Çfarë do të gjeni në brendësi
*Partia Demokratike do t’i paguajë 6 milionë dollarë një kompanie amerikane të zotëruar nga njerëz afër presidentit Donald Trump në mënyrë që të lobohet pranë qeverisë së SHBA për një periudhë 2 vjeçare. *Sipas kontratës së firmosur me kompaninë e zotëruar nga këshilltari i Trump, Carlos Trujillo, qëllimi është forcimi i marrëdhënieve me institucionet e qeverisë amerikane si dhe sigurisht heqja e “non-gratës” së Berishës. *SPAK njoftoi sot se ka nisur verifikimet për të dalë në përfundime nëse një kontratë e tillë është e ligjshme. Garantori i kontratës së majme është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, që jeton në New York. Sipas PD, shuma është mbledhur nga komuniteti shqiptar që jeton në SHBA. *Pas njoftimit të SPAK, erdhi edhe reagimi nga PD ku thuhej se çdo gjë rreth kontratës është transparente ndërsa akuzoi Prokurorinë e Posaçme se po zbaton çdo udhëzim të Ramës dhe ndërkohë po hesht ndaj krimeve elektorale që kryejnë bandat në qarqe të ndryshme.
SPAK nisi verifikimet për kontratën 6 mln dollarë të lobimit, PD: U zgjuan veglat e Ramës! Jemi transparentë

Partia Demokratike ka reaguar pas lajmit të publikuar mesditën e sotme ku bëhej me dije se SPAK ka nisur verifikimet për kontratën e lobimit prej 6 milionë dollarësh që PD ka nënshkruar në SHBA.
Në përgjigjien e zyrës së shtypit të PD thuhet se SPAK ka mbyllur veshët dhe sytë kur bëhet fjalë për çështjen "Mc Gonigal" dhe për krimet elektorale që po kryejnë bandat në vend, por ka reaguar me urdhër të Edi Ramës lidhur me kontratën e lobimit të PD.
Sipas demokratëve, çdo gjë është transparente në kontratën e cila është firmosur në respekt të plotë të ligjeve të dy vendeve.
Reagimi i plotë:
Pasi e përdori SPAK për vite me radhë si kapak për pusetën e skandalit të tij me McGonigal, sot Rama ka zgjuar sërish nga gjumi ata që kanë mbyllur sytë teksa kartelët e drogës në Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Shkodër janë përfshirë më fort se kurrë për të deformuar vullnetin e zgjedhësve, njëlloj siç mbyllën veshët para audiove të dosjeve 339 dhe 184! Njëlloj siç kanë mbyllur sytë para 150 milionë eurove të vjedhura të inceneratorëve, nga të cilat SPAK jo vetëm nuk ka rekuperuar asnjë qindarkë, por hesht si fija e barit se ku kanë përfunduar 150 milionë euro për një vepër që nuk ekziston. Mesa duket kontrata e PD me avokatin e Presidentit Trump nuk ka trembur vetëm Ramën, por dhe veglat e tij. Në fakt, jo pa të drejtë! Pasi sot denoncimet e saj për McGonigal, përzierjen e karteleve të drogës të mbështetur nga Edi Rama dhe narkopolicia në procesin zgjedhor, përfshirë bashkëpunimin e heshtur të organeve të drejtësisë, kanë veshin e administratës dhe Kongresit të SHBA!
Partia Demokratike është transparente për kontratën me avokatin e Presidentit Trump, e cila është nënshkruar në përputhje të plotë me ligjet e të dyja vendeve dhe depozituar në FARA sipas çdo rregulli! Partia Demokratike gjen dhe njëherë rastin të falënderojë patriotët e komunitetit shqiptaro-amerikan për bujarinë dhe ndihmën e pakursyer për çmontimin e regjimit të Edi Ramës!
Sot Partia Demokratike, falë diasporës, është më e fortë se kurrë! Ditët e Ramës janë të numëruara! Fitorja është afër dhe i bëjmë thirrje të gjithë demokratëve brenda dhe jashtë Shqipërisë të angazhohen fuqimisht në dy javët e mbetura të kësaj fushate për të realizuar qëllimin tonë final që është Shqipëria Madhështore! Versus.al
SPAK nis verifikimet për kontratën 6 milionë dollarëshe të lobimit nga Partia Demokratike

Zyra e shtypit e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka konfirmuar se ka nisur verifikimet lidhur me kontratën e lobimit të nënshkruar nga Partia Demokratike.
