Çfarë do të gjeni në brendësi
*Sot avokatët e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi janë paraqitur në SPAK për të firmosur zyrtarisht mbylljen e hetimeve për aferën e privatizimit të ish-kompleksit Partizani. *Tashmë pritet hedhja e shortit për anëtarët e trupës gjykuese të cilët do të vendosin ta marrin në shqyrtim çështjen, ta kthejnë për plotësim hetimi në SPAK, apo ta pushojnë. *Menjëherë pasi avokatja e tij Klodiana Gjyzeri tërhoqi aktet hetimore nga ambientet e SPAK, Berisha doli në një konferencë për mediat ku përsëriti akuzat se ndaj tij po zhvillohet një proces politik dhe se nuk ka asnjë shkelje në veprimet e kryera prej tij në privatizimin e ish-kompleksit sportiv. *Ai tha se me arrestimin e tij dhe procese të tjera penale ndaj personaliteteve të opozitës si Meta, Mediu e Salianji, Rama po synonte të siguronte mandatin e tij të katërt qeverisës. *Sa i takon mundësisë së koalicionit parazgjedhor me Metën dhe futjes së këtij të fundit në listat e PD, Berisha tha se kreu i Partisë së Lirisë nuk ka nevojë për shpërblim dhe se partia që drejton, ka arritur tashmë një pozitë të konsoliduar në Kuvend si forca e tretë politike.
Meta në zgjedhje me logon e PD? Berisha: Nuk është shpërblim, PL forcë e tretë
I pyetur për takimin e zhvilluar ditën e djeshme mes Ilir Metës dhe Flamur Nokës ku u diskutua strategjia për të dalë në koalicion parazgjedhor, kryedemokrati Sali Berisha tha se nuk ka një projekt konkret dhe se Meta nuk ka nevojë për shpërblim pasi ka një pozitë të konsoliduar në Kuvend.
Ai nuk sqaroi nëse kandidatët e PL do hynin në zgjedhje me logon e PD-së por theksoi se do të ketë takim tjetër për shqyrtimin e mënyrës sesi do të hyjnë në zgjedhje.
Pyetje: Flamur Noka ka zhvilluar takime me Ilir Metën për mënyrën si do paraqitet kjo parti apo edhe parti të tjera në zgjedhje, duke përfshirë në listat e PD apo më vete. Tej diskutimeve që keni bërë, pavarësisht se Meta ka deklaruar se do të dalë me logon dhe flamurin e PL, ju apo Noka në emrin tuaj ka dorëzuar në tryezën e Ilir Metës për ta përfshirë atë dhe përfaqësues të tjerë të PL në listat e PD?
Sali Berisha: Janë diskutime, nuk ka projekt të dorëzuar, por diskutimet në këtë fazë janë të përqendruara totalisht në bashkëveprimin tonë për në protesta të përgjithshme dhe krijimin e qeverisë teknike. Kjo është tema jonë e ditës.
Ilir Meta nuk ka nevojë për shpërblim, Ilir Meta është i konsoliduar, partia e tretë më e madhe në vend, se secili do të jetë koalicioni, por jo shpërblim por me interes të përbashkët bilateral do të shqyrtohet në kohërat që vijnë.
Nga ana tjetër, vetë Meta deklaroi dje se nuk ka një vendim konkret për mënyrën sesi Partia e Lirisë do të hyjë në zgjedhje duke shtuar se do të shihet mundësia e maksimizimi të votës së opozitës për të marrë sa më shumë mandate. Ilir Meta do të kandidojë në listat për deputetë në qarkun e Tiranës. Versus.al
“Më arrestoi mua dhe persekutoi Metën”, Berisha paralajmëron mandatin e katërt të Ramës: Ja si e nisi fushatën elektorale
Pas mbylljes së hetimeve të SPAK për dosjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani, kryedemokrati ka mbajtur një konferencë online me gazetarët, ku ka sulmuar prokurorët e posaçëm duke i akuzuar se i gjithë procesi hetimor ndaj tij ka qenë politik.
