Çfarë do të gjeni në brendësi
“Kampi në Shqipëri mund të mbetet bosh!”/ VOA: Vendimi i Gjykatës së Romës, goditje ndaj planeve të Melonit
Një gjykatë në Romë urdhëroi të premten kthimin në Itali të grupit të vogël të migrantëve që u dërguan në kampet e pritjes të ngritura nga qeveria italiane në Shqipëri, duke i dhënë kështu një goditje të fortë planeve të kryeministres Giorgia Meloni për të dërguar jashtë vendit azilkërkuesit.
Seksioni i migracionit i Gjykatës së Romës e konsideroi të pavlefshme mbajtjen në kampin e Gjadrit të 10 shtetasve nga Bangladeshi dhe 6 të tjerëve nga Egjipti, dy vende të konsideruara jo të sigurta, nga një vendim i Gjykatës së Drejtësisë evropiane dy javë më parë.
Sipas marrëveshjes Rama-Meloni, në kampin e Gjadrit në Shqipëri, do të mbaheshin vetëm migrantë nga vende të konsideruara të sigurta, sipas një liste prej 22 shtetesh, të hartuar nga ministria e jashtme italiane.
Por vendimi i Gjykatës Europiane, i detyrueshm për zbatim në vendet anëtare, tkurr ndjeshëm numrin e vendeve që mund të konsiderohen të sigurta. Për pasojë, qeveria italiane mund të gjendet përballë faktit që kampi në Shqipëri të mbetet thuajse bosh.
Migrantët e parë mbërritën në Shqipëri, dy ditë më parë, me një anijë ushtarake italiane, pasi ishin kapur në det.
Katër prej tyre u kthyen pas, dy për shkak të problemeve shëndetësore dhe dy të tjerë pasi u deklaruan të ishin të mitur./VOA
"Emigrantët e Gjadrit të kthehen në Itali"/ Tërbohet Meloni: Na lini të punojmë, kjo është përgjegjësi e jona, jo e gjyqësori
Teksa pritet që një anije t'i marrë 12 emigrantët të shtunën për t'i dërguar në Bari, në Itali ka shpërthyer debati politik, pasi kryeministrja Giorgia Meloni e akuzon opozitën për veprime te turpshme në dëm të vendit.
Kryeministrja e Italisë Meloni reagoi pas vendimit të sotëm të Gjykatës së Romës, e cila vendosi që 12 emigrantët që ndodheshin në Shqipëri të rikthehen në Itali, me pretendimin se ata vinin nga vende jo të sigurta.
Gjatë një deklarate nga Bejruti, Meloni theksoi se është shumë e vështirë të punosh kur të bëjnë opozitë institucionet, ndërsa theksoi se nuk është në kompetencën e gjyqësorit, por në atë të qeverisë që të përcaktojë se cilat vende janë të sigurta dhe cilat jo.
“Është e vështirë të punosh me opozitën e institucioneve. Është shumë e vështirë të punosh dhe të përpiqesh t’i japësh përgjigje këtij kombi kur ke edhe kundërshtime nga disa prej institucioneve që duhet të ndihmojnë për të dhënë përgjigje. Unë nuk mendoj se është përgjegjësi e gjyqësorit të përcaktojë se cilat vende janë të sigurta dhe cilat jo. Është përgjegjësi e qeverisë, kështu që mendoj se qeveria duhet të sqarojë më mirë se çfarë do të thotë një vend i sigurt”, dekalroi Meloni.
Meloni do të thërrasë ditën e hënë qeverinë për të diskutuar mbi vendimarrjen.
Ndërkohë Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi tha se “vendimi do të apelohet deri në Gjykatën e Kasacionit. Ne do të vazhdojmë me atë që Italia po arrin në Shqipëri dhe më tej do të bëhet ligj europian”.
Kujtojmë që mediat italiane kanë raportuar se 12 emigrantët dop të rikthehen ditën e shtunë në Itali.
Gjykata e Romës urdhëroi kthimin e tyre, 12 emigrantët e kampit të Gjadrit nesër shkojnë për në Itali
Seksioni i emigracionit në gjykatën e Romës urdhëroi që emigrantët që janë në Shqipëri të kthehen në Itali.
12 emigrantët do të nisen nesër nga Shqipëria me një anije të marinës për t'u kthyer në Itali, duke zbarkuar në Bari, dhe më pas emigrantët mund të dërgohen më pas në një qendër për azilkërkuesit.
Edhe pse kërkesa e tyre për azil tashmë është refuzuar në orët e fundit, emigrantët kanë ende mundësinë e apelimit brenda 14 ditëve duke kërkuar sërish njohjen e këtij statusi.
“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë në listën e vendeve të sigurta të Italisë”.
Kështu shkruan në vendim e tij, një nga gjyqtarët e seksionit të emigracionit në gjykatën e Romës - duke iu referuar emigrantëve të sjellë në kampin e Gjadrit në Shqipëri.
Ndalimi nuk u vërtetua për asnjë nga 12 emigrantët. Për gjyqtarët, ata mund të lihen të lirë vetëm në Itali, dhe për këtë arsye ata do të duhet të kthehen në shtetin fqinj, shkruan agjencia Ansa.
Gjykata e Romës vendos rikthimin në Itali të 12 azilantëve që ndodhen në kampin e Gjadrit
Seksioni i emigracionit në gjykatën e Romës është shprehur se dërgimi i emigrantëve të paligjshëm në Shqipëri është në shkelje me ligjin.
Mediat italiane shkruajnë se Gjykata e Romës ka vendosur se të dymbëdhjetë emigrantët që u sollën në Shqipëri duhet të kthehen në Itali. Dhe kjo, pavarësisht se kërkesat e tyre për azil janë refuzuar nga Komisionet territoriale.
“Dy vendet nga vijnë emigrantët, Bangladeshi dhe Egjipti, nuk janë të sigurta, dhe për këtë arsye ata do të duhet të kthehen në vendin tonë.’ shkruhet ndër të tjera në vendimin e Gjykatës.
Po sipas mediave italiane, ky vendim i Gjykatës së Romës bazohet në një vendim të Gjykatës së Drejtësisë Evropiane më 4 tetor për azil kërkuesit e vendeve të pasigurta.
Ndërsa 'La Repubblica' shkruan se hipoteza më e mundshme është që ata do të nisen nesër me një target drejt Brindizit.
Më pas ata do të kenë 14 ditë nga sot për të apeluar kundër refuzimit të kërkesës së tyre për azil tek të njejtët gjyqtarë të seksionit të emigracionit të cilët do t'i vlerësojnë rast pas rastit.
Pak ditë më parë në Shëngjin mbërriti anija e parë me emgirantë në bazë të marrëveshjes që Shqipëria ka firmosur me Italinë për strehimin e tyre deri në shqyrtimin e kërkesave për azil.
Kontigjenti i parë i emigrantëve përbëhej nga 16 persona, të gjithë meshkuj me origjinë nga Egjipti, dhe Bangladeshi të cilët ishin kapur në det të hapur.
Kampi i Gjadrit është ndërtuar njëjtë me një “paraburgim të lehtë” ku i gjithë territori brenda kampit do të jetë nën juridiksionin italian dhe emigrantët nuk e kanë të lejuar të dalin deri në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së tyre për azil në Itali. Kapaciteti vjetor i këtyre qendrave të ndërtuara arrin deri në 36 mijë persona në një vit. Marrëveshja me Italinë është firmosur për 5 vite./Versus.al







