Çfarë do të gjeni në brendësi
*Kryeministri Edi Rama zgjodhi këtë të diel për të folur në lidhje me vëllain e tij, Olsi Rama për të cilin SPAK tha se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në aktivitetin kriminal, ashtu siç e denoncoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, si i përfshirjë në dosjen ‘Xibraka’. *Në deklaratë për mediat Rama tha se kundërshtarët politikë e kanë bërë kriminelë, duke thënë se asnjëherë nuk ka kryer ndonjë krim në jetë. Rama deklaroi se paratë nuk kanë qenë kurrë tundim për të. Ai tha se shtëpinë e ka ndërtuar me paratë e tij e të bashkëshortes. *Duke shfrytëzuar një mesazh publik pas vendimit të SPAK që nuk gjeti prova për përfshirjen e Olsi Ramës në kokainën e Xibrakës, Kryeministri Edi Rama hodhi një sërë akuzash ndaj opozitës dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i dënojnë me votë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Bardhi reagon për deklaratën e Ramës: 7 pyetjet pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë...
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi ka reaguar, pasi kryeministri Edi Rama tha se vëllai i tij doli i pastër nga SPAK, pas akuzave të opozitës se “kishte lidhje me laboratorin e Xibrakës”.
“Vëllai i Olsit doli sot dhe rilexoi fiks të njëjtin fjalim që mbajti kur opozita akuzonte ish-ministrin Saimir Tahiri si të përfshirë për bashkëpunim me trafikantë droge. Foli gjatë, nuk tha asgjë dhe fytyra i tregonte të kundërtën e asaj që thoshte.
Foli për prova që paska gjetur SPAK që Olsi nuk ka qenë i përfshirë në Laboratorin e “Xibrakës”, por nuk përmendi çfarë konkretisht paska gjetur dhe hetuar SPAK. E vërteta është krejt e kundërt dhe sot mbeten shumë pyetje pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë “hetim” të SPAK-ut për Ols Ramën!”, shkruan Bardhi. Më tej, Bardhi shtron 7 pyetje “pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë “hetim” të SPAK-ut për Ols Ramën!”.
REAGIM I KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI
Vëllai i Olsit doli sot dhe rilexoi fiks të njëjtin fjalim që mbajti kur opozita akuzonte ish-ministrin Saimir Tahiri si të përfshirë për bashkëpunim me trafikantë droge. Foli gjatë, nuk tha asgjë dhe fytyra i tregonte të kundërtën e asaj që thoshte.
Foli për prova që paska gjetur SPAK që Olsi nuk ka qenë i përfshirë në Laboratorin e “Xibrakës”, por nuk përmendi çfarë konkretisht paska gjetur dhe hetuar SPAK.
E vërteta është krejt e kundërt dhe sot mbeten shumë pyetje pa përgjigje që vërtetojnë që s’ka patur asnjë “hetim” të SPAK-ut për Ols Ramën!
Vetëm një Prokurori ku, si rregull, anëtarët paracaktohen për t’i shërbyer pushtetit dhe jo për të zbatuar ligjin, mund të publikonte një njoftim aq qesharak dhe skandaloz me qëllim “shpërlarjen” e Ols Ramës nga dosja e Xibrakës, edhe pse vetë njofton se:
Hetimi nuk ka përfunduar!
Dosja nuk është mbyllur!
Dosja është ripezulluar!
Kjo ka ndodhur sepse prokurori i çështjes (i njëjti që gënjeu publikisht për ngjarjen e Elbasanit në 2021, se në makinën e ndaluar nuk ndodheshin materiale elektorale) “nuk ka identifikuar dot asnjë nga autorët e tjerë të veprave penale” që kanë mbetur të paidentifikuar prej 10 vitesh tashmë.
Por a identifikoi prokurori i Olsit se mes këtyre të paidentifikuarve gjendet apo jo Ols Rama? Si? Çfarë provash mblodhi për këtë? Cila është foto që shoqëron raportin e grupit të vëzhgimit lidhur me personin e “pa identifikuar të moshës 45 vjeç”? Pse nuk bëhet publike foto e raportit të grupit të vëzhgimit që qytetarët të ndihmojnë me informacione “për ta identifikuar”?
