Live Updates /

Themelimi zyrtar i Bordit të Paqes, Rama: Mora ftesë nga Trump për të vizituar Uashingtonin! Pezullimi i Ballukut: Të hënën depozitojmë nismën për ndryshimet ligjore!

Shkruar nga Versus

Çfarë do të gjeni në brendësi

3 Postime
1 ORE ME PARE

Themelimi zyrtar i Bordit të Paqes, Rama: Mora ftesë nga Trump për të vizituar Uashingtonin!

Themelimi zyrtar i Bordit të Paqes, Rama: Mora ftesë nga Trump
Edi Rama

Kryeministri shqiptar njoftoi se ka marrë një ftesë zyrtare nga Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim, ku do të marrë pjesë në themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe nisjen e aktivitetit të tij.

Deklaratën Rama e bëri në podcastin e tij “Flasim”, duke theksuar se kjo vizitë vjen pas kritikave dhe pretendimeve të kundërshtarëve politikë, të cilat ai i cilësoi si të pavërteta. Sipas tij, pjesëmarrja në këtë iniciativë ndërkombëtare është një tregues i respektit që Shqipëria gëzon në arenën globale.

Kreu i qeverisë u shpreh se vendi do të jetë shtet themelues në këtë strukturë dhe se nuk do të kontribuojë financiarisht për anëtarësimin, por – sipas tij – me reputacionin dhe rolin që Shqipëria ka ndërtuar ndërkombëtarisht.

Rama e cilësoi ftesën si një zhvillim me rëndësi për pozicionin diplomatik të Shqipërisë dhe për përfshirjen e saj në diskutimet e nivelit të lartë mbi çështjet e paqes globale.

Kryeministri Rama: Shënimi i fundit është i lidhur me jetën ndërkombëtare, nëse mund ta quaj kështu. Më ka ardhur këtë javë ftesa nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara për të vizituar Uashingtonin në ditët në vijim për atë që e kam paralajmëruar, kur ajo tufa e bombave artizanale, plaste dhe kërciste edhe në sallën e Kuvendit, me gjithfarëlloj pretendimesh që sot i nxjerrin përsëri qesharakë, duke thënë se unë nuk shkoj dot, se mua s’më kanë ftuar,se,se,se…

Dhe faktikisht, siç e paralajmërova, do të jem në Uashington për themelimin zyrtar të Bordit të Paqes dhe për fillimin e aktivitetit të atij bordi, ku Shqipëria ka privilegjin të jetë shtet themelues dhe ku Shqipëria nuk do të kontribuojë me para për t’u anëtarësuar apo për të qëndruar si anëtare e përhershme, por kontribuon me dinjitetin dhe me atë që e ka bërë të respektohet ndërkombëtarisht dhe të ftohet, deri në këtë nivel kaq të lartë të diskutimit mbi të ardhmen e paqes./Versus.al

 

2 ORE ME PARE

Pezullimi i Ballukut/ Paralajmëron Rama: Të hënën depozitojmë nismën për ndryshimet ligjore! Nuk është çështja te personi, por te parimi

Themelimi zyrtar i Bordit të Paqes, Rama: Mora ftesë nga Trump
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama në podcastin 'Flasim' njoftoi se ditën e nesërme, së bashku me Taulant Balla dhe Ulsi Manja, do të depozitojnë një nismë për ndryshime ligjore që lidhen me kompetencat e gjyqësorit, pas vendimit për pezullimin e ministres Belinda Balluku.

Duke folur për konkluzionet e mbledhjes së grupit parlamentar, Rama theksoi se çështja nuk lidhet me individin, por me parimin e ndarjes së pushteteve. Ai u shpreh se gjykata ka të drejtë të vendosë masa sigurie ndaj çdo personi nën hetim, por sipas tij, pezullimi i një ministri paralizon funksionin shtetëror dhe prodhon efekt të menjëhershëm të barabartë me shkarkimin.

