Çfarë do të gjeni në brendësi
*Qeveria ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, ku ministrat kanë raportuar mbi vendimet dhe zhvillimet kryesore në disa sektorë. *Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo, u ndal te “Paketa e Maleve”, duke theksuar rëndësinë e saj për zhvillimin lokal dhe nxitjen e ekonomisë në zonat malore. *Demo komentoi edhe sulmin kibernetik ndaj Postës Shqiptare, duke bërë të ditur se po vijojnë analizat nga strukturat përkatëse dhe se shërbimet e institucionit vazhdojnë normalisht. *Bordi i Transparencës, do të shqyrtojë situatën e tregut dhe do të dalë me vendime konkrete. *Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, deklaroi se në QSUT pas datës 20 nuk do të mund të kryhen analizat për pacientët e shtruar, për shkak të mungesës së fondeve.
Paketa e Maleve, Demo: Nuk zgjidh çështjet e pronësisë, por synon zhvillimin lokal

Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka sqaruar se “Paketa e Maleve” nuk ka për qëllim zgjidhjen e çështjeve të pronësisë, por shërben si instrument për zhvillimin lokal të zonave malore.
Ai theksoi se procesi nuk është i kufizuar në nivel qendror, por zbatohet nga bashkitë, të cilat vendosin për zonat ku e shohin të arsyeshme dhe ndjekin procedurat përkatëse.
“Paketa e Maleve është më e gjerë se lokacioni lokal. Janë vetë bashkitë që vazhdojnë procesin në zonat ku e sheh të arsyeshme, janë ata që ndjekin procedurat. Paketa e Maleve nuk është nisëm për zgjidhjen e pronësisë. Është instrument për zhvillimin lokal.
Bëhet fjalë që një aplikant duhet të plotësojë dy kushte, duhet ta ketë zotëruar atë pronë të paktën 10 vite, ose të jetë e tij, i kanë ndarë tokat, por që nuk ka letrat e nevojshme. Bashkia pasi bën verifikimet jep afat 45 ditë. Garancia më e madhe është Bashkia, që të garantojë plotësimin e kushteve”, tha Demo./Versus.al
Sulmi kibernetik në Postën Shqiptare, Demo: Po kryhet analizë e detajuar, shërbimet vijojnë normalisht
Pas përfundimit të mbledhjes së qeverisë, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, ka folur për mediat duke u ndalur edhe te sulmi i fundit kibernetik ndaj sistemeve të Postës Shqiptare.
Ai bëri të ditur se aktualisht po zhvillohet një analizë e detajuar nga Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, në bashkëpunim me ekspertët e Postës Shqiptare, me qëllim zbardhjen e plotë të natyrës dhe përmasave të incidentit.
Sipas tij, pavarësisht sulmit, shërbimet e Postës Shqiptare vijojnë të funksionojnë normalisht dhe deri më tani nuk ka asnjë tregues që sistemet apo të dhënat të jenë komprometuar apo enkriptuar.
“Momenti që flasim është duke u zhvilluar një analizë e detajuar nga autoriteti i kibernetikës, po ashtu dhe nga ekspertët e postës. Të gjitha shërbimet vazhdojnë normalisht, nuk ka të dhëna deri tani që janë të inkriptuara. Duhet të presim raportin përfundimtar,” u shpreh Demo.
Ai theksoi gjithashtu se strukturat përgjegjëse për sigurinë kibernetike në vend kanë kapacitetet e nevojshme për të garantuar integritetin e të dhënave publike, duke shtuar se Shqipëria ka bërë progres në këtë drejtim./Versus.al
Nafta mbi 214 lekë/litër: Vihet në lëvizje Bordi i Transparencës, qeveria shqyrton uljen e akcizës dhe kufizimin e fitimeve

Ministri Ervin Demo ka njoftuar se Bordi i Transparencës do të mblidhet gjatë ditës së sotme për të shqyrtuar situatën e çmimeve të karburanteve në vend, në një kohë kur nafta vijon të tregtohet mbi 214 lekë për litër.
Mbledhja pritet të fokusohet në diferencat mes çmimeve të bursës dhe atyre që aplikohen në tregun vendas, ndërsa në përfundim të saj pritet të merret një vendimmarrje konkrete.
“Bordi sot do të mblidhet, po merret gjithë informacioni sa i përket lëvizjes së çmimeve dhe ndryshimit që ka vetë çmimi i bursës me atë që ne shohim. Bordi do të dalë me një vendimmarrje sot.
Nuk mund të flas në detaje, por rritja e çmimit të naftës dhe aq më tepër inflacioni që sjell në produktet në një bazë të gjerë kërkon një kohë të caktuar dhe ajo çfarë jemi duke bërë është të garantojmë transparencën, duke filluar jo vetëm me produktet bazë, por dhe me produktet si nafta që kanë të bëjnë me energjinë dhe të mos ketë spekulim në treg. Mos përdoret kjo situatë për të spekuluar në kurriz të qytetarëve”, u shpreh Demo.
Paralelisht, qeveria po shqyrton edhe mundësinë e uljes së akcizës së naftës me 20%, nga niveli aktual prej 38.8 lekësh për litër, si masë për të lehtësuar kostot për qytetarët dhe bizneset.
Në fuqi mbetet gjithashtu edhe Task-Forca për kontrollin e tregut të hidrokarbureve, e cila synon të monitorojë çmimet dhe të parandalojë çdo formë abuzimi apo spekulimi në treg./ Versus.al
Ministrja e Shëndetësisë: Pas datës 20 të çdo muaji, QSUT nuk do bëjë analiza për të shtruarit, s'ka fonde!

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, ka deklaruar se në QSUT pas datës 20 nuk do të mund të kryhen analizat për pacientët e shtruar, për shkak të mungesës së fondeve.
Ajo theksoi se po bëhet mbledhja dhe vlerësimi i të dhënave për të gjetur një zgjidhje sa më të shpejtë, duke garantuar se shërbimi nuk do të mungojë.
“Aktualisht po vlerësojmë, kemi të gjithë të dhënat, e mbi bazën e të dhënave planifikimin e mirë të shërbimit. Nuk duhet të mungojnë analizat dhe këtë po e adresojmë dhe do ta zgjidhim brenda këtij viti”, tha ministrja.
Gjithashtu, Evis Sala njoftoi se qeveria ka miratuar ndryshime në funksionimin e Komisionit të Çmimeve të Barnave, me synim rritjen e transparencës dhe përshpejtimin e procedurave për furnizimin me ilaçe.
Sipas saj, këto masa synojnë të sigurojnë një furnizim të qëndrueshëm me barna në treg, veçanërisht për medikamentet që janë të vetmet të disponueshme./Versus.al

