Çfarë do të gjeni në brendësi
*Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) hodhi poshtë kërkesat e pavlefshmërisë për zgjedhjet në Tiranë, por vendosi një rinumërim të plotë në 1,282 qendra votimi, falë votës së dy anëtarëve të propozuar nga PD-ja, duke ndezur shpresat për një proces më transparent dhe me ndikim të mundshëm në rezultatin final. *Në Dibër, KAS autorizoi hapjen e 44 qendrave të votimit për rinumërim të votave preferenciale të PD-së, një lëvizje kyçe për sqarimin e renditjes së kandidatëve në një qark ku demokratët pësuan humbje të thellë. *Ndërkohë, kërkesa për rinumërim dhe pavlefshmëri në Kukës u rrëzua, duke i dhënë kështu fund betejës së PD-së për ndryshime të mëtejshme atje, megjithëse akuzat për intimidim vazhdojnë të qëndrojnë në tryezë.
KAS merr vendimin për Dibrën, do hapen 44 qendra votimi për votat preferenciale të PD
Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve ka marrë vendimin për të hapur 44 qendra votimi në qarkun e Dibrës, ku do të rinumërohen votat e Partisë Demokratike.
Rinumërimi do të fokusohet tek votat preferenciale të kandidatëve të PD-së, për të sqaruar renditjen e tyre në këtë qark.
Vendimi pritet të ndikojë në përfundimin e përzgjedhjes së deputetëve për këtë zonë, duke garantuar më shumë transparencë dhe saktësi në proces.
Kujtojmw se nga rezultati i zgjedhjeve të 11 majit, në qarkun e Dibrës demokratët pësuan një humbje të thellë, duke mos përfituar asnjë mandat nga lista e hapur.
Kështu në Parlament PD-ja do të çojë vetëm dy deputetët e listës së mbyllur, Xhelal Mziu dhe Denisa Vata, ndërkohë që jashtë mbeten ish deputetët Xhemal Gjunkshi dhe Përparim Spahiu.
Nga ana tjetër PS-ja, përveç Blendi Klosit dhe Alma Selamit, deri tani nga lista e hapur do të çojë në Parlament dhe ish-kryebashkiakun e Matit, Agron Malaj.
Pas numërimit të të gjitha kutive për votat preferenciale ish-efektivi i Gardës së Republikës në 21 Janar ka marrë 12616 vota, duke lënë pas kandidatët e tjerë të listës së hapur. Versus.al
Përmbysje rezultati? Rinumërim masiv në Tiranë, KAS vendos të hapen mbi 1 mijë qendra votimi

Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve (KAS) ka rrëzuar kërkesat për pavlefshmëri të zgjedhjeve në Qarkun e Tiranës, por ka vendosur që të bëhet rinumërimi i plotë i votave në të gjitha 1,282 qendrat e votimit të këtij qarku.
Vendimi erdhi pas votës së dy anëtarëve të KAS që janë propozuar nga Partia Demokratike, duke i dhënë dritën jeshile një procesi të ri verifikimi për partitë politike dhe kandidatët në kryeqytet.
Megjithëse data për nisjen e rinumërimit nuk është caktuar ende, ky vendim përbën një zhvillim të madh në kontekstin e tensioneve post-zgjedhore dhe pretendimeve për manipulim të rezultatit. Procesi pritet të kryhet nën vëzhgimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe përfaqësuesve të forcave politike. Tashmë sytë janë tek rinumërimi, i cili mund të sjellë ndryshime në rezultatet përfundimtare të qarkut më të madh elektoral në vend. Versus.al
PD kërkoi ripërsëritje të zgjedhjeve në qarkun e Kukësit, KAS merr vendim
Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve ka lënë në fuqi vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për mos të pranuar kërkesën e PD për ripërsëritje të zgjedhejve në qarkun e Kukësit.
Pavarësisht se fituan 2 mandate përballë 1 mandati të PS, demokratët kërkuan pavlefshmëri të rezultatit dhe rivotim për qarkun e Kukësit. Sipas PD, ka patur intimidim të zgjedhësve dhe kërcënimin e tyre për të votuar për PS.
Synimi i demokratëve ishte marrja e mandatit të tretë në këtë qark duke e lënë PS-në pa deputet, por KAS ka miratuar tabelën e rezultateve të nxjerra nga KQZ. Versus.al