Berisha tha se hetimet ndaj tij nisën pas urdhrit të diplomatëve amerikanë të cilët i konsideroi si “të korruptuar”. Ndërsa tha se pavarësisht se kryeministri Edi Rama, asokohe kryebashkiak i Tiranës kishte firmsur 7 herë në procesin e ndryshimit të destinacionit të pjesshëm të klubit, sërish nuk është thirrur na SPAK për t’u marrë në pyetje.
“Pretendohet se Sali Berisha për të pasuruar dhëndrin e tij privatizoi klubin Partizani. Mashtrime nga Rama, Arben Kraja dhe Millonai. Privatizimi ka filluar në vitin 2005 nga Anastas Angjeli, Bledi Klosi dhe Pandeli Majko.
Ky proces i nisur nga të përmendurit më sipër në përputhje me ligjin e pronave të vitit 2004 përmbante detyrimin ligjor të rikthimit të kësaj toke tek te shpronësuarit. Në piramidën e tyre të mashtrimit,
Destinacionin e një pjese të klubit të Partizani, e ndryshoi Edi Rama pa asnjë kërkesë të pronarëve të tokës apo ndonjë institucioni shtetëror. Në procesin e ndryshimit të destinacionit, ka 7 firma. Prokurorët e prokurorisë politike, nuk kanë guxuan ta thërrasin një herë të vetme për të dhënë shpjegime për firmat e tij të cilat ia atribuojnë Sali Berishës”- tha ish-kryeministri.
Gazetarët e pyetën kryedemokratin për përgatitjet që opozita po bën në kuadër të zgjedhjeve, ndërsa Berisha u përgjigj se konferencat e tij për të mirën personale të tij por të opozitës.
“Kjo që bëj mendoj se është kontribut thelbësor që opozita shqiptare jep në mbrojtje të parimeve themelore të rendit kushtetues, shtetit ligjor. Mendoj se kjo që bën Sali Berisha është në interesin absolut më të mirë dhe jetik të çdo qytetari që beson se nuk ka demokraci me një drejtësi të kontrolluar gjer në palcë.
Nuk ka opozitë duke vendosur në arrest kreun pa asnjë fakt apo provë. Kushdo që e shikon këtë si një akt personal, ai bie fatkeqësisht në kurthin e Edi Ramës, por ky është mision opozitar. Të flasësh për zgjedhje dhe proces elektoral në kushtet kur Rama vendos të marrë mandatin e katërt duke mbajtur të arrestuar liderin e opozitës dhe duke ndërtuar një piramidë mashtrimi, është rënie në kurthin e ngritur”- pretendoi Berisha.
Ai shtoi më tej se Rama ka përgatitur marrjen e mandatit të katërt qeverisës me arrestimin e tij dhe proceset penale ndaj personaliteteve të opozitës.
“Theksoj se Rama e ka nisur fushatën elektorale me arrestimin tim, ndjekjen penale të Fatmir Mediut, arrestimin e Fredi Belerit, persekutimin politik të Ilir Metës, ndjekjen penale të Ervin Salianjit. Kjo hapje e fushatës elektorale, nuk garanton as në Rusinë e Putinit dhe as në Venezuelë”- shtoi ish-kryeministri. Versus.al
SPAK mbylli hetimet për Berishën dhe dhëndrin, ‘sagë’ gjyqesh apo pushim i çështjes? 3 skenarët për dosjen 'Partizani' në GJKKO

Të hënën, Prokuroria e Posame (SPAK) njoftoi mbylljen e hetimeve për dosjen hetimore të aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani, për të cilën u morën të pandehur 5 persona, mes tyre edhe ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi.
Sot, avokatët përkatës të këtyre dy të fundit u paraqitën në SPAK ku firmosën mbylljen e hetimeve dhe morën në dorëzim dosjen voluminoze të akteve hetimore me 500 faqe ku Sali Berisha akuzohet për korrpsion pasiv dhe dhëndri i tij Malltezi, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash.
Por çfarë pritet të ndodhë pas firmës së avokatëve?
