Federata e Futbollit e Serbisë ka njoftuar zyrtarisht se ndeshja kualifikuese mes Serbisë dhe Shqipërisë, e vlefshme për eliminatoret e Kupës së Botës FIFA 2026, do të zhvillohet më 11 tetor 2025 në stadiumin “Rajko Mitić” në Beograd.
Ky stadium, i njohur edhe si “Marakana e Beogradit”, është impianti më i madh në Serbi me një kapacitet prej 51,755 vendesh dhe është shtëpia e klubit legjendar Crvena Zvezda (Ylli i Kuq i Beogradit).
Ky përballje vjen më shumë se një dekadë pas ndeshjes së tensionuar të vitit 2014, e cila u zhvillua në stadiumin e Partizanit dhe u ndërpre mes polemikave, përplasjeve fizike dhe një incidenti të njohur ndërkombëtarisht që përfshiu një dron me flamurin shqiptar. Kësaj here, autoritetet serbe kanë zgjedhur një ambient më të madh dhe modern, duke synuar organizimin e një sfide në kushte të përshtatshme dhe të sigurta.
Njoftimi i Federatës Serbe
Në deklaratën zyrtare të publikuar nga Federata e Futbollit të Serbisë thuhet:
“Përballja me Shqipërinë do të luhet më 11 tetor në stadiumin ‘Rajko Mitić’ në Beograd. Ky stadium përfaqëson më së miri standardet e kërkuara për një ndeshje të këtij niveli ndërkombëtar.”
Po në këtë stadium, Serbia do të presë edhe Anglinë më 9 shtator, ndërsa sfida përmbyllëse e grupit kundër Letonisë do të zhvillohet më 16 nëntor në stadiumin “Duboçica” në Leskovc. /Versus.al/







