Çfarë do të gjeni në brendësi
*Me pankarta në duar me shkrimet “Kush vret një njeri, fik një univers të tërë” qindra qytetarë mes të cilëve, mësues, prindër, nxënës dhe gjyshër kanë marshuar nga vendi ku 14 vjeçari M.C u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij në shkollën “Fan Noli” e deri tek ministria e Arsimit. *Para ministrisë ata kërkuan në korr dorëheqjen e Ogerta Manastirliut, ndërkohë që kërkohej një minutë heshtje për vrasjen e 14 vjeçarit. *Para kamerave prindërit u shprehën se nuk ndiheshin të sigurt për të dërguar fëmijët në shkollë, duke theksuar se ka grupe të rinjsh të cilët shkojnë vetëm për të bërë trazira dhe për të shitur drogë. *Ndërsa teksa mbanin fjalime para minsitrisë së Arsimit, njëra prej qytetarëve u shpreh se kishte një mesazh të cilin ia kishte dërguar e ëma e 14 vjeçarit të vrarë e cila shprehte dhimbjen, ndërsa falenderonte të gjithë qytetarët për mbështetjen. *Të pranishëm në marshim ishin edhe shokë e shoqe të të miturit që u vra të cilët u shprehën të frikësuar nga ngjarjet që ndodhin në shkolla ku sipas tyre nuk ka kontrolle të mjaftueshme.
Babai i Martinit: S’kam marrë ende një kërkim-falje nga familja e autorit, ndoshta nuk kanë kurajo, mund të ndihen fajtorë
Babai i Martin Canit, ka dhënë një intervistë për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV. Ëngjëll Cani, gjatë intervistës për gazetarin Besmir Pula, ka rrëfyer momentet e para kur mori vesh se djali i tij ndodhej në spital me disa plagë në trup dhe më pas mësoi se është ndarë nga jeta. Ai deklaroi se është i tronditur nga ngjarja dhe se ende nuk e beson që diçka e tillë mund t’i ndodhte të birit në derën e shkollës.
“Mësuesja më tha Martini është te ‘Trauma’. Vajta aty, më thanë është në sallë të operacionit. Më thirrën pas gjysmë ore me shpresë se do të kishte vetëm një plagë thike, kurse moshatari i vet gjashtë thika. Por, pas gjysëm ore më thanë Martini nuk mbijetoi sepse kishte një thikë në zemër. Bota më ra përmbi kokë!
Pak më pare kisha mësuesen e Martinit dhe po më tregonte se ishte model, shembullor, një njeri që e donte e gjithë shkolla, e gjithë lagjia këtu. Pyet çdo njeri që e njeh Martinin, ishte lider i vërtetë, humorist i vërtetë, nuk kam fjalë ta përshkruaj”, tha Cani.
I pyetur për autorin e krimit, Cani tha se nuk e njeh atë dhe se familjarët e tij nuk e kanë ngushëlluar dhe as kanë kërkuar falje.
“Unë as nuk e njoh, as i kam mësuar emrin as nuk e di kush është, ku është dhe cili është, nuk kam asnjë lloj ideje. Të jem i sinqertë nuk kanë ardhur, asnjë lloj ngushëllimi, asnjëlloj falje, asnjë informacion nuk kam. Ndoshta nuk kanë kurajo, mund të ndihen fajtorë. Nuk besoj se ka njeri që do që djali i tyre të bëhet kriminel
Çdo prind nuk e do djalin ta ketë kriminel. Ata kanë qenë moshatarë, fajësoj dorën që e vrau. Kë të fajësos? Ajo dorë i mori jetën djalit tim, ëndrrat. Nuk dua ta kthej politike, unë i përkas thjeshtësisë dhe paqes, erdha të ndërtoj shtëpi dhe familje, erdha me mall për atdheun, të jetoj këtu. Më lindën dy cuna, dy yje, njërin ma mori Zoti, më mori zemrën”, – tha Cani.
Babai i 14 vjeçarit të ndjerë u ndal edhe te siguria në shkolla dhe protesta e zhvilluar ditën e sotme për të birin.
“Nëntë vjet ka qenë në atë shkollë. Unë jetoja në Londër, e drejta e klientëve që punoja, ishte një e drejtë që ta shihje klientin deri 500 metra të mos i ndodhte diçka, jo më nëpër shkolla. Aty në derë të shkollës të ndodhë kjo, është e habitshme, e trishtë, më duket ëndërr, nuk dua ta besoj, nuk e imagjinoj.
