MAGAZINË /

“A po mbahet i fshehtë Hantavirusi?”/ Fluksi i virozave, dr.Jorgji: Kujdes nga brejtësit dhe zonat malore!

Pneumologu apelon për kujdes në zonat rurale dhe paralajmëron kundër përdorimit pa kriter të antibiotikëve: “Vetëmjekimi po dëmton seriozisht imunitetin e qytetarëve”

Shkruar nga Versus

“A po mbahet i fshehtë Hantavirusi?”/ Fluksi i virozave,

Mes shqetësimeve për shtimin e virozave sezonale dhe aludimeve për raste të mundshme të Hantavirusit, mjeku pneumolog Ardian Jorgji ka sqaruar situatën epidemiologjike në vend, duke bërë thirrje për vigjilencë, por jo panik.

I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Jorgji tha se spitalet dhe shërbimet ambulatore po përballen me një fluks të lartë pacientësh, si pasojë e qarkullimit të njëkohshëm të virozave respiratore dhe atyre gastrointestinale.

Sipas tij, ndryshimet e menjëhershme të temperaturave dhe luhatjet e motit kanë favorizuar përhapjen e infeksioneve virale, të cilat po prekin të gjitha grupmoshat.

“Kemi një kombinim të virozave respiratore me ato gastrointestinale. Pacientët paraqiten me temperaturë të lartë, këputje trupore, por edhe me shqetësime të aparatit tretës, si të vjella dhe probleme gastrike. Situata po prek si fëmijët ashtu edhe të rriturit”, u shpreh mjeku.

Duke komentuar zërat për praninë e Hantavirusit në vend, Jorgji mohoi se ka informacion të fshehur nga autoritetet, por theksoi se qytetarët duhet të tregojnë kujdes, veçanërisht gjatë aktiviteteve në zona malore, pyjore apo rurale.

“Nuk ka arsye për teori konspirative apo panik. Megjithatë, Hantavirusi është një infeksion serioz që transmetohet përmes kontaktit me sekrecionet e brejtësve. Konsumimi i ushqimeve ose ujit të kontaminuar mund të shkaktojë komplikacione të rënda, përfshirë ethe hemorragjike dhe dëmtime të veshkave. Higjiena mbetet masa më e rëndësishme parandaluese”, theksoi ai.

Një tjetër problematikë që, sipas Jorgjit, po përkeqëson situatën është përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve nga qytetarët.

“Shumë njerëz nisin menjëherë antibiotikët sapo shfaqin temperaturë apo simptoma gripale. Ky është një gabim i madh. Antibiotikët nuk veprojnë ndaj viruseve, por vetëm ndaj baktereve. Përdorimi i tyre pa rekomandim mjekësor dëmton florën bakteriale dhe dobëson sistemin imunitar, duke e bërë organizmin më të ndjeshëm ndaj infeksioneve të tjera”, deklaroi pneumologu.

Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve të mos vetëtrajtohen, por të konsultohen me mjekun në rast simptomash të zgjatura ose të rënda, duke theksuar se kujdesi dhe informacioni i saktë janë mbrojtja më e mirë ndaj virozave që po qarkullojnë aktualisht.

Poll