Çfarë do të gjeni në brendësi
*SPAK zhvilloi sot një operacion në Vlorë ku arrestoi kryeprokurorin Aurel Zarka nën akuzën e ushtrimit të paligjshëm të personave me funksione publike. *Në pranga ranë edhe dy avokatët Astrit Vladi dhe Radovan Çela si dhe Eriona Daupaj, ish-oficere gjyqësore. *Dyshohet se të katërt janë të përfshirë në prishjen e provave mbi hetimet që SPAK po zhvillonte për pronat në bregdet. Hetimet kanë zbuluar komunikimet e tyre në aplikacionin “Sky ecc”. Ndërsa avokati Astrit Vladi rezulton të jetë vëllai i dy prej të akuzuarve për çështjen e 3.5 mln eurove në automjetin “Toyota Yaris”. *Kryeprokurori i Vlorës, Zarka kishte kaluar vettingun vetëm një muaj më parë pavarësisht 4 denoncimeve të bëra ndaj tij.
Arrestimi i kryeprokurorit të Vlorës, gazetari: ‘Toyota Yaris’ po bën kurbanët e parë, a do shkohet te përfituesit?
Gazetari Artan Hoxha përmes një postimi në rrjetet sociale ka komentuar arrestimin e kryeprokurorit të Vlorës, Aurel Zarka, dhe 3 personave të tjerë, sipas tij të lidhur me hetimet për dosjen “Toyota Yaris”.
Hetimet për këtë dosje janë kryer dhe në shtetin belg, ku ishte dhe pikënisja e makinave me miliona euro që u kapën në portin e Durrësit.
Sipas Hoxhës, prokurorët belgë nuk janë kënaqur vetëm me transportuesit, dhe duket se tashmë po kërkojnë pronarët e vërtetë të parave, dhe kush përfitoi prej tyre për sponsorizimin e fushatave.
Postimi i gazetarit:
Me duket se dosja “Toyota Yaris (Auris)”, e Prokurorise Federale te Belgjikes, sapo ka nisur te bej “kurbanet” e pare ne Shqiperi!!!! Federalet belg nuk qenkan kenaqur me “transportuesit”.
Me duket po kerkojne pronaret e vertete te parave dhe kush perfitoi nga sponsorizimi ne fushatat elektorale?! Pak halle kemi ne keto kohera qameti edhe keta kishim mangut…!!!!
Kujtojmë se drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka u arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Bashkë me të u vu në pranga dhe ish-oficerja e krimeve të rënda Eriona Dautaj, avokati Radovan Cela dhe biznesmeni Astrit Vladi.
Vladi ka qenë më parë i dyshuar për vrasje e shtetasit Paulin Marku në vitin 2011 tek kthesa e Kamzës në Tiranë. Pasi është arrestuar nga Policia si i dyshuar për vrasjen e Markut, ai është liruar me urdhër të Prokurorisë, e cila e ka cilësuar arrestimin si të paligjshëm.
Radovan Çela ka shërbyer si përfaqësues ligjor i kushërinjve Alfred dhe Elvis Vladi, të arrestuar në vitin 2018 pas sekuestrimit të 3.4 milionë eurove në portin e Durrësit, si pjesë e të ashtuquajturës dosja ‘Toyota Yaris'
Prokuroria i akuzoi dy kushërinjtë Elvis Vladi, dhe Alfred Vladi, për krijimin e një organizate me qëllim pastrimin e parave me origjinë kriminale. Por kushërinjtë Vladi nuk u arrestuan asnjëherë nga policia.
Astrit Vladi, biznesmen dhe aksioner i disa kompanive në Shqipëri, është vëllai i Elvis Vladit. Sipas regjistrit civil të vitit 1998, ai mund të ketë mbjatur më parë emrin Doxh Vladi.
Çështja mori rëndësi publike në Shqipëri, pasi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha e denoncoi mbërritjen e parave disa ditë para se ato të sekuestroheshin në Durrës. Basha paralajmëroi trafikimin e parave me makina “Toyota Yaris” dhe akuzoi kreun e grupit socialist, Taulant Balla se kishte dalë garant për ato që i quajti “para të drogës”.