Ka disa skenarë të cilët mund të vihen në zbatim, tashmë që dosja do të kalojë në Gjykatën e Posaçme. Skenari i parë është që pas hedhjes së shortit, trupa gjykuese e përcaktuar të marrë për shqyrtim dosjen dhe të caktojë datën e seancës së parë gjyqësore duke nisur kështu atë që pritet të jetë ‘sagë’ gjyqesh për kryedemokratin dhe dhëndrin e tij.
Skenari i dytë është që, GJKKO të mos pranojë për shqyrtim aktet hetimore dhe ta kthejë dosjen për plotësim faktesh, në rast të mangësive në dosjen hetimore të përgatitur nga prokurorët e SPAK, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai.
Ndërsa skenari i tretë është që GJKKO të mbyllë çështjen dhe të ndalojë të gjitha veprimet proceduriale hetimore, gjë që ka pak gjasa të ndodhë. Por në këtë rast, Berisha, dhëndri i tij Malltezi si dhe tre të pandehurit e tjerë, ndërtuesi Fatmir Bektashi, juristja Andia Pustina dhe Xhimi Begeja shpallen të pafajshëm.
Ndër këto tre skenarë, ky i fundit është me më së pakti mundësi të ndodhë, pasi SPAK duket se ka kopsitur një dosje të tërë ndaj të gjithë të pandehurve, duke renditur në dosje edhe veprime me llogaritë bankare të të hetuarve, nga ku doli se Jamarbër Malltezi i cili akuzohet edhe për pastrim parash, kishte paguar qindra mijëra euro fatura për studio ligjore në kuadër të procesit gjyqësor që vjehrri i tij Sali Berisha po ndjek ndaj SHBA dhe Britanisë së Madhe ku është shpallur non-grata. Versus.al
Afera ‘Partizani’, avokatët e Berishës e Malltezit firmosin mbylljen e hetimeve! Gjyzari del nga SPAK e buzëqeshur

Tiranë- Sot avokatja Klodiana Gjyzari është paraqitur në ambientet e SPAK ku ka firmosur për mbylljen e hetimeve lidhur me dosjen e aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani për të cilën është marrë i pandehur edhe klienti i saj, ish-kryeministri Sali Berisha.
Ky i fundit dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi po ashtu i pandehur, kanë dërguar avokatët për të firmosur mbylljen e akteve hetimore. Ishte avokati Klodian Skënderi ai që firmosi për mbylljen e hetimeve ndaj Malltezit. Në fotot që gazetarët shkrepën jashtë ambienteve të SPAK, shihet avokatja e Berishës, Klodiana Gjyzari e cila del e buzëqeshur me dosjen voluminoze në duart e saj.

Tashmë, me mbylljen e hetimeve pritet hedhja e shortit për caktimin e gjyqtarëve të cilët do të merren me gjykimin e çështjes. Këta të fundit kanë mundësi të vazhdojnë procesin gjyqësor ose ta kthejnë dosjen për plotësim hetimesh.
Në total të pandehur për aferën, janë marrë 5 persona nën akuza të ndryshme, konkretisht:
Ish-kryeministri Sali Berisha në arrest shtëpie prej muajit dhjetor, akuzohet për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij
Jamarbër Malltezi, dhëndri i Sali Berishës dhe një prej trashëgimtarëve të pronave në ish-kompleksin sportiv të Partizanit, akuzohet për korrupsion pasiv dhe pastrim parash
Fatmir Bektashi, ndërtuesi i kullave në kompleks, akuzohet për korrupsion aktiv të zyrtarëve të lartë, në këtë rast të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe për pastrim parash
Andia Pustina, juristja që ka kryer veprimet proceduriale në kalimin e pronësisë, akuzohet për pastrim parash
Xhimi Begeja, kushëri dhe ortak i Jamarbër Malltezit, akuzohet për pastrim parash.
Sa i takon akuzave që përmnden për Berishën në dosjen hetimore prej 500 faqesh, ish-kryeministri ka akuzuar prokurorët e SPAK se po zbatojnë urdhërat politikë të kryeministrit Edi Rama i cili sipas tij ka qëllim dëmtimin e opozitës në prag të zgjedhjeve parlamentare 2025. Versus.al