Deklarata e prokurorit nuk i jep përgjigje këtyre pyetjeve, që është edhe thelbi i kërkesës për SPAK-un. Megjithatë, Prokurori është kujdesur të thotë politikisht që Ols Rama nuk rezulton i përfshirë në veprimtari të paligjshme, sepse s’ka hetuar dhe për pasojë nuk ka prova. Hetimi bëhet ekzaktësisht për të grumbulluar provat, bazuar në indiciet që prokuroria i ka patur të plota dhe të pakontestueshme.
Kur prokurori nuk ka arritur të zbulojë identitetin e personave të paidentifikuar, si ka arritur në konkluzionin se vëllai i kryeministrit nuk ka qenë i përfshirë në aktivitet kriminal?! Si ka përfunduar hetimet, siç thotë në fjalinë e parë, ndërkohë që në fakt ka vendosur pezullimin e hetimeve, pra s’ka përfunduar asnjë hetim?!
Një përfundim të tillë prokurori mund të arrinte vetëm, nëse do të zbulonte se personi i paidentifikuar, për të cilin flet dosja e vetë prokurorisë, nuk është Olsi, por është Filan Fisteku. Arsyetimi “ne nuk e dimë kush është, por vëmë dorën në zjarr që s’është Olsi”, nuk është thjesht dëshmi e paaftësisë profesionale.
Një rast i tillë, ndoshta unik në historinë e hetimit penal, dëshmon se presioni publik i Kryeministrit ndaj prokurorit të çështjes ka funksionuar dhe SPAK nuk ka fuqi për të hetuar Kryeministrin dhe familjen e tij.
Personalisht për këtë kam qenë i qartë që ditën e parë, edhe pse, në përmbushje të funksioneve të mia si deputet i Kuvendit të Shqipërisë, i kam dhënë mundësi SPAK-ut të provojë para shqiptarëve se është një organ i pavarur dhe i pandikueshëm nga qeveria. Unë i kuptoj, janë të pafuqishëm, ndjehen të intimiduar nga Edi Rama, por nuk kanë asnjë arsye të bëhen qesharak!
Për të treguar cilësinë e hetimit që (s)ka bërë dot prokurori, po paraqes disa fakte dhe pyetje të thjeshta:
Fakti 1. Olsi Rama, bashkë me krerët e organizatës së kokainës, kanë përdorur të njëjtën makinë me targa AA653DM për të kaluar 18 herë kufirin në kohën ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakës. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.
Pyetje 1 për Edi Ramën dhe SPAK: Çfarë e lidh Ols Ramën me krerët e narko-organizatës dhe me makinën e trafikut?
Fakti 2. Nga 18 hyrje-daljet e makinës me targa AA653DM të grupit kriminal, 7 prej tyre i përkasin Olsi Ramës. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.
Pyetje 2 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse ka përdorur në të njëjtën kohë, të njëjtën makinë, Ols Rama dhe trafikantët e dënuar të Xibrakës?
Fakti 3. Policia dhe prokuroria nuk ka identifikuar një përdorues të makinës me targa AA653DM, edhe pse i ka identifikuar moshën 45 vjeç. Ols Rama është përdorues i kësaj makine dhe në atë periudhë ka qenë fiks 45 vjeç.
Pyetje 3 për Edi Ramën dhe SPAK: A keni kërkuar informacion nga Policia e Shtetit për pamundësinë për të identifikuar të gjithë personat e përfshirë dhe sesi kanë arritur të identifikojnë moshën fikse të personit (45 vjeç), pa ditur identitetin e tij?
Fakt 4. Ditën e arratisjes së Genci Xhixhos, Ols Rama ka kaluar kufirin me makinë, por pa e regjistruar automjetin. Kjo provohet nga të dhënat zyrtare të sistemit TIMS.
Pyetje 4 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse nuk është regjistruar automjeti i Ols Ramës?
Fakt 5. Kjo dosje e ka fillesën nga hetimet e prokurorisë së Hanoverit, ndërkohë SPAK deklaron se ka bashkëpunuar vetëm me autoritetet e Kosovës.
