Shumica e njerëzve, me kalimin e viteve, e ngadalësojnë ritmin e jetës: heqin dorë dorw nga kostumet zyrtare dhe afatet, dhe i zëvendësojnë me pantofla dhe programe televizive paradite. Por kjo nuk vlen për Dr. Howard Tucker.
Neurologu nga Cleveland ka trajtuar pacientë për gati tetë dekada, duke hyrë në Librin e Rekordeve Guinness si mjeku më i vjetër në botë në praktikë, pak para ditëlindjes së tij të 99-të.
Sot 102 vjeç, ai e ka varur përfundimisht përparësen e bardhë – por jo energjinë. Ai vijon të japë leksione për studentët e mjekësisë në universitetin Case Western Reserve, ndërkohë që punon si konsulent në çështje ligjore-mjekësore – falë diplomës në jurisprudencë që mori në moshën 67-vjeçare. Dhe si të mos mjaftonte kjo, është bërë edhe sensacion në TikTok, duke promovuar dokumentarin për jetën e tij, “What’s Next”, prodhuar nga nipi i tij.
Në një intervistë të fundit për NBC/TODAY me gazetarin Al Roker, Dr. Tucker ndau sekretet e jetëgjatësisë së tij dhe ruajtjes së mprehtësisë mendore:
“Pensioni, në mendimin tim, është armiku i jetëgjatësisë. Njeriu duhet të ketë një qëllim për të cilin zgjohet çdo ditë.”
Dr. Tucker vazhdoi të punonte si mjek deri në moshën 100-vjeçare, dhe u ndal vetëm për shkak të mbylljes së spitalit ku praktikonte. “Nëse spitali nuk do të ishte mbyllur, do të isha ende duke parë pacientë,” – i tha ai revistës PEOPLE.
Madje, shton me buzëqeshje:
“Jam duke dërguar ndonjë sinjal për ndonjë punë tjetër, edhe pse... askush nuk më do në këtë moshë! Por do të vazhdoj të provoj.”
Ai nuk ka ndërmend të ndalojë. Por për ata që kanë vendosur të pensionohen, ai ka një këshillë të qartë:
“Nëse largoheni nga puna, duhet të gjeni një hobi, qoftë punë komunitare apo diçka që ju pëlqen. Trurit i duhet stimul çdo ditë.”
Edhe shkenca i jep të drejtë: studimet tregojnë se qëllimi në jetë, mësimi i vazhdueshëm dhe aktivitetet që nxisin krijimtarinë dhe përqendrimin, janë çelësi për një mendje të mprehtë edhe në moshë të thyer.