Nuk kam patur informacion sepse po të dija unë do shkoja në shkollë. Martini bënte shaka, edhe mbledhje kur kanë bërë, më thoshin Martini na mban gjallë. Nuk kisha shqetësime.
Nuk dua ta nxjerr pjesën politike, por çdo prind duhet të ndjejë një ndjesi për një djalë që ka humbur jetën. Po të kishte ndodhur në një vend të botës, jo të dorëhiqej ministri, por do të ishte ndryshuar qeveria. Edhe në Greqi, gjëra të tilla çfarë bëhet. Falenderoj të gjithë shqiptarët. Nuk dua t’i futem politikës, kam kontakte me të gjithë njerëzit, unë dua që djali im të prehet në paqe siç i takon.
Me policinë asnjë komunikim nuk kam patur sepse unë jam shumë i tronditur. Edhe sot që po flas dridhem i tëri, nuk e kisha kurajon, dua të gjej guximin dhe të falenderoj popullin shqiptar, prindërit, ata miq që më kanë repspektuar, kanë ngrënë nga një lugë të vogël helmi që unë po ha dhe po helmohem dita ditës”, – tha babai i 14 vjeçarit.
Ëngjëll Cani rrëfeu edhe takimin e fundit me të birin.
“Luajti një ndeshje me Kavajën, më tha luajta shumë mirë, do të bëhem futbollist me Kombëtaren. Më tha do të më marrë xhaxhi me vete sepse e kemi gjysmën e familjes në Amerikë. Xhaxhai i ushqente që do të marr në Amerikë për shkollë. Këto ëndrra kishte ai djalë. Ai flinte me topin, kishte qejf të bëhej si Christiano Ronaldo”, – tha Cani.
“Do më japësh një 2 mijë lekësh të blej tost? S’do marr gjëra të shtrenjta”, babai i Martinit tregon mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Babai i Martinit, 14-vjeçarit që u vra me thikë të hënën pas sherrit me një bashkëmoshatar rrëfeu bisedën e fundit që kishte me të.
Para se të shkonte në shkollë 14-vjeçari i kishte kërkuar para për të blerë tost.
Babai i Martinit: Sikur na e lehtëson pak dhimbjen gjithë ky popull. Një ditë para se të shkonte në shkollë më tha do më japësh një 2 mijë lekësh, do marr një tost s’do marr gjëra të shtrenjta.
Çdo shok i tij, çdo komshi thoshte që Martini ishte i bukur, i çiltër, talent, dëshira e tij ishte futbolli mësimet, bëhu futbollist i thoja do të të ndihmojë babi.
Shpresoj të largohemi për Amerikë, vëllai na ka bërë dokumentet për bashkim familjar dhe presim përgjigje.
“Familja ime ka vepra”, flet babai i Marios që vrau Martinin dhe sulmon mediat: Kemi një djal për mall! Kam aq burrni sa të flas me...
Ka thyer heshtjen babai i vrasësit të 14-vjeçarit Martin Cami. Ndue Përlleshi ka hedhur akuza ndaj medieve, gjatë një telefonate me gazetarin e TCh.
Ai tha se nuk ka komunikuar ende me familjen e Martinit të ndjerë, por se “ka aq burrëri sa ta bëjë një gjë të tillë”.
Prelleshi akuzoi mediat se e kanë paraqitur si një njeri të pashpirt pasi nuk reagoi publikisht lidhur me gjestin makabër të djalit të tij.
“Për çfarë të kërkoj falje? Ku i dini ju dhimbjen që kam unë? Çfarë janë këto provokime që bëni? Po sulmoni se jam shumë i rëndum dhe shumë i vram në shpirt për atë që ka vdek në radhë të parë. Ju keni publiku lajme, s’jeni interesu fare. Me familjen e Martinit nuk kam fol, jam duke u mundu me fol, kam aq burrni dhe aq shpirt sa të flas me familjen e Martinit.
Nuk jam një familje ordinere. Kemi një djalë për mall dhe atë duhet mundu si me e rrit. Ju keni dash me publiku budallaqe dhe me prish familjen. Familja ime ka vepra. E ndaj pjesën e dhimbjes sikur e m’vdek djali im”, tha Ndue Përlleshi, babai i autorit të vrasjes së Martin Canit, deklaratë që u transmetua në emisionin "Top News".
