Tirana po përgatitet të presë një nga ndeshjet më delikate dhe me ndjeshmëri të lartë në historinë moderne të përfaqësueses shqiptare: përballjen me Serbinë, më 7 qershor, në kuadër të fazës kualifikuese për Kupën e Botës. Sfida do të zhvillohet në “Arenën Kombëtare”, por ajo ka kapërcyer kuadrin sportiv, duke u kthyer në një test të madh sigurie për institucionet shqiptare.
Autoritetet kanë njoftuar për mobilizimin e më shumë se 1,500 efektivëve të policisë, të ndarë në disa hallka sigurie, që do të përfshijnë stacionimin në aeroport, akomodimin e përfaqësueseve, rrugët hyrëse dhe dalëse në Tiranë, si dhe sigurinë brenda e jashtë stadiumit.
Burime nga Ministria e Brendshme bëjnë me dije se fokusi kryesor i planit të masave është skuadra serbe, si në aspektin logjistik ashtu edhe në atë protokollar.
Pjesë e skemës së sigurisë janë edhe njësi të specializuara, përfshirë forcat antiterror dhe RENEA, të cilat do të jenë në gatishmëri për çdo situatë emergjente. Ndërkohë, SHISH ka ngritur strukturë të dedikuar të inteligjencës, që ka monitoruar muajt e fundit çdo sinjal rreziku të mundshëm, për të parandaluar incidente që mund të cenojnë rendin dhe imazhin ndërkombëtar të vendit.
Brenda stadiumit do të përdoret teknologji e avancuar për kontrollin dhe identifikimin e tifozëve. Burime pranë FSHF bëjnë të ditur se janë instaluar kamera me funksion “face recognition”, të afta për të gjurmuar persona të shpallur “të padëshiruar” për ngjarje të mëparshme ose që mund të nxisin provokime politike, racore apo kombëtare.
Për garantimin e rendit brenda “Arenës Kombëtare”, përveç Policisë së Shtetit, është angazhuar edhe kompania private e sigurisë e kontraktuar nga FSHF, e cila do të funksionojë në koordinim me policinë dhe organizatorët. Të gjitha hyrjet do të kontrollohen fizikisht, ndërsa nuk do të lejohen flamuj, pankarta apo simbole që nxisin urrejtje etnike apo politike. /Versus.al/