Balla i mohoi akuzat dhe fitoi në gjykatë një padi për shpifje ndaj Bashës. Denoncimi i Bashës i dha dosjes emrin “Toyota Yaris”, ndonëse makinat e dorës së dytë i përkisnin markës “Toyota Yaris”.
Kryeprokurori i Vlorës doli zbuluar nga komunikimet në Sky Ecc, avokati i prangosur, vëllai i të akuzuarve për ‘Toyota Yaris’
Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i SPAK sot në Vlorë ku u arrestua kryeprokurori Aurel Zarka, dy avokatët Astrit Vladi dhe Radovan Çela si dhe Eriona Daupaj, ish-oficere gjyqësore.
Mësohet se Zarka dhe të arrestuarit e tjerë kanë përdorur aplikacionin “SKY ECC”, ku dyshohet të jenë zbardhur disa prej bisedave të tyre që dëshmojnë ndikimin e tyre në prishjen e hetimeve për pronat në bregdetin e Vlorës.
Ndërsa një prej të arrestuarve, avokati Astrit Vladi mësohet se është vëllai i dy prej të akuzuarve për çështjen e Toyota Yaris, ku ishin fshehur 3.4 milionë euro të cilat vinin nga Belgjika në Portin e Durrësit. Për çështjen e Toyota Yaris u akuzuan Alfred dhe Elvis Vladi të cilët kishin porositur automjetin. Por në përfundim, u dënua vetëm Elvis Vladi me 1 vit burgim për mosdeklarim të të ardhurave në kufi. Versus.al
U arrestua nga SPAK, pavarësisht 4 denoncimeve, kryeprokurori i Vlorës kishte kaluar vettingun 1 muaj më parë
Kreu i prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka i cili u arrestua mëngjesin e sotëm me urdhër të SPAK kishte kaluar vettingun vetëm një muaj më parë. Më 28 qershor, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e kishte konfirmuar në detyrë duke e vlerësuar pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe kriterin e pasurisë.
Ndërsa mësohet se për të kishte pasur 4 denoncime të ndryshme nga qytetarë të cilët i kishin dorëzuar materialet në KPK. Procesi i vlerësimit të pastërtisë së figurës për prokurorin Zarka u krye nga trupa e KPK e kryesuar nga Suela Zhegu, me relator Roland Ilian dhe anëtare Genta Tafa Bungon. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Marie Tuma.
Aurel Zarka e ka filluar karrierën e tij në sistemin e drejtësisë si oficer i Policisë Gjyqësore në vitin 2004 pranë ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Zarka e ushtronte profesionin e prokurorit që prej vitit 2012. Ndërsa në maj të vitit 2022 mori postin e kreut të prokurorisë së Vlorës.
Sipas detajeve të mësuara lidhur me arrestimin e Zarkës, ndaj tij rëndon akuza për veprën penale "Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" dhe u arrestua së bashku me 2 avokatë dhe një ish-oficere gjyqësore. Dyshohet se me veprimtarinë e tij Zarka ka ndikuar në prishjen e provave për hetimet mbi pronat në bregdet. Versus.al
Prishën hetimet për pronat në bregdet, SPAK arreston kreun e prokurorisë Vlorë, ish-oficeren dhe 2 avokatë
Vlorë- Aurel Zarka, drejtuesi i prokurorisë së qytetit bregdetar është arrestuar mëngjesin e sotëm me urdhër të SPAK, pasi dyshohet se ka prishur provat e hetimeve për pronat në bregdet.
E njëjta masë sigurie është dhënë edhe për tre persona të tjerë, konkretisht, ish-oficeren e OPGJ, Eriona Daupaj e cila është edhe studente magjistrature si dhe dy avokatët Astrit Vladi dhe Radovan Çela.
Ndaj kryeprokurorit rëndon akuza për veprën penale "Ushtrim ndikimi të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike" ndërsa avokatët dhe ish-oficerja e OPGJ dyshohet se kanë bashkëpunuar me të. Zarka e kishte nisur profesionin si prokuror që prej vitit 2012 ndërsa prej majit të vitit 2022 mbante postin e drejtuesit të prokurorisë së Vlorës. Në 28 qershor të këtij viti Komisioni i Pavarur i Kualifikimit e konfirmoi në detyrë, duke kaluar kështu Vettingun. Versus.al








