Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot Kuvendi i Shqipërisë u mblodh për herë të parë që pas zgjedhjeve parlamentare të 11 majit që nxorrën plot 72 deputetë që uleshin për herë të parë në karriget e ligjvënësit. *Demokratët mbërritën të gjithë së bashku në Kuvend me në krye Gazment Bardhin i cili u shpreh shkurt se janë të bashkuar. Ndërsa më pas mbërriti edhe kryedemokrati Sali Berisha i cili e konsideroi parlamentin si jo-legjitim, ndërsa theksoi se opozita do të përdorë të gjitha mjetet e mundshme për të mposhtur qeverinë. *Seanca u hap me fjalën e deputetit më të vjetër Vasil Llajos pasi Berisha nuk pranoi të ishte ai personi që të hapte seancën. Ndërsa pas himnit kombëtar, deputetët e PD nxorrën fotot e zyrtarëve të PS të cilët i akuzojnë për afera korruptive. *I pranishëm në seancë ishte edhe kryeministri Edi Rama i cili u pa disa herë duke këshilluar Niko Peleshin për rolin që do të ketë si kryeparlamentar. Seanca u mbyll me tensione pasi Llajo nuk i dha fjalën Berishës duke pretenduar se në seancën e parë nuk ka procedurë. Në orën 17:00 do të ketë një rinisje të seancës së Kuvendit për të konstituuar deputetët e zgjedhur dhe kryekuvendarin Niko Peleshi.
“Humbës është ai që gërmon aty ku ra”, Rama për Kuvendin: Pyeta Diellën, ja çfarë më tha

Kryeministri Edi Rama ka reaguar me ironi lidhur me seancën e parë të zhvilluar sot për Kuvendin e legjislaturës XI. Seanca u mbyll me protestën e opozitës që bllokoi foltoren duke mbajtur në duar foto të zyrtarëve të PS të cilët i akuzon për afera korruptive.
Rama shkruan në rrjetin social ‘X” se gjatë një bisede me ministren virtuale “Diella” kjo e fundit e kishte këshilluar që të mos e pengojë kundërshtarin kur po gabon.
“Diella pa parlamentin sot dhe sapo më tha: Humbës nuk është kush rrëzohet, po është ai që gërmon aty ku ra! Si i bëhet e pyeta? Kurrë mos e pengo tha, kundërshtarin që po gabon”- u shpreh kryeministri duke thënë se pas seancës së sotme ishte konsultuar me ministren virtuale të krijuar nga Inteligjenca Artificiale. Versus.al
Dumani e Çela "bojkotojnë" seancën e parë të Kuvendit

Në seancën parlamentare të ditës së sotme përveç deputetëve, ishin të pranishëm edhe përfaqësuesit e ambasadave të huaja në vendin tonë. Gjithashtu siç ndodh tradicionalisht në Kuvend mbërritën edhe përfaqësuesit e komuniteteve fetare.
Por ajo çfarë u vu re ishte mungesa e dy institucioneve, Prokurorisë së Posaçme (SPAK) dhe Prokurorisë së Përgjitshshme. Pavarësisht se ishin rezervuar ulëset përkatëse për këto dy institucione, nuk pati përfaqësues të tyre të pranishëm. Versus.al
Mbyllet me tension seanca e parë e Kuvendit, opozita bllokon foltoren me fotot e zyrtarëve të PS
Seanca e parë e legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë u hap me himnin kombëtar që u respektua nga deputetët e pranshëm dhe nga ambasadorët e huaj së bashku me krerët fetarë.
Me të përfunduar himni, deputetët demokratë nxorrën dhe lanë në tavolinat e tyre fotot të secilit prej zyrtarëve të lartë të PS të cilët i akuzojnë si të përfshirë në afera korruptive. Mes fotove ishte edhe ajo e Alex Soros, djalit të miliarderit George Soros për të cilin opozita e akuzon Ramën se ka lidhje klienteliste.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ishte i ulur në rreshtin e ulëseve të deputetëve të PS në pritje të fjalës hapëse që u mbajt nga Vasil Llajo. Pas votimit të komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve të zgjedhur, seanca për konstituimin e Kuvendit do të rinisë sot në orën 17:00. Versus.al
Me foton e Alex Soros dhe ministrave, protesta e opozitës në nisje të seancës! I pranishëm edhe Rama
Seanca e parë e legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Shqipërisë u hap me himnin kombëtar që u respektua nga deputetët e pranshëm dhe nga ambasadorët e huaj së bashku me krerët fetarë.