Pyetje 5 për Edi Ramën dhe SPAK: Pse nuk bashkëpunuat edhe me prokurorinë/policinë e Hanoverit, Gjermani, si autoriteti që disponon të dhënat fillestare dhe përgjimet e grupit?
Fakt 6. Ols Rama ka pranuar publikisht se e ka përdorur narkomakinën dhe njeh njërin nga narkotrafikantët.
Pyetje 6 për Edi Ramën dhe SPAK: Kë nga narkotrafikantët njeh Ols Rama dhe në pse genjeu që e ka përdorur vetëm një herë automjetin, kur të dhënat e TIMS provojnë e ka përdorur të paktën 7 herë?
Fakt 7. Në seancën e datës 4 Prill 2024, Ministri i Brendshëm i kohës, Taulant Balla, ka informuar seancën plenare të Kuvendit të Shqipërisë, se është në dijeni se kush është një nga personat e paidentifikuar, me moshë 45 vjeç.
Pyetje 7 për Edi Ramën dhr SPAK: A e kanë pyetur Ministrin e Brendshëm për atë që ka deklaruar zyrtarisht në Kuvend që di dhe nëse ai zyrtarisht e ka kallëzuar krimin për të cilin ka dijeni në SPAK?
Përgjigja për pyetjen e fundit është publike, as është thirrur dhe as ka kallëzuar. Tani pyetja bëhet edhe më e thjeshtë: Si është e mundur që nuk është thirrur për t’u pyetur Taulant Balla, i cili, në 4 Prill 2024, si Ministër i Brendshëm, deklaroi në seancë plenare se e dinte kush ishte personi i paidentifikuar?
Kaq mjafton për të kuptuar se prokurori, siç e ka zakon, nuk ka pasur për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por nxitimin për të amnistuar krimin. Por nga kjo të paktën u provua në mënyrë të pakontestueshme ajo që të gjithë dinim: vëllezërit Edi dhe Ols Rama janë të paprekshëm! Faleminderit që na e konfirmuat, edhe pse me koston tuaj për t’u bërë qesharak! Këtë të fundit mund të na e kursenit.
Në fund, po ju shfaq një video bashkëlidhur, se ndoshta ju duhet për arkivë: Ministri i Brendshëm i kohës, që ka në varësi Policinë, informon Kuvendin e Shqipërisë që e di kush është “personi i paidentifikuar”. Si ka mundësi që ai e di dhe SPAK nuk e di. Pse nuk ka guxim ta pyes SPAK? Çfarë po përpiqet të fshehet?
Rama paralajmëron padi ndaj Bardhit: Babale i dytë! Doli cullak krijimi i rrethanave të kallëzimit të rremë
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një padi ndaj Gazment Bardhit, me akuzën e kallëzimit të rreme. Kjo pasi SPAK vërtetoi që vëllai i kreut të qeverisë, Olsi Rama nuk ishte i implikuar në aktivitet kriminal sic e denoncoi Bardhi.
Sipas Ramës, tani që u krye hetimi dhe rezultoi se kallëzimi ishte i rremë, avokatët po punojnë për një proces gjyqësor.
“Por tani që u krye hetimi i plotë dhe doli cullak krijimi i rrethanave të kallëzimit të rremë, avokatët do të punojnë edhe në rrafshin e kësaj vepre penale për një proces gjyqësor siç e meriton autori i Babales së Dytë”, tha Rama.
Më tej Rama tha se 11 gjyqe i ka fituar ndaj opozitës, ndërsa 7 të tjera janë në radhë përfshi edhe kete te fundit me Bardhin.
“11 gjyqe i kam fituar vetëm unë deri tani me katranin e madh dhe katranët e vegjël të “babit”. 7 të tjera janë në radhë, përfshirë edhe gjyqi më i freskët me Gazmend Bardhin për këtë poshtërsinë e radhës, ku ky klloun i dalluar i cirkut politik të sharjeshpifjeve, do të duhet të provojë para gjykatësve se si ja kam fshehur unë drejtësisë tim vëlla dhe si kam promovuar pastaj në karrierë dy prokurorët që kanë bashkëpunuar me mua në këtë krim”, u shpreh Rama.
