
Dy pistoleta që i përkisnin Napoleon Bonapartit u shitën në ankand për 1.69 milionë euro. Perandori francez dyshohet se u përpoq të vriste veten me këto armë pas abdikimit të tij nga froni në 1814. Së fundmi Ministria Franceze e Kulturës i klasifikoi ato si një thesar kombëtar dhe ndaloi eksportin e tyre. Ankandi u mbajt nga shtëpia Osenat.
Shitja e dy pistoletave
Sipas vlerësimeve, dy pistoletat e krijuara nga prodhuesi parizian i armëve Louis-Marin Gosset duhet të kishin sjellë nga 1.2 deri në 1.5 milionë euro. Në fund oferta e fundit ishte shumë më e lartë, duke arritur gati në 1.7 milionë euro. Ankandi u zhvillua pranë pallatit të Fontenblë, ku Napoleoni dyshohet se tentoi të kryente vetëvrasjen. Armët mund të largohen nga Franca vetëm përkohësisht dhe qeveria franceze ka 30 muaj kohë për t'i bërë një ofertë blerjeje pronarit të ri, identiteti i të cilit nuk dihet.

Historia dhe vlera e pistoletave
Dy armët janë të zbukuruara me ar dhe argjend dhe paraqesin një imazh të gdhendur të vetë Napoleonit në profil. Thuhet se perandori francez donte t'i përdorte për të vrarë veten natën e 12 prillit 1814, pas disfatës së ushtrisë së tij nga forcat e huaja që e detyruan të hiqte dorë nga pushteti. Megjithatë, shefi i tij i madh Armand dë Kolenkur do të hiqte barutin. Në atë moment Napoleoni piu helm, por arriti të mbijetonte.
Më pas, armët do t'i besoheshin Kolenkurit, i cili nga ana e tij do t'ua kalonte pasardhësve të perandorit. Në shitje ishin përfshirë edhe kutia origjinale e dy armëve dhe aksesorë të ndryshëm duke përfshirë një bori dhe shufra të ndryshme për ngjeshjen e barutit. Reliket e Napoleonit janë shumë të kërkuara. Një nga kapelet e tij u shit për 1.9 milionë euro në nëntor. Udhëheqësi i madh francez u kthye në pushtet në 1815 pas mërgimit të tij në ishullin Elba, por u mund në Betejën e Waterloo-s. Ai vdiq më 5 maj 1821 pas mërgimit të tij të dytë, këtë herë në ishullin e Shën Helenës në Atlantikun e Jugut.