‘Ishte shumë fëmijë i dashur, ku ta gjej djalin unë?’ Flasin për herë të parë prindërit e nxënësit Martin Cani
Një tragjedi që ka pikëlluar mbarë Shqipërinë ajo e Martinit të vogël, që në moshën 14-vjeçare u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij.
Prindërit e Martinit, të cilët për herë të parë flasin pas ngjarjes, ndërsa mesazhi që japin është fisnik!
‘Nuk duam hakmarrje’, thonë ata.
‘Ishte shumë fëmijë i dashur, ku ta gjej djalin unë? Martini thoshte do bëhem futbollist i madh’, tha mes lotësh nëna e tij.
Të pyetur në familja e autorit të dyshuar u ka kërkuar falje, ata shprehen: Deri tani nuk kemi asnjë informacion.
‘Ne nuk jemi njerëz që duam hakmarrje, duam paqe duam të punojmë, ne duam të largohemi nga këtu, të shkojmë në SHBA te vëllai im. Mos i ndodhtë askujt. Dua ti jap mesazh njerëzve, askush nuk do ta bëjë djalin kriminel, këtë e besoj’, u shpreh i ati për Top Channel.
Mesazhet/ Martinin duhej të ishte dërguar tek QSUT-ja, tek Trauma nuk ka kirurg zemre
Makina private që mori 14-vjeçarin e ndjerë, Martin Canin ishte nisur për në QSUT, për shkak se ishte dhe më afër vendit të ngjarjes, por shërbimi i ambulancës pasi mori trupin adoleshentin e qëlluar me thikë nga bashkëmoshatari i tij, devijoi rrugën duke e dërguar te Spitali i Traumës.
Një qytetar ka denoncuar se te ‘Trauma’ nuk ka kardiokirurg fare as në organikën e spitalit dhe pasi ka mbërritur 14-vjeçari, kanë thirrur një kardiokirurg nga QSUT i cili padiskutim ka minimizuar edhe shansin që Martini të shpëtojë.
Sipas denoncimit, ambulanca e ka marrë rrugës Martinin teksa ai po transportohej drejt QSUT-së nga disa qytetarë, dhe më pas e dërgoi te Trauma aty ku nuk ka aparatura për të tilla sulme në zemër.
Kjo zgjidhje që ka bërë shërbimi i ambulancës, sipas denoncuesit është sikur të kapësh veshin e djathtë me dorën e majtë.
‘Te ushtaraku ka vetëm kirurg të përgjithshëm dhe kirurg ortoped ka. Dmth ka kardiokirurg të përgjithshëm që nuk di çfarë të bëjë me traumën e zemrës, maksimumi apendasit. S’ka as aparatura për këto trauma në zemër. S’ka as kirurg torokale që ndodh ndonjë gjë në fyt gjoks në mushkri pa zemrën. Kur vjen puna për intubime e marrin pacientin e fusin prap në ambulancë dhe e dërgojnë në QSUT, ndërkohë ai tu vdes’, thuhet në një denoncim të bërë në rrjet.
Tezja e 14 vjeçarit të vrarë humb ndenjat në protestë, qytetarët i japin ndihmën e parë

Tezja e 14 vjeçarit të ndjerë që u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij, ka qenë e pranishme në marshimin para ministrisë së Arsimit ku më pas edhe ka humbur ndjenjat si pasojë e gjendjes së rënduar psikologjike.
Qytetarët e pranishëm kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e parë zonjës e cila u ngarkua shumë emocionalisht pas fjalimeve që mbajtën edhe shokët e shoqet e 14 vjeçarit.
Më herët në marshim u lexua edhe një mesazh i shkruar nga e ëma e 14 vjeçarit e cila shprehej se djalit të saj i morën ëndrrat dhe jetën. Versus.al
VIDEO/ “Kishte ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja”, e ëma e 14 vjeçarit të vrarë reagon me mesazh për protestuesit

Një mesazh i shkruar nga vetë nëna e 14 vjeçarit që u vra me thikë, është lexuar nga njëra prej protestuesve para ministrisë së Arsimit ku qindra qytetarë me pankarta në duar kanë kërkuar dorëheqjen e Manastirliut.
Në shkrimin e saj, e ëma e të miturit që u vra nga bashkëmoshatari i tij ka falenderuar personat që iu gjendën pranë djalit të saj në momentet e fundit, ndërsa uroi që një ngjarje e tillë të mos e përjetojë asnjë prind.