“Ju informojmë si vijon: Prokuroria e Posaçme ka nisur verifikimet në lidhje me kontratën e lobimit të subjektit politik Partia Demokratike”, thuhet në njoftimin zyrtar të SPAK.
Ky reagim vjen vetëm një ditë pasi u publikua lajmi për një kontratë lobimi me vlerë 6 milionë dollarë, që PD ka firmosur për një periudhë dyvjeçare me një kompani lobimi me seli në Uashington DC.
Sipas dokumentacionit të siguruar nga Versus.al, kontrata është firmosur më 4 prill nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Flamur Noka. Garant për marrëveshjen në Shtetet e Bashkuara figuron shtetasi Nuredin Seçi.
Kjo është kontrata e dytë që PD lidh me individë të afërt me ish-presidentin Donald Trump, pas vizitës në Shqipëri të një prej strategëve të tij kryesorë, Chris Lacivita.
Sipas përmbajtjes së marrëveshjes, "klienti (nëpërmjet garantuesit/garantuesve të tij) do t’i paguajë firmës një tarifë fikse mujore prej 250,000 dollarësh për një paketë të plotë shërbimesh, që përfshin lobim, avokim dhe iniciativa strategjike ligjore për një periudhë dyvjeçare. Pagesa për tre muajt e parë (pagesë paraprake) do të kryhet në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes".
Kompania në fjalë, Continental Strategy, është një firmë konsulence dhe lobimi e krijuar në fillim të vitit 2022 nga ish-ambasadori Carlos Trujillo. Ajo është e specializuar në marrëdhënie me qeverinë dhe strategji politike.
Në kontratë specifikohet se firma do t’i ofrojë Partisë Demokratike shërbime për të ndërtuar marrëdhënie me aktorë kyç në degët ekzekutive dhe legjislative të SHBA-së, duke përfshirë mbështetje për promovimin e demokracisë, luftën kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare, në përputhje me objektivat e PD-së dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë Madhështore.
“Aktivitetet mund të përfshijnë lobim, përgatitjen dhe shpërndarjen e materialeve informuese, si dhe kontakte me vendimmarrësit politikë amerikanë”, thuhet në kontratë.
Continental Strategy ka lidhje të ngushta me figurat kryesore të Partisë Republikane amerikane. Themeluesi Trujillo ka qenë këshilltar i fushatës së Trump dhe ambasador në Organizatën e Shteteve Amerikane. Kompania ka përfituar nga këto lidhje, sidomos pas rikthimit të Trump në presidencë.
Në strukturën drejtuese të firmës janë edhe emra të njohur si Katie Wiles, vajza e Susie Wiles – strateges kryesore të fushatës së Trump dhe aktualisht Shefe e Stafit të Presidentit. Gjithashtu, Alberto Martinez, ish-shef i stafit të Senatorit Marco Rubio për një dekadë, është emëruar Partner Menaxhues i zyrës në Uashington D.C.
Këto lidhje nënvizojnë ndikimin e fortë të Continental Strategy në politikën republikane dhe rrjetin politik të SHBA-së.
Kush është Nuredin Seci, 72 vjeçari garant i 6 milionë dollarëve për heqjen e nongratën Berishës
Nuredin Seci nga Tropoja, i shkolluar për elektriçist në Shkodër, i njohur si alpinist dhe që jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka dalë garant i kontratës 6 milionë dollarë, për të lobuar në qeverinë amerikane për llogari të Partisë Demokratike dhe për të hequr Sali Berishën nga lista e zezë e SHBA.
Kontrata, e cila me shumë gjasa do shndërrohet në dosjen më të nxehtë të SPAK-ut, është firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, në cilësinë e përfituesit, një detyrim ky i kërkuar nga ligji amerikan.
Duket se Seci dhe Noka nuk janë zgjedhur rastësisht për këtë operacion të dyshimtë financuar. Sido që të marrin rrjedhë ngjarjet, Nuredin Seci nuk do të bëjë burg për shkak të moshës (sot është 72 vjeç), ndërsa Flamur Noka, duke mos ditur asnjë fjalë nglisht, ka një alibi, pasi mund të thotë se nuk e di se çfarë ka firmosur.
Nuredin Seci lindi më 15 Shkurt 1953 në Tropojë. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme e kreu në Shkodër, në Shkollën e Mesme Profesionale Dega Elektrike. Seci njihet si ish alpinist. Për 30 vite ka qenë sportist dhe trajner i ekipit të Alpinizmit Valbona.
