjigjia është se Gjoka është dënuar në Greqi në vitin 2005 për falsifikim dokumentesh, por vendimi nuk ishte ekzekutuar ende.
Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se Gjoka nuk e kishte deklaruar dënimin në formularin e dekriminalizimit. Ndërsa gjetjet i janë përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor për të vlerësuar nëse gjyqtarja e GJKKO do vijojë të mbetet në detyrë apo jo. Vendimi i dënimit të saj në shtetin grek ishte arkivuar për shkak të moszbatimit të vendimit.
Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme
Mbi bazën e kërkeses së Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në Këshillin e Lartë Gjyqësor, më datë 08.05.2024 në Sektorin e Dekriminalizimit të Prokurorisë së Përgjitshme është regjistruar me nr.40 procesi per verifikimin e thelluar të deklarimeve të bëra në Formularin e Vetëdeklarimit date 22.04.2016, për subjektin Irena Gjoka(Shpata, Maneku), gjyqtare në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit në zbatim të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, dhe Vendimit të Kuvendit nr.17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.
Irena Gjoka rezulton të jetë gjyqtarja kryesore në dosjet hetimore në ngarkim të krerëve të partive opozitare, Sali Berishës, Ilir Metës dhe Fatmir Mediut. Të gjithë të pandehurit kanë kërkuar vazhdimisht përjashtimin e saj nga çështjet e tyre duke pretenduar se kishte probleme me ligjin.
Ka qenë gjyqtarja Irena Gjoka ajo që caktoi masat e sigurisë “arrest shtëpie” për Sali Berishën dhe dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Versus.al