“Ka ardhur një mesazh nga vetë ajo nëna e Martinit. Nuk ka fjalë që e përshkruan këtë dhimbje që na ka lënë pas një trishtim që nuk mbushet kurrë. Falenderoj FSHF për praninë dhe mbështetjen, Nuk e di sesa mirënjohëse mund të jem për ata që iu gjendën aty Martinit në momentet e fundit. Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ia morën të dyja. Si nënë që jam uroj nga thellësia e shpirtit që askush mos ta provojë më një dhimbje të tillë”- lexoi protestuesja nga mesazhi që kishte dërguar nëna e të miturit që u vra. Versus.al
View this post on Instagram
“Ministrja të hapë derën dhe të dalë”, bojë e kuqe në muret dhe rrugën para ministrisë së Arsimit
Qytetarët e mbledhur në marshim kundër dhunës pas vrasjes së 14 vjeçarit, kanë ndaluar para ministrisë së Arsimit, në muret e së cilës kanë lënë edhe shenja duarsh duke përdorur bojë të kuqe në sensibilizim për krimin e rëndë që shkundi arsimin e vendit.
“Ministrja të hapë derën dhe të dalë. Është kaq njerëzore të japësh dorëheqjen mor njerëz. Nuk je për atë punë, dil e largohu. Jemi katandisur në këtë farë feje ku këta duan vetëm të marrin. Është gjëja më normale, nëse nuk e bën punën, thjesht largohu”- u shpreh një prej folësve para ministrisë.
Në rrugë protestuesit kanë derdhur edhe bojë të kuqe, të indinjuar për situatën në shkollat e vendit. Sipas protestuesve, pasiguria në shkolla është rritur në masë ekstreme dhe nuk ndihen të sigurt për të dërguar fëmijët. Versus.al
View this post on Instagram
VIDEO/ "Kush shuan një jetë, fik një univers të tërë", me pankarta në duar qytetarët marshojnë drejt ministrisë së Arsimit
Qytetarë të shumtë i janë bashkuar marshimit të thirrur nga prindërit pas ngjarjes së rëndë që tronditi vendin me vrasjen e një 14 vjeçari nga bashkëmoshatari i tij pranë shkollës “Fan Noli”.
Me pankarta në duar me shkrime si “Kush shuan një jetë, fik një univers të tërë”, qytetarët janë afruar drejt ministrisë së Arsimit ku është edhe fundi i Arsimit. Pjesa më e madhe e tyre u shprehën për mediat se ministrja Ogerta Manastirliu duhet të kishte dhënë dorëheqjen për rastin e rëndë. Versus.al
View this post on Instagram
“Ministri inekzistente, nëpër shkolla shitet drogë”, prindërit marshim për vrasjen e 14 vjeçarit: Kush na siguron për fëmijët?
Qindra prindër janë bërë bashkë në një marshim të nisur nga shkolla “Fan Noli” pranë së cilës një nxënës 14 vjeçar u vra me thikë nga bashkëmoshatari i tij.
Në deklaratat e dhëna për mediat shumë prej tyre janë shprehur se janë të pasigurt kur dërgojnë fëmijët në shkollë, teksa kanë kërkuar dorëheqjen e ministres së Arsimit, Ogerta Manastirliu.
“Kërkojmë dënim kapital. Nuk ka më logjikë të qëndrojmë kështu dhe të justifikohemi duke thënë hë se ishte i vogël. Jo! Sa bukur e mbante shpatën në dorë?!”
“Është një ditë zie për të gjithë shqiptarët edhe pse kryeministri Rama do të lajë duart me mbylljen e TikTok. Ne jemi të pasigurtë, jetojmë në një shoqëri që përjeton frikë dhe tmerr. Ministrja e Arsimit duhet të japë dorëheqjen urgjentisht. Kemi një ministri ineksiztente që nuk e dimë se çfarë bën dhe me çfarë marret. Ne ndihemi të pasigurt, çojmë fëmijët në shkollë ku rreth e qark shitet drogë. Kush më siguron mua që nesër vajza ime nuk do jetë viktimë? Sot shoqëria shqiptare po përjeton një krizë të vlerave”- janë shprehur disa prej prindërve.
Të indinjuar qytetarët kanë vënë theksin tek mungesa e institucioneve shtetërore për vendosjen e rregullave të rrepta në shkolla, ndërsa sa i takon propozimit të bërë nga kryeministri Edi Rama për mbylljen e rrjeteve sociale, ata u shprehën se kjo nuk është zgjidhja e problemit. Versus.al







