Çfarë do të gjeni në brendësi
*Policia e Bulqizës referoi sot në SPAK materialet për deputetin e Partisë Demokratike Xhelal Mziun dhe nipin e tij të cilët i akuzon se kanë dhunuar me grushte Kalosh Murrën, zyrtarin e njësisë administrative të Ostrenit. *Murra pretendoi se ishte dhunuar në krye të detyrës sapo Mziu kishte përfunduar një miting elektoral me banorët e zonës. Sherri raportohet të ketë ndodhur ditën djeshme rreth orës 13:00. *Për këtë pretendim të policisë, reagoi edhe vetë Mziu i cili kandidon për një tjetër mandat deputeti në qarkun e Dibrës. Në shkrimin e bërë në rrjetet sociale, Mziu shprehet se Murra ka kërcënuar dhe intimiduar qytetarët që të mos merrnin pjesë në takimet elektorale të PD. Ndërsa shtoi se ai thjesht e kishte paralajmëruar për denoncim. Pas kësaj, sipas Mziut, babai i një kandidati të PS në këtë zonë, ka dhunuar kreun e forumit të PD në Bulqizë.
Nën hetim për dhunën ndaj zyrtarit në Bulqizë, reagon Mziu: E pavërtetë! Intimidonte qytetarët së bashku me strukturat e PS

Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu ka reaguar nëpërmjet një shkrimi të gjatë në rrjetet sociale lidhur me sherrin e ndodhur ditën e djeshme në fshatin Ostren të Bulqizës, për të cilin policia referoi materialet në SPAK duke e akuzuar ligjvënësin se së bashku me nipin e tij, kanë goditur zyrtarin Kalosh Murra.
Mziu shprehet se ngjarja ka qenë krejt ndryshe nga sa raportohet dhe se Kalosh Murra, punonjësi i njësisë administrative të Ostrenit, po intimidonte pjesmarrësit në mitingun e Partisë Demokratike, duke bërë që një pjesë e tyre të largoheshin.
Mziu tha se pas shqetësimeve që i kishin shprehur qytetarët, ai kishte komunikuar me Murrën të cilit i kishte bërë thirrje që të mos intimidojë njerëzit. Më tej, sipas deputetit demokrat, Kalosh Murra komunikoi me përfaqësues të PS që ndodheshin pak metra më larg dhe Jeton Dani, babai i kandidatit të PS së bashku me disa persona të tjerë kanë dhunuar kreun e forumit të PD në Bulqizë.
Reagimi i plotë:
Nisur nga deklaratat politike të policisë së qarkut të Dibrës lidhur me ngjarjen e ndodhur dje në Ostren të Bulqizës sqarojmë se situata ka qenë totalisht ndryshe, nga çfarë deklaron Policia.
Së pari dua të të them që në çdo takim që kam realizuar në qarkun e Dibrës, strukturat lokale të Partisë Socialiste me Kryetar njësishë administrative, punonjës të ndihmës ekonomike përpërfaqësues të strukturave të arsimit, shëndetsisë, policisë, etj vazhdimisht kanë intimiduar dhe kërcënuar qytetarët që të mos vijnë në takimet tona, apo të largohen teksa i pikasin në këto takime. Janë me dhjetra qytetarë të kësaj që jo vetëm si kandidat i opozitës, por edhe si deputet më kanë shprehur këto shqetësime.
Këto sjellje arrogante dhe kriminale të zyrtarëve dhe përfaqësuesve të Partisë Socialiste u shtuan edhe më shumë ditët e fundit, në takimet e realizuar dje në Trebishtë në orën 09.00 dhe akoma më keq në Ostren në orën 11.30.
Në takimin e Ostrenit, në mënyrë demonstrative, punonjësi i ndihmës ekonomike në Bashkinë Bulqizë po intimidonte pjesëmarrësit, ku një pjesë u larguan pas këtyre kërcënimeve dhe një pjesë tjetër shprehën shqetësimin për heqjen e ndihmës ekonomike.
Pas shqetësimit që ngritën vetë banorët e kësaj zone, kam komunikuar me personin në fjalë që rrinte përpara vendit të takimit, dhe i kam kërkuar të mos intimidojë qytetarët, e aq më tepër të mos përdorë pozicionin e punës për shantazhimin e qytetarëve me heqjen e ndihmës ekonomike në rast të mbështetjes dhe votimit për Partinë Demokratike. Madje e kam paralajmëruar se për veprimet e tij të paligjshme do ta kallëzoj në Prokurori. Pas paralajmërimit për denoncomin e tij, personi në fjalë ka komikuar me përfaqësues të Partisë Socialiste dhe Kandidatin e kësaj force, të cilët ndodheshin pak metra më larg, çka konfirmon se e gjitha ishte e inskenuar dhe organizuar për të shantazhuar qytetarët.
Në pak minuta para vendit ku u mbajt takimi i përfaqësuersve të opzitës, kanë mbërriur Jeton Dani babai i kandidatit të PS dhe mbështetës të tij dhe kanë ushtruar dhunë barbare ndaj kryetarit të Forumit të PD Bulqizë. Për të shuar konfliktin ka ndërhyrë kryetari i PD Bulqizë avokat Shaqir Manjani të cilin e kanë goditur pas shpine.
Sjellja e Policisë ngre dyshimet për dijeni apo në mos të jetë e përfshirë në këtë ngjarje, pasi jo vetëm që manipuloi ngjarjen dhe shpërndau një informacion të rrem, por ka refuzuar që të marrë denoncimin e drejtuesve të PD Bulqizë.
I bëjmë thirrje SPAK të sekuestrojë pamjet e kamerave në zonë, dhe të hetojë ngjarjen ku janë dhunuar kryetari dhe përfaqësues së PD Bulqizë.
Bërja palë e Policisë në ngjarjen kriminale të goditjes së opozitës, shtohet edhe më shumë për faktin se Drejtori i policisë së Dibrës ka lidhje familjare me Jeton Danin, babai i kandidatit të Partisë Socialiste.
I bëjmë thirrje punonjësve të bashkive dhe policisë që të mos intimidoni dhe kërcënoni qytetarët. Sigurojmë qytetarët e Bulqizës dhe të gjithë Dibrës se këto manipulime të Partisë Socialiste dhe policisë së shtetit nuk do të na trembin. Versus.al
Deputeti Xhelal Mziu dhe nipi i tij rrahin zyrtarin e njësisë administrative! Policia i kallëzon në SPAK

Dibër- Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu është kallëzuar në SPAK nga drejtoria vendore e policisë së Bulqizës nën akuzën se së bashku me nipin e tij kanë dhunuar një zyrtar të njësisë administrative të Ostrenit.
Sipas njoftimit, ngjarja raportohet të ketë ndodhur dje pas një takimi elektoral në fshatin e Ostrenit. 58 vjeçariu Mziu dhe E.M 36 vjeç, djali i vëllait të tij, dhunuan 33 vjeçarin Kalosh Murra i cili raportohet të jetë nënpunës i njësisë administrative.
Pas raportimit të ngjarjes, policia ka nisur hetimet dhe ka referuar materialet në SPAK për veprën penale “kanosje të pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Kalosh Murra pretendoi se ishte dhunuar në krye të detyrës, ndërsa mohoi të ketë qenë i angazhuar në fushatë për ndonjë palë politike. Versus.al