Kreu i qeverisë argumentoi se emërimi apo shkarkimi i një ministri nuk mund të jetë kompetencë e një gjyqtari apo prokurori në një seancë paraprake, duke shtuar se pavarësia e gjyqësorit përfundon aty ku nis pavarësia e pushteteve të tjera – legjislativit dhe ekzekutivit. Ai iu referua edhe mosvendimit të Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë si pjesë e kontekstit institucional.

Rama bëri të ditur se nisma do t’i paraqitet fillimisht grupit parlamentar dhe më pas do të bëhet publike për transparencë ndaj opinionit.

Kryeministri Rama: Dua të ndalem edhe për një sqarim për konkluzionet e mbledhjes së Grupit Parlamentar, pas mos-vendimit të Kushtetueses. Edhe njëherë, nuk është çështja te personi, por te parimi. Te parimi i ndarjes së panegociueshme të pushteteve. Gjykata në ushtrimin e kompetencave të saj ka të drejtë të vendosë masa sigurimi për çdo person nën hetim. Por në të njëjtën kohë ka disa funksione, ku hyn edhe ai i ministrit, paralizohen nëse ministri pezullohet. Pra nëse ti thua që unë pezulloj një ministër, Presidentin, etj, faktikisht ti prodhon një pasojë të menjëhershme të barabartë me shkarkimin.

Sepse nuk është pezulluar thjesht personi, por funksioni. Pikërisht për shkak të funksionit, emërimi apo shkarkimi i ministrit nuk është gjëkundi, në asnjë vend të botës, sepse nuk e ka nxjerrë kush një rast në një vend të botës që kjo kompetencë të jetë e një prokurori apo gjykatësi me një seancë paraprake. Pavarësia e gjyqësorit mbaron aty ku fillon pavarësia e dy pushteteve të tjera, legjislativit dhe ekzekutivit. Gjithsesi ne do kalojmë përtej rastit konkret dhe të hënën, bashkë me kryetarin e grupit Taulant Balla dhe kryetarit të Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, do të depozitojmë nismën për të adresuar menjëherë boshllëkun në fjalë. Nisma do i paraqitet fillimisht grupit parlamentar dhe do të jetë transparente për opinionin publik.Versus.al

2 ORE ME PARE

Rama i kthehet sërish protestës së PD-së në 'Flasim': Kanë program dhunën! Paguajnë mercenarë për hedhjen e molotovëve

Themelimi zyrtar i Bordit të Paqes, Rama: Mora ftesë nga Trump
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama deklaroi se Partia Demokratike e Shqipërisë është, sipas tij, e vetmja parti në Europë që ka të përfshirë në program dhunën dhe shkatërrimin e pronës. Deklaratat ai i bëri gjatë podcastit të tij “Flasim”.

Rama akuzoi drejtuesit e opozitës se, sipas tij, organizojnë akte të dhunshme gjatë protestave, duke pretenduar se persona të paguar hedhin mjete shpërthyese artizanale ndaj policisë me synim plagosjen e efektivëve dhe krijimin e tensioneve.

Ai shtoi se protesta të tilla dëmtojnë imazhin e Shqipërisë në mediat ndërkombëtare dhe, në mënyrë indirekte, iu referua liderit historik të opozitës Sali Berisha si organizator të tyre.

“Në Europë ka protestues anarkistë, huliganë, neofashistë, por qysh nga koha e partive famëkëqija në Gjermani e Itali të shumë viteve më parë, ka vetëm një parti parlamentare në Europë që të ketë pjesë të pandarë të programit të saj shkatërrimin e pronës, ushtrimin e dhunës dhe organizimin e trupava paramilitare. Rrugeçërit e lagjes me maska paguhen për të hedhur molotovë. Mercenarët tani kanë kaluar në hedhjen e bombave të mirëfillta artizanale, të përgatitura nga udhëheqja e PD-së, që synojnë plagosjen e sa më shumë policëve. Këto protesta janë si një jashtëderdhje e plakut të lajthitur që i organizon që dalin në mediat e huaja dhe që prishin imazhin e Shqipërisë”, është shprehur Rama./Versus.al

Tags:

edi rama

Poll