“Mbylljani derën këtij llumi”, Rama mesazh qytetarëve për zgjedhjet e 11 Majit
Duke shfrytëzuar një mesazh publik pas vendimit të SPAK që nuk gjeti prova për përfshirjen e Olsi Ramës në kokainën e Xibrakës, Kryeministri Edi Rama hodhi një sërë akuzash ndaj opozitës dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i dënojnë me votë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit.
Në fjalën e tij, Rama iu referua me termat “llum” përfaqësuesve të opozitës, sipas të cilit, qytetarët duhet t’ja u mbyllin dyert e Parlamentit.
“Unë ju kërkoj sot si njerëz, pavarësisht ideve dhe bindjeve tuaja politike, të thoni se jo politika nuk e ka medoemos kështu. E dini që cila është gjëja këtu? Gjëja këtu është forca e asaj të keqes, e cila duke helmuar përditë mjedisin publik, duke synuar përditë rrëmujën e zhurmshme, nëse ju do të më këptoni për këtë, atëherë do të më kuptoni kur ju them se TikTok është burim rreziku, por ende më i rrezikshëm është llumi i politikës së shpifjeve edhe gënjeshtrave.
TikTokut do t’ja mbyllë derën e Shqipërisë për të paktën 1 vit, ndërsa këtij llumi duhet t’ja mbyllni dyert të gjithë ju duke nisur nga dera e Parlamentit të ardhshëm. Këta janë shëmbëlltyra e gjallë e asaj të ligës që e ndjek shtetin shqiptar nga dita e krijimit të tij. E asaj të ligës që nuk la dy gurë bashkë për ta penguar ardhjen e demokracisë në këtë vend.
Të kuptohemi, unë dhe ne socialistët në qeveri kemi kusuret tona. Qoftë edhe thjesht po të flesh me qenin gdhihesh me pleshta. Por ju qytetarët e këtij vendi, duhet me patjetër të mos i merrni lehtë e jo më t’i falni autorët e poshtërsirave kaq të neveritshme si kjo që më nxiti të dal sot para jush. Të mos i lini fëmijët që nuk votojnë akoma nën mëshirën e këtyre modeleve të shpifura. As mos i harroni, as mos i toleroni ata që e mishërojnë këtë model. Kur të vijë në Pranverë dita e gjykimit tuaj për të gjithë individët e forcave politike që do t’ju kërkojnë votën, unë kam ndaj jush një borxh që e njoh dhe që nuk lahet kurrë, por duhet ta dini se as ju kam tradhtuar dhe as do t’ju tradhtoj kurrë”, theksoi Kryeministri Rama.
Rama: Paratë nuk kanë qenë tundim për mua. Shtëpinë e kam ndërtuar me punë me bashkëshorten
Kryeministri Edi Rama në deklaratë për mediat tha se kundërshtarët politikë e kanë bërë kriminelë, duke thënë se asnjëherë nuk ka kryer ndonjë krim në jetë.
Rama deklaroi se paratë nuk kanë qenë kurrë tundim për të. Ai tha se shtëpinë e ka ndërtuar me paratë e tij e të bashkëshortes.
Edi Rama: Çfarë nuk kanë fantazuar për shtëpinë time. Ajo shtëpi është ndërtuar me paratë nga puna nga unë dhe gruaja ime. Kush më njeh e di që paraja nuk ka qenë tundim për mua. Vetëm shpifin ndaj meje, politikanë të pasuruar nga politika. Të gjejnë një kokërr leku ose një fakt të vetëm që të provojnë se unë nuk jam ky që jam dhe unë iki vetë.
Nuk e gjejnë dot faktin. Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk jam përdorues droge. Nuk jam kriminel, nuk kam bërë kurrë një krim, nuk jam lyer kurrë me para të pista. Po, ka pasur njerëz të PS që kanë qenë subjekte të SPAK dhe këto janë fryte të reformës në drejtësi. Në këtë Shqipëri vendos vetëm populli e jo krimi. Nuk ka vendosur kurrë krimi se kush bëhet politikan.
