Çfarë do të gjeni në brendësi
*Moti i keq ka përfshirë gjithë vendin që prej mesnatës së mbrëmshme. Reshjet e shiut në formë shtrëngatash dhe era e fortë kanë shkaktuar probleme në disa zona. *Në Lezhë ka patur përmbytje në disa lagje të qytetit për shkak të bllokimit të kanalizimeve. Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Krujë ku bllokimet e kanaleve kanë shkaktuar përmbytjen e disa tokave bujqësore. *Në Mat një banesë është përmbytur duke sjellë evakuimin e familjes që banonte aty. *Në Vlorë era e fortë ka rrëzuar disa pemë në qytet duke shkaktuar bllokim të qarkullimit. Ndërsa në Shkodër, reshjet e shiut mbrëmjen e djeshme dhe era e fortë dëmtuan aksin rrugor Breg Lumi-Theth duke shkaktuar prani inertesh në rrugë.
Moti i keq, përmbytet një banesë në Mat, evakuohet familja! Prani inertesh në disa rrugë, si paraqitet situata në vend
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka dhënë detaje mbi situatën e reshjeve të shiut në vend dhe pasojat e sjella në qarqe të ndryshme. Në Shkodër vijon të mbetet i bllokuar segmenti rrugor Breg Lumi-Theth.
Në Fushë-Arrëz raportohen për ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar pasi pritet të ketë reshje të vazhdueshme shiu me intensitet të lartë në disa zona të vendit. Përveç problematikave të raportuara nga agjencia e Mbrojtjes Civile, situata paraqitet e rënduar në bashkinë e Matit ku një banesë në fshatin Rreth Bazë është përmbytur ndërsa familja është evakuuar.
Njoftimi i plotë:
Situata meteorologjike në vend paraqitet kryesisht e qetë, me reshje me intensitet të ulët deri mesatare dhe pa probleme serioze në nivel kombëtar.
Në qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje, pasdite dëmtuan segmentin rrugor Breg Lumi–Theth, ku 9 persona dhe 5 mjete mbetën të bllokuar. Falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave bashkiake, Policisë së Shtetit dhe efektivëve të FA, personat u evakuuan me sukses. Rruga mbetet e bllokuar dhe po pastrohet nga inertet, me mbështetjen e 10 efektivëve të FA.
Në bashkinë Fushë Arrëz janë raportuar ndërprerje të energjisë për shkak të erës së fortë.
Në qarkun e Lezhës, në aksin Lezhë–Shëngjin është rrëzuar një pemë, e cila ka dëmtuar linjat elektrike dhe ndërprerë energjinë. Në rrugën Lezhë–Balldren ka prezencë inertesh dhe forcat operacionale po punojnë për pastrimin e saj.
Në qarqet e tjera të vendit nuk raportohen problematika nga moti.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, në 24 orët e ardhshme priten reshje të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar, ndërsa në Shkodër, Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të intensifikohen në formë shtrëngatash. Nga pasditja deri në orët e para të mëngjesit, reshje të shumta priten edhe në Lezhë, Durrës dhe Tiranë, të shoqëruara me shkarkesa elektrike. Parashikohet mjegull dhe shikueshmëri e reduktuar në zona luginore.
Ministria e Mbrojtjes dhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile janë në gatishmëri të plotë, në koordinim të strukturave për përballimin e pasojave të mundshme nga moti i keq. Ju lutemi banorëve të zonave, ku mund të paraqiten probleme të kontaktojnë me autoritetet vendore! Versus.al
Era e fortë rrëzon pemët në Vlorë, bllokohet qarkullimi

Moti i keq ka goditur edhe Vlorën gjatë orëve të para të mëngjesit. Erërat e fuqishme kanë rrëzuar një pemë shumëvjeçare në zonën pranë rrugës kryesore duke krijuar rrezik për kalimtarët dhe automjetet.
Në pyllin e Sodës disa pisha janë rrëzuar nga era e fortë duke shkaktuar bllokim të segmentit rrugor që të çon në fshatin Zvërnec. Për pasojë qarkullimi është vështirësuar, ndërsa pritet ndërhyrja e strukturave bashkiake.
Deri më tani në Vlorë nuk raportohet për problematika të përmbytjeve. Versus.al
Kanalet kulluese të papastruara, përmbyten sipërfaqet e arave në Krujë, rrezikohen edhe banesat

Reshjet e shiut pas mesnatës së mbrëmshme kanë shkaktuar përmbytje edhe në Krujë, kryesisht në fshatrat Bilaj, Murqinë, Mallkuc etj. Si pasojë e bllokimit të kanaleve kulluese, sipërfaqet me të mbjella janë mbuluar nga uji.
Raportohet se sipërfaqe të mëdha toke janë nën ujë nga uji i kanaleve të bllokuara. NSipas banorëve, niveli i ujit ka arritur pika alarmante, pasi rrezikohet që, nëse reshjet do të vijojnë me të njëjtin intensitet, të përmbyten përveç arave edhe biznese e banesa.
Shkak kryesor për përmbytjet është bërë mospastrimi i kanaleve prej dekadash tashmë. Versus.al
Reshjet e dendura të shiut në Lezhë, përmbytje në disa lagje dhe mungesë e energjisë elektrike

Lezhë- Reshjet e shiut kanë përmbytur disa lagje të qytetit gjatë mesnatës. Në lagjet “11 janari” dhe “Besëlidhja” sistemi i kanalizimeve nuk ka arritur të përballojë prurjet e mëdha të reshjeve të shiut duke shkaktuar përmbytje në një sipërfaqe prej rreth 11.2 hektarësh.
Mësohet se niveli i ujit ka arritur deri në 40 centimetra duke bllokuar hyrjet e pallateve dhe duke vështirësuar qarkullimin e këmbësorëve dhe automjeteve.
Gjithashtu edhe në disa segmente të aksit Lezhë-Shëngjin ka patur përmbytje. Në pjesën më të madhe të territorit të qarkut raportohet edhe mungesë e energjisë elektrike për shkak të motit të keq. Ekipet përkatëse po punojnë për normalizimin e situatës. Versus.al