Tre vite më parë Nuredin Seci u nderua me titullin nderi i Bashkisë Tropojë për kontributin si sportist e trajner në zhvillimin e alpinizmit. Titulli ju dha nga socialisti Rexhë Byberi.
Nuredin Seci është anëtar i kryesisë së degës “Vatra Mëmëdheu” në Nju Xhersi të SHBA-ve, dega më e re e hapur në vitin 2025.
Po ashtu, Nuredin Seci rezulton të jetë koordinator i “Gazeta e Alpeve” në Nju Xhersi të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Përmes kësaj gazete, Seci promovob figura të njohura të Tropojës dhe vlerat e vendlindjes së tij.
Ndërsa gazetari Mero Baze ka publikuar në rrjete sociale një foto të shtëpisë së Nuredin Secit në Nju Xhersi në SHBA. Gazetari shkruan: Nuk di njeri që të jap garanci 6 milionë dollarë dhe të jetoj në një lagje modeste në një shtëpi modeste.
REAGIMI I PD
Në orët e vona të mbremjes së të shtunës ka ardhur dhe reagimi i parë i Partisë Demokratike në lidhje me këtë çështje që mund të shënjojë këtë fushatë elektorale. Sipas zyrës së shtytit të PD-së: "Kontributi financiar per realizimin e ketij qellimi eshte marre persiper 100% nga patriote shqiptare qe jetojne dhe punojne prej dekadash ne SHBA si dhe demokrate te tjere te larguar nga Shqiperia keto 10 vite per shkak te regjimit te Edi Rames!"
NJOFTIM PER SHTYP
Ne lidhje mbi nje informacion te shperndare ne media per lobimin e PD prane Qeverise dhe Kongresit te SHBA deshirojme te sqarojme sa vijon:
Komuniteti shqiptaro amerikan permes fondacionit “Make Albania Great Again” ka kontraktuar kompanine “Continental” per te ndihmuar ne konsolidimin e mardhenieve miqesore te Partise Demokratike si forca me e madhe opozitare me Kongresin dhe Qeverine e SHBA. Synimi i bashkeatdhetareve tane ne SHBA eshte bashkepunimi i PD me aleatin kryesor te Shqiperise per te rivendosur demokracine funksionale dhe shtetin e te drejtes ne Shqiperi.
Kompania “Continental” drejtohet nga Ambasadori Carlos Trujillo i cili njihet gjithashtu dhe si avokat i Presidentit Trump dhe si antikomunist i palekundur ne qendrimet e tij!
Kontributi financiar per realizimin e ketij qellimi eshte marre persiper 100% nga patriote shqiptare qe jetojne dhe punojne prej dekadash ne SHBA si dhe demokrate te tjere te larguar nga Shqiperia keto 10 vite per shkak te regjimit te Edi Rames!
Partia Demokratike duke falenderuar demokratet antikomuniste te komunitetit shqiptaro - amerikan per bujarine dhe e patriotizmin e tyre sqaron opinionin publik se ndonese ka dhene dakordesine per marrjen e ketij sherbimi ne perputhje te plote me ligjet e te dy vendeve, nuk ka asnje barre financiare apo detyrim kontraktual qe lind nga kjo marreveshje.
6 milionë USD për të hequr non grata-n e Berishës? PD-ja lobon në SHBA me ish-këshilltarin e presidentit Trump
Partia Demokratike do t’i paguajë 6 milionë dollarë një kompanie amerikane, të zotëruar nga njerëz afër Presidentit Donald Trump, për të lobuar pranë qeverisë amerikane për një periudhe dy vjeçare.
Kapitali zbardh kontratën e plotë të lobimit të firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, dhe ish këshilltarit të presidentit Trump, Carlo Trujillo, në cilësinë e Presidentit të Continental Strategy.
Sipas kontratës, kompania e lobimit do të ofrojë shërbimet e mëposhtëme për llogari të Partisë Demokratike:
1- Krijimi i marrëdhënieve me aktorët kryesorë në qeverinë dhe kongresin e SHBA-ve për të lehtësuar zhvillimin e politikave.
2- Mbështetje për të promovuar demokracinë, nismat kundër korrupsionit dhe reformat qeveritare në përputhje me marrëdhëniet SHBA-Shqipëri.
3- Përdorimi i përvojës së gjerë në marrëdhëniet me qeverinë, advokimin e politikave, të dërguarit ligjorë dhe angazhimin e palëve të interesuara në linjë me objektivat e Partisë Demokratike dhe koalicionit të saj, Aleanca për Shqipërinë e Madhe.