Me të përfunduar himni, deputetët demokratë nxorrën dhe lanë në tavolinat e tyre fotot të secilit prej zyrtarëve të lartë të PS të cilët i akuzojnë si të përfshirë në afera korruptive. Mes fotove ishte edhe ajo e Alex Soros, djalit të miliarderit George Soros për të cilin opozita e akuzon Ramën se ka lidhje klienteliste.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ishte i ulur në rreshtin e ulëseve të deputetëve të PS në pritje të fjalës hapëse që u mbajt nga Vasil Llajo. Versus.al
"Demokracia shqiptare në agoni", Berisha në Kuvend, nuk përjashton bojkotin e zgjedhjeve në Tiranë: Forma më e lehtë
Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha u paraqit në Kuvend pasi kreu homazhet në përkujtimin e ish-deputetit të PD Azem Hajdari. Duke e cilësuar Kuvendin si jo legjitim, Berisha tha se prania e opozitës është një ndër mënyrat për të treguar se është ekzistente dhe se do të luftojë përballë qeverisë.
“Ky është një akt absolutisht në një mjedis jo legjitim dhe ky është një hap që ne bëjmë në një përpjekje më të fuqishme që kjo forcë ka bërë në ekzistencën e saj për çlirimin e shqiptarëve nga narkodiktatura. Ne zotohemi të vazhdojmë këtë betejë me të gjitha forcat tona. Fitorja vjen vetëm me betejë dhe përpjekje, jo me tërheqje. Mund ta kishim nisur në shumë forma, por kjo është prova e ekzistencës së opozitës në Shqipëri. Demokracia shqiptare është në agoni, shteti është zëvendësuar me shtetin e mafias”- tha Berisha.
I pyetur për kandidaturën e PD për bashkinë e Tiranës, Berisha tha se çdo vendim do t’u bëhet i ditur mediave ndërsa nuk përjashtoi as mundësinë e bojkotit duke e cilësuar si ‘më të lehtën”.
“Të gjitha vendimet do t’ju bëhen të ditura, por ju garantoj se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira. Ka dy taktika, edhe mund të bojkotojmë zgjedhjet. Por në përpjekjen e betejës, bojkoti është një formë, por ndoshta forma më e lehtë.
Edi Rama për të mbuluar këtë piramidë krimi që ngrihet sot para shqiptarëve në parlamentin e karteleve të drogës nxori nga qelia përsëri Erion Veliajn dhe do të tërheqë mediat me problemin e bashkisë së Tiranës dhe përmallimin e madh të Ogertës. A e patë ju si u shkri në dënese Ogerta kur mori lajmin se do kandidohet. Janë shashka për mediat dhe opozitën. Ne do marrim drejtimin tonë kryesor, betejën për rikthimin e votës së lirë”- deklaroi më tej kryedemokrati. Versus.al
Të pranishëm edhe ambasadorët e huaj, deputetët e PD mbërrijnë të gjithë në grup, Bardhi: Jemi të bashkuar
Deputetët e Partisë Demokratike kanë mbërritur të gjithë në bashku në Kuvend ku do të zhvillohet sot seanca e parë e legjislaturës së XI-të.
Me në krye Gazment Bardhin i cili u rikonfirmua dje nga Berisha si kryetar i grupit parlamentar, deputetët kanë hyrë në sallën e Kuvendit duke mos dhënë prononcime për mediat.
“Jemi në betejë, jemi të bashkuar”- u shprehën mes të tjerash Bardhi dhe Flamur Noka.
Të pranishëm në seancë janë edhe ambasadorët e huaj në vendin tonë. Pas betimit të deputetëve, do të vijohet me procesin e votimit të propozimit të PS për kryetar Kuvendi, konkretisht Niko Peleshi. Versus.al