“Më kanë bërë përdorues droge, kriminel, blerës votash”, Rama: Berisha, katrani i madh prej çerek shekulli fabrikon akuza kundër meje
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës, që siç tha ai e kanë quajtur përdorues droge, kriminel apo dhe blerës votash.
''Gati çerek shekulli akuza pa asnjë çerek prove, ku më kanë bërë si veten; politikan që marr pjesën nga firmat që hedh, duke futur duart në buxhetin e shtetit dhe në xhepat e sipërmarrësve që ndërtojnë kulla apo partneritete me qeverinë.
Jo, kush më njeh e di që paraja s’ka qenë asnjëherë një tundim i madh për mua.
Jam rritur nga prindër, që u ndrittë shpirti aty ku janë, më kanë mësuar se leku është thjesht haku i punës së ndershme dhe nga një gjyshe besimtare, e cila më ka mësuar se njeriu nuk vjen në jetë për të bërë lekë, po për të mos vdekur pa bërë punët për të cilat Zoti e ka sjellë në jetë.
Le ta gjejnë, të gjithë katranët që më ulin e më ngrenë përditë, nëpër foltore, ekrane e portale, në hanin e parlamentit apo në pijetoret televizive, si pasanik të korruptuar dhe politikan të pasuruar nga politika, një kokërr leku, një dëshmitar apo një metër katror të vetëm jashtë kufijve të deklarimit zyrtar të pasurisë; një fakt të vetëm që të provojë se unë nuk jam ky që jam, po jam ai që ata thonë. Pastaj kollaj fare, iki vetë unë, s’ka nevojë të flasin me vete rrugëve, “Rama ik, rama ik”.
Nuk e kanë gjetur dhe s’kanë për ta gjetur dot, atë fakt fajësues në raportin tim me materien, qoftë para, qoftë tulla e llaç. Se nuk ka. Por nuk kam ç’u bëj fare, që edhe pse s’e kanë një fakt a provë të vetme, m’i hedhin mua në kurriz, jo vetëm të gjitha ç’kanë bërë vetë apo ç’do bënin vetë po të kishin pushtetin tim, po edhe ç’ka bërë e ç’nuk ka bërë kushdoqoftë që ka punuar me mua, nga afër apo nga larg, e që kanë hyrë në daç në shënjestrën e institucioneve të reja të drejtësisë, në daç në gojën e shthurrur të prokurorëve e gjykatësve mediatikë apo në raste të caktuara edhe të të dyja palëve bashkë.
Më kanë bërë përdorues droge. Jo, nuk jam përdorues droge ose më saktë, nuk kam përdorur ndonjëherë droga të paligjshme. Më kanë dalë e vazhdojnë të më teprojnë dy droga çudibërëse për mua:
Arti, i pandashëm nga unë, qysh nga fëmijëria. Dhe lufta politike, e pandashme prej meje, qyshse e ndava mendjen t’ia kushtoja këtë pjesë të jetës sime, ndryshimit të Tiranës, e më pas të Shqipërisë.
Më kanë bërë kriminel. Jo, nuk kam kryer kurrë një krim dhe nuk i kam duart të ndotura, as me gjak, as me drogë, as me para të pista, e as me rrahje e kërcënime kundërshtarësh në politikë a në media.
Më kanë bërë bashkëpunëtor të krimit. Jo, bashkëpunëtorët i kam zgjedhur gjithnjë vetë, ndërsa mua askush nuk më ka zgjedhur dhe nuk më zgjedh dot si bashkëpunëtor'', tha Rama.
“Olsi Rama s’ka lidhje me laboratorin e Xibrakës”, kryeministri reagon pas SPAK: Im vëlla u përdor si mish për top për të më goditur mua
Kryeministri Edi Rama zgjodhi këtë të diel për të folur në lidhje me vëllain e tij, Olsi Rama për të cilin SPAK tha se nuk ka asnjë provë që e implikon atë në aktivitetin kriminal, ashtu siç e denoncoi kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, si i përfshirjë në dosjen ‘Xibraka’.
“Ky mesazh, është në radhë të parë një detyrim, ndaj të gjithë atyre që më kanë mbështetur tërë këto vite, duke më dhënë votën tyre, qoftë edhe njëherë qëkur jam në arenë, e mbi të gjitha ndaj familjes sime – atyre që kam pranë dhe atyre që s’janë më me ne, pa të cilët as do isha ky që jam, as do isha këtu ku jam.