Por sa do të kushtojë ky shërbim për opozitën shqiptare?
“Klienti (nëpërmjet Garantuesit të tij) do t’i paguajë firmës një mbajtës mujor prej 250,000 dollarësh për një paketë mbështetëse gjithëpërfshirëse të iniciativave të lobimit, advokimit dhe çështjeve gjyqësore strategjike për një periudhë prej 24 muajsh (“garancia mujore”) dhe në përputhje me Afatin e Marrëveshjes. Pagesa për tre muajt e parë (paradhënie) do të bëhet me nënshkrimin e kësaj Marrëveshjeje,” thuhet në kontratën e nënshkruar në datën 4 prill.
Garantori i kontratës së majme është Nuredin Seci, një shqiptaro-amerikan me origjinë nga Tropoja, që jeton në New York.
Continental Strategy
Por kush qëndron pas kompanisë Continental Strategy?
Kompania u themelua në vitin 2021 nga këshilltari i tij Carlos Trujillo. Zoti Trujillo e themeloi Continental menjëherë pasi Trump la detyrën, pasi kishte shërbyer në administratën e tij të parë si ambasador në Organizatën e Shteteve Amerikane.
Vetëm disa ditë pas rizgjedhjes së Donald Trump si President i SHBA-ve për herë të dytë, Continental njoftoi një promovim për Katie Wiles, vajzën e Susie Wiles, që shërbeu si shefja e fushatës së presidentit Trump.
Disa ditë më pas, Continental kontraktoi Alberto Martinez, një ish shef stafi i sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, si një partner menaxhues për të ndihmuar në rritjen e mëtejshme të Continental.
Ndërkohë, në mesin e dhjetorit të vitit të kaluar firma punësoi zëvendësdrejtorin politik të fushatës së Trump, Alex Garcia si partner.
Zgjedhja e një kompanie që zotërohet nga njerëz të rrethit të ngushtë të presidentit të SHBA-ve Donald Trump duket se nuk është e rastësishme.
Përmes kësaj kontrate, Partia Demokratike me sa duket kërkon më shumë akses në majën e Shtëpisë së Bardhë, por edhe zgjidhjen e disa problemeve nga e shkuara.
Jo rastësisht, shërbimi i parë që kompania e lobimit ka realizuar për PD-në është një bisedë telefonike me Dan Holler, shefin e stafit të sekretarit të shtetit Marco Rubio, njeriu që ka në dorë të zhbëjë dizenjimin non grata të kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, nga ish sekretari Blinken.
Kontrata më e madhe e lobimit në histori
Ajo mes Partisë Demokratike dhe Continental Strategy është kontrata më e madhe e lobimit në historinë e Shqipërisë. Sipas anekseve të kontratës, Partia Demokratike do t’i paguajë plot 6 milionë dollarë kompanisë amerikane për lobim në Shtetet e Bashkuara, gjatë dy viteve të kontratës.
Deri më tani, kontrata më e madhe e lobimit të një partie politike shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka qenë ajo e Partisë Demokratike, gjatë kohës që drejtohej nga Lulzim Basha në vitin 2017.
Në atë kohë PD pagoi rreth 1 milionë dollarë për shërbime lobime në SHBA, përmes një kompanie guackë nga Skocia, e quajtur Biniatta Trade. Por ky ishte një veprim që i hapi jo pak telashe zotit Basha, pasi Biniatta rezultonte e lidhur me disa shtetas rus.
Për këtë çështje u hap një hetim në Shtetet e Bashkuara nga FBI, ku zoti Muzin pranoi të bashkëpunonte me autoritetet amerikane. Paralelisht u hap një hetim edhe nga prokuroria shqiptare ndaj zotit Basha, por çështja u mbyll.
Ndërkohë njerëzit e Sali Berishës akuzuan Lulëzim Bashën se afera e lobimit ishte mekanizmi që e kapi peng kryetarin e opozitës nga qeveria e Edi Ramës dhe segmente të ambasadës amerikane në Tiranë.
Megjithatë, shifra e paguar nga Lulëzim Basha duket si thërrime para kontratës së majme të nënshkruar nga PD-ja e Sali Berishës dhe Flamur Nokës.
Para e madhe shumë, nga opozita e një prej vendeve më të varfra në Europë. / Kapitali