Të dashur bashkëqytetarë dhe bashkëqytetare!
Vitin e shkuar, deputeti Gazmend Bardhi, jashtënxorri në publik një akuzë ekstreme ndaj vëllait tim, Olsi Rama.
E denoncoi, gjykoi dhe dënoi në publik si trafikant droge, duke krijuar rrethanat tipike të një kallzimi të rremë, përmes një sajese kriminale, mbi bazën e një dosjeje të vjetër të prokurorisë për një grup trafikantësh.
Në atë dosje u flitkërkesh edhe për një person të paidentifikuar, i cili nuk është gjetur nga prokuroria. Sipas këtij zotërisë, që vetëm zotëri nuk është, ky personi qenkërkesh im vëlla.
Madje, gjithnjë sipas tij, dy prokurorët e dosjes e paskeshin fshehur identitetin e tim vëllai, në këmbim të favoreve të marra prej meje, që i paskesha promovuar në karrierë që të dy, për këtë favor kriminal.
Nuk jam shpjeguar deri më sot.
Ndërkohë që ky palo djalë bashkë me tutorin e tij, nuk kanë lënë rast pa e rihedhur në publik këtë jashtënxjerrje të shpifur, kam bërë durim, shumë durim. S’kam dashur të flas unë me bindjet e mia, para se të flasë drejtësia me provat e veta.
Më në fund, pasi ka pyetur këdo ka parë të arsyeshme dhe ka hetuar gjithçka ka konsideruar të nevojshme, SPAK-u deklaroi se ka arritur në përfundimin që Olsi Rama nuk ka asnjë lidhje me personin e paindentifikuar të dosjes në fjalë dhe nuk ka asnjë provë apo fakt që të lidhë tim vëlla me aktivitetin kriminal.
Pra, me fakte e me prova, jo me hamendësime e me fabrikime, është katërcipërisht e qartë, se im vëlla u përdor si mish për top, për të më goditur dhe rrëzuar mua në sytë e opinionit publik.
Tani, kjo nuk është goditja e parë e këtij lloji për mua – s’ka se si të jetë as e fundit – nga një parti e ashtuquajtur demokratike, që është pengu historik i një katrani me bojë, i cili e ka kapur për fyti atë parti, qysh në lindje të saj dhe e ka përdorur si një zorrë private, për të jashtëderdhur në publik të gjitha nevojat e një lufte politike vulgare, pa asnjë respekt për të vërtetën, për njeriun, për Shqipërinë dhe gjuhën shqipe.
Unë nuk ve baste. Por jam gati të ve bast se nuk ka një akuzë të mundshme që të mos më ketë ardhur nga ajo zorrë në tërë këto vite. Ja një bilanc shumë i shkurtër dhe ju vendoseni vetë nëse ka mbetur gjë akoma pa më akuzuar.
Më kanë bërë përdhosës të familjes time, duke më akuzuar se në gjyqin e divorcit, unë kam akuzuar gruan time se djalin tim e kishte me babain tim.
Jo, divorci im, qysh në fillim të viteve ‘90 s’ka pasur asnjë konflikt dhe asnjë pretendim të ndërsjellë. Përkundrazi, ka qenë tërësisht paqësor.
Ndërsa po, siç është provuar më pas, katrani i madh ka fabrikuar një dokument gjyqi dhe e ka publikuar asokohe, për ta mbështetur me një provë të rreme atë akuzë, që qoftë edhe thjesht për ta imagjinuar, duhet të jesh egërsirë, jo njeri; lëre pastaj të jesh udhëheqës i popullit.
Më kanë bërë homoseksual, biseksual, transeksual. Edhe mund të kisha qëlluar një nga të treja këto ose dhe të treja bashkë.
Po jo, Zoti më ka përcaktuar si heteroseksual dhe nuk kam pasur kurrë kuriozitet ta pyes si e bën Ai përzgjedhjen për prirjen seksuale të njerëzve! “, theksoi ai.